Kryesore

Sot mbyllet Kuvendi, ja ligjet që duan 84 vota dhe shtyhen për në shtator

09:31 - 23.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Seanca e sotme e Kuvendit do të jetë e fundit për këtë sesion, në pritje të rifillimit javën e tretë të shtatorit. Ky sesion që nisi në janar të këtij viti duket se nuk ka arritur të kalojë me konsensus disa nga projektligjet e rëndësishme. Ndër më të diskutuarit është ligji për Magjistratët dhe ndryshimet në Kodin Rrugor. Në seancën e sotme janë rreth 14 projektligje për miratim, nga të cilat të dy kërkojmë 84 vota. Ndërkohë, 12 projektligjet e tjera pritet të miratohen vetëm me votat e socialistëve. Janë tri projektligje për të cilat opozita ka deklaruar se nuk do të bashkojë votat me Partinë Socialiste, duke bërë që ligjet të shtyhen për pas shtatorit. Ligji për emërimin e magjistrave të rinj është ndër më të diskutuarit ditët e fundit për faktin se Partisë Socialiste i duhen me domosdoshmëri votat e të paktën ish-aleates së saj, LSI. Nga ana tjetër, përfaqësues të LSI kanë deklaruar mosdakordësi për propozimet e kolegëve socialistë.




Opozita nuk jep votë pro as për ndryshimet e propozuara në Kodin Rrugor, duke bërë që edhe nisma për lehtësimin e procedurave për marrjen e lejeve të drejtimet të huaja të shtyhet për seancat e pas shtatorit. Të njëjtin fat do e ketë edhe Kodi Ajror. Opozita edhe në këtë seancë të fundit pritet të përsërisë qëndrimin e dy javëve të fundit, ku krerët e dy grupeve parlamentare kërkojnë rivotimin e ligjit për shembjen e Teatrit Kombëtar, të cilin maxhoranca e konsideron çështje e mbyllur. Debati për Teatrin Kombëtar do të vijojë edhe gjatë javëve në vijim. Deri në datën 30 pritet që presidenti të japë vendimin me dekret, ndërsa nga ana e opozitës janë bërë paralajmërime të forta jo vetëm në drejtim të maxhorancës, por edhe ndaj kompanisë ndërtuese. Reforma Zgjedhore është ende larg të shkruarit në letër. Dy bashkëkryetarët kanë kërkuar shtyrje të afatit të komisionit me disa muaj të tjerë, ndërsa dy palët politike ende nuk kanë prekur termat më të rëndësishme të asaj që është premtuar për t’u realizuar, siç mund të jetë ndryshimi i sistemit zgjedhor.

Mazhoranca nga ana tjetër ka paralajmëruar ndryshime në ligjin për Partneritetin Publik-Privat. Në shtator pritet që Ministria e Financave të sjellë një nismë të re për ligjin e koncesioneve, për të cilat opozita ka bërë akuza të shumta në drejtim të mazhorancës. Në fokus ndërkohë sërish pritet të jetë trafiku i drogës dhe emrat e akuzuar. Në fuqi ende vijon të jetë komisioni që heton ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, i kryesuar nga demokratët. Ky komision në këtë sesion nuk ka prodhuar ende asnjë rezultat, ndërsa priten informacione nga institucione të ndryshme mes të cilave edhe nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe kryeministria.

Rendi i ditës i seancës së fundit

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 19.7.2018 (neni 44, Rregullore).
2. Njoftimi i projektligjeve të depozituara në Kuvend (neni 44, pika 3 e Rregullores).
3. Projektligji “Për kontrollin shtetëror të transferimeve ndërkombëtare të mallrave ushtarake dhe të artikujve e teknologjive me përdorim të dyfishtë”.
4. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9669, datë 18.12.2006, “Për masa ndaj dhunës në marrëdhëniet familjare”, të ndryshuar”.
5. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 69/2012, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”.
6. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”
(votim me shumicë prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit).
7. Projektligji “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Rifinancimi i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në zonat urbane dhe rurale, faza e dytë”, ratifikuar me ligjin nr. 86/2015″ (votim me shumicë absolute).
8. Projektligji “Për denoncimin e marrëveshjes ndërkombëtare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin ‘Efiçenca energjetike përmes sektorit bankar’ ratifikuar me ligjin nr. 89/2015” (votim me shumicë absolute).
9. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, të përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, dhe Cassa Depositi e Prestiti S.p.A., për programin e arsimit dhe formimit profesional nëpërmjet inovacionit” (votim me shumicë absolute).
10. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së grantit, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit “Hekurudhat shqiptare – rehabilitimi i linjës hekurudhore Tiranë – Durrës dhe ndërtimi i linjës hekurudhore për në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës”, në kuadër të grantit të investimit nga Fondi i Përbashkët Evropian i Ballkanit Perëndimor” (votim me shumicë absolute).
11. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për shtesën e financimit për projektin e modernizimit të asistencës sociale” (votim me shumicë absolute).
12. Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin e konektivitetit të rrugëve rajonale dhe lokale” (votim me shumicë absolute).
13. Projektvendim “Për miratimin e strukturës, organikës dhe kategorizimit të pozicioneve të punës të Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi” (votim me shumicë të thjeshtë).
14. Projektvendim “Për zgjatjen e afatit të veprimtarisë së komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore” (votim me shumicë të thjeshtë )
15. Projektrezolutë “Për reformën e politikës shtetërore për diasporën” (votim me shumicë të thjeshtë).
16. Për votim:
– Projektligji “Për profesionin e avokatit në Republikën e Shqipërisë” (votim me shumicë të thjeshtë).
– Projektligji “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 8378, datë 22.7.1998 ‘Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar'” (votim me shumicë prej 3/5 e të gjithë anëtarëve të Kuvendit).
17. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës (neni 45, Rregullore).
Koha e diskutimeve deri në 60 minuta

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.