Speciale

Jacek Psheniosllo, mik i vërtetë dhe i sinqertë i popullit shqiptar

07:10 - 23.07.18 Gazeta Shqiptare

IN MEMORIAM –  Pak ditë më parë u nda nga jeta në Varshavë, në moshën 78-vjeçare, kolegu dhe bashkëpunëtori i ynë i  ngushtë, Jacek Przeniosllo (Jacek Przeniosło), mik i vërtetë dhe i sinqertë i Shqipërisë dhe popullit shqiptar.



Lidhjet e tij me Shqipërinë janë të hershme, që në moshën e rinisë së tij. Ai erdhi në Shqipëri me familjen e tij, sepse i ati, Stefan Przeiniosło, në vitet 1956-1961 kreu misionin e lartë të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Polonisë në vendin tonë. Jacek-u përfundoi në Tiranë shkollën e mesme dhe kreu disa vite studimi në Universitetin e Tiranës, ku mësoi dhe gjuhën shqipe. Gjatë qëndrimit dhe studimeve në Shqipëri, në qarqet studentore shqiptare Jacek-u u bë një figurë e dashur dhe popullore. Edhe sot e kësaj dite, shumë prej studentëve shqiptarë të brezit të tij kujtojnë Zhak-un, siç e thërrisnin atëherë nga që kish lindur në Paris para fillimit të Luftës II Botërore, sepse prindërit e tij kishin emigruar prej vitesh në Francë, si një student shumë energjik, të dashur dhe iniciator i shumë veprimtarive shoqërore kulturore dhe sportive. Ai merrte pjesë aktive në mbrëmjet që organizoheshin me studentët, në ekskursionet në natyrë, madje deri në organizimin e shëtitjeve me biçikleta edhe në linjën Tiranë-Durrës e kthim.

Mbas kthimit në atdhe, që ndodhi edhe me prishjen e marrëdhënieve për shkaqe ideologjike të vendit tonë me ish-vendet socialiste të bllokut Lindor, përfshi këtu edhe Poloninë, Jacek-u punoi në institucione të ndryshme shtetërore dhe shkencore të Polonisë, ndërmjet të tjerave edhe në Akademinë e Shkencave. Për shkak të njohurive të shumta që kish për Shqipërinë dhe njohjes së gjuhës shqipe, Jacek-u për këto institucione u bë pikë referimi lidhur me marrëdhëniet e Polonisë me Shqipërinë, duke u bërë shpesh pjesëmarrës i delegacioneve polake që zhvillonin bisedime me delegacionet tona.

Mbas përmbysjes së regjimeve komuniste në Poloni dhe në Shqipëri, (kujtojmë që Polonia ishte vendi i parë që e përmbysi këtë regjim ndër ish-vendet socialiste të Europës Lindore), midis dy vendeve tona u normalizuan marrëdhëniet në të gjitha fushat, përfshi edhe marrëdhëniet njerëzore midis popujve të tyre. Jacek-u ishte një nga iniciatorët kryesorë të themelimit të Shoqatës Poloni-Shqipëri në Varshavë dhe që në fillim të veprimtarisë, ai u zgjodh nënkryetar i saj. Gjatë veprimtarisë së kësaj shoqate, Jacek-u kreu edhe detyrat e kryetarit dhe vitet e fundit atë të Kryetarit të Nderit të saj.

Jacek-u zhvilloi një veprimtari të gjerë për propagandimin e vendit tonë në Poloni. Ai është autor i shumë shkrimeve në shtypin polak dhe në mediat polake, kushtuar historisë së popullit shqiptar, traditave të tij kulturore dhe vlerave turistike të vendit tonë. Në kuadër të Shoqatës Poloni-Shqipëri ka qenë një nga organizatorët kryesorë të veprimtarive të shumat që kjo shoqatë ka organizuar në Poloni kushtuar vendit tonë. Me plot kuptimin e fjalës, Jacek-u ka qenë një ambasador i vendit tonë në Poloni.

Jacek-u kontribuoi edhe në zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve tona. Ai ka qenë iniciatori i disa investimeve të firmave polake në Shqipëri si edhe i vendosjes së lidhjeve të firmave polake me ato shqiptare për zhvillimin e shkëmbimeve tregtare midis tyre.

Dashurinë që kishte për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, Jacek-u ia transmetoi të gjithë familjes së tij. E shoqja e tij, Aleksandra, vajza Marta dhe djali, Stefan-i kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë miq të ngushtë të popullit shqiptar. Vajza e tij, Marta për disa vite studio në Universitetin e Tiranës gjuhën shqipe dhe sot është diplomate e zonja, që përfaqëson me dinjitet Poloninë në përfaqësitë e saj diplomatike jashtë shtetit dhe në organizatat ndërkombëtare.

Ndonëse në moshë dhe gjendje shëndetësore jo të mirë, Jacek-u me bashkëshorten vinin pothuajse çdo vit në Shqipëri për të pushuar dhe për t’u takuar me miqtë dhe shokët e tij shqiptarë.

Për meritat e tij të shquara në propagandimin e vendit tonë në Poloni dhe kontributin për forcimin e marrëdhënieve midis dy vendeve tona, Jacek Psheniosllo, në vitin 2004 është dekoruar nga Presidenti i Republikës, Alfred Moisiu, me medaljen e lartë “Naim Frashëri”.

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbi një mik të vërtetë dhe të sinqertë, që gjithë jetën ia përkushtoi forcimit të lidhjeve miqësore midis dy vendeve tona, ndërsa ne që e njohëm nga afër dhe kemi bashkëpunuar me të, humbëm një mik dhe shok të dashur, i cili do të mbetet i paharruar në mendjet dhe zemrat tona.

Osman Kraja, Leonard Zissi, Ermal Dobi, Naim Tyli, Pandedli Çina, Arqile Teta, Astrit Beqiraj, Petrit Dollani, Ylli Alibali, Neki Shehu.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *