AKTUALITET

Me burrin në emigrim dhe vilë trekatëshe, si vepronte me gjakftohtësi grabitësja “sexy”

11:45 - 23.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ervis Kuçi – Një grua 31-vjeçare, e cila ishte kthyer në tmerrin e karburanteve në Fier dhe në Mallakastër ka përfunduar në prangat e policisë. Bëhet fjalë për Anna Malajn, e cila së bashku me kushëririn e saj 22-vjeçar Emiljano Grembi, i cili u vu sot në pranga, kanë grabitur brenda harkut kohor të dy javëve një pikë karburanti, ndërsa kanë tentuar që të grabisin dhe dy të tjera, por kanë dështuar. E reja simpatike nga fshati Visokë i Mallakastrës, sipas burimeve zyrtare nga policia e Fierit vepronte me gjakftohtësi.




Kjo referuar tri rasteve, një e finalizuar me grabitje dhe dy të tjerat të mbetura në tentativë. Po të njëjtat burime pohuan se Anna vishte dorezat e maskohej dhe nisej gjatë orëve të natës të gjente prenë e radhës. Mësohet se 31-vjeçarja dhe kushëriri i saj përdornin një armë gjahu dhe një automjet, të cilit i vendosnin targa të vjedhura. Dy kushërinjtë akuzohen për “Vjedhja me armë”, e kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”, vepra penale që parashikojnë dënim deri në 10 vite burg. Policia nuk ka dokumentuar ende ngjarje të tjera ku mund të jetë përfshirë Anna Malaj, ndërsa pritet dëshmia e saj para bluve. Ende nuk dihet nëse ishte vetë Anna ideuesja e së gjithë skemës së grabitjes, apo kushëriri i saj 22-vjeçar që është shpallur në kërkim.

DËSHMIA E PUNONJËSVE
31-vjeçarja Anna Malaj dhe kushëriri i saj kanë mundur të grabisin me 2 korrik të këtij viti pikën e karburantit në aksin rrugor Fier-Levan. Punonjësit e karburantit kanë zbardhur skemën e grabitjes që ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit. Ata treguan për “Gazeta Shqiptare” se fillimisht automjeti është parkuar në afërsi të karburantit dhe më pas dy grabitësit janë afruar drejt tij. Ndërsa 22-vjeçari ka shkuar tek kasaforta i armatosur dhe nën kërcënimin e armës e ka hapur atë dhe ka marrë paratë që ndodheshin brenda saj. Sipas dëshmisë së punonjësit, dy grabitësit sapo kanë marrë lekët në kasafortë janë larguar me shpejtësi.

GRABITJET DHE ARRESTIMI
Specialistët e seksionit për hetimin e krimeve kundër pronës dhe pasurisë në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, falë punës operative e hetimore të mirëorganizuar kanë bërë të mundur zbardhjen e tri ngjarjeve të ndodhura këtë muaj në këtë qark, ku dy persona nën kërcënimin e armës, gjatë orëve të vona të natës shkonin për të vjedhur pika të ndryshme karburantesh. Pas hetimeve të kryera, blutë arrestuan Anna Malajn, banuese në fshatin Visokë, Mallakastër. Ndërsa sot është arrestuar dhe kushëriri i saj, 22-vjeçar, banues në fshatin Belinë të Patosit.

Sipas hetuesve të çështjes, dy kushërinjtë nën kërcënimin e armës, në datën 02.07.2018, në Levan, kanë vjedhur një pikë karburanti ku kanë marrë shumën prej 30.000 lekësh të reja. Në datën 07.07.2018, në Mallakastër, nën kërcënimin e armës kanë tentuar të vjedhin një pikë karburanti, por pasi janë ndeshur me punonjësin e karburantit, janë larguar. Në datën 15.07.2018, në lagjen “1 Maji” Fier, në bashkëpunim, duke kërcënuar me armë gjahu teke, kanë tentuar të vjedhin një tjetër pikë karburanti. Ndërkaq, policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale automjetin me të cilën shkonin në vendngjarje, 1 armë gjahu teke dhe 6 fishekë, 1 palë doreza si dhe 4 targa mjeti të falsifikuara.

 

Kush është Anna Malaj, grabitësja “sexy” e karburanteve

Ndërkaq, “Gazeta Shqiptare” ka mundur të zbardhë detaje të reja mbi jetën e grabitëses “sexy”. Mësohet se 31-vjeçarja është e martuar në Fier, ndërsa bashkëshorti punon prej vitesh në emigrim. Gjithashtu, bëhet me dije se grabitësja ka ndryshuar emrin nga Jonida në Anna rreth vitit 2014. “Gazeta Shqiptare” ishte dje në banesën e familjes së Anna Malajt, por askush nuk u prononcua në lidhje me arrestimin e saj.
Vila 3-katëshe ndodhet në fund të një rrugice, në majë të një kodre, por dera e saj mbyllej me shpejtësi. Ndonëse familjarët kyçën gojën, banorë të fshatit i u shprehën se prej kohësh prindërit e saj jetonin në Greqi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.