DOSSIER

“Bella Venezia”, aty ku pastiçerët me famë botërore përgatitën tortën e dasmës së Zogut

15:30 - 24.07.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bella Venezia” apo më vonë pastiçeri “Tirana” ishte një nga vendet më të frekuentuara në kryeqytet. Ajo drejtohej nga Petraq Toka dhe Dhimitraq Papa, bashkëpronarë në biznes dhe me lidhje familjare. I studiuar jashtë për pastiçer, Petraqi pati dhe ndihmën e familjes së të shoqes, Flora Tasellari (Toka), e cila rridhte nga familje pastiçerësh, kishte dhe të afërm që merreshin me këtë profesion. Çmimi i marrë në Bruksel, në vitin 1935, e kristalizoi pozitën e Petraqit si një ndër pastiçerët më të mirë në botë. Po kush është njeriu që përgatiti tortën me zambakë të dasmës së Mbretit Zog…




Pak histori
Petraq Toka lindi në Melan të Përmetit në 02.02.1888, fshat që në fund të viteve ’40 u braktis dhe banorët u shpërngulën kryesisht në Tiranë, por edhe në Greqi e Turqi. Familja e tij u shpërngul në Stamboll, ku punonte i ati, Apostoli, i cili kishte në pronësi toka bujqësore, në lagjen “Bajram Pasha”. Aty ai kreu studimet në shkollën unike greke. Pas shkollimit Petraqi u shpërngul në Egjipt ku mbaroi një shkollë franceze pastiçerie. Aty ai u lidh me një francez, pronar i një fabrike çokollatash, të cilin e ndihmoi shumë në biznes, duke e shpëtuar nga falimentimi. Së bashku kanë punuar si ortakë, si dhe kanë fituar një çmim për zbukurimet e tortave, zbukurime me trajtë trëndafilash. Në mes të viteve ’20 Petraqi u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Tiranë së bashku me familjen, e ishte pikërisht kjo kohë kur ai hapi dhe pastiçerinë “Bella Venezia”, e njohur më vonë si pastiçeri ‘Tirana’, që ndodhej mbrapa Muzeut Historik Kombëtar. Në fillim të viteve 30′ ata hapën dhe një restorant në Tiranë, te rruga e ‘Barrikadave’, përpara teqesë si dhe një pastiçeri të dytë “Bella Venezia” në Durrës, te rruga e portit, me bashkëpronar kushëririn e të shoqes, Misto Tasellarin.

Çmimi e torta
Në vitin 1935 themeluesit e pastiçeri “Bella Venezia” dërguan në Bruksel, në panairin ndërkombëtar të pastiçerisë, prodhimet e tyre të zakonshme në dyqan, biskota, amareta, çokollata dhe Marron glacé-në, të cilën e preferonte veçanërisht dhe ishte specialiteti i tij. Ata konkurruan me prodhimet e zakonshme të dyqanit dhe nuk përgatitën të tjera enkas për panairin. U vlerësuan nga një juri e përbërë nga 50 veta me çmim të parë dhe medalje ari për konfeteri dhe biskoteri. Ky ishte vlerësimi më i madh që mund t’i jepej pastiçerit në atë kohë. Nami i Petraqit shkoi deri te Mbreti Zog, i cili çdo porosi të tijën për ëmbëlsira e bënte të “Bella Venezia”. Mbreti kishte preferenca perëndimore për ëmbëlsirat; çokollatat, biskotat, konfeteritë dhe e preferuara ishte Marron glacé-ja. Ndaj në ditën e madhe të kurorëzimit me mbretëreshën Geraldinë, i kërkoi Petraqit t’i përgatiste tortën e dasmës. Veçantia e tortës ishte se pavarësisht përmasave të saj, ishte krejtësisht me përbërës pastiçerie, dhe nuk kishte strukturë mbajtëse. Çdo pjesë e saj, qoftë edhe ato lidhëset, ishin të ngrënshme. Trashëgimtarët e familjes Toka na tregojnë fotografinë ku duket djali i madh i Petraqit, Ngjeli, asokohe gjimnazist pesëmbëdhjetëvjeçar duke qëndruar pas tortës ditën e dasmës. Ai ishte caktuar të kujdesej për mirëmbajtjen e tortës gjatë transportit duke qenë se në përpjekjet e mëparshme kjo ishte prishur dy herë, për shkak se ishte delikate pasi i mungonte struktura mbajtëse. Të tjera fotografi të asaj kohe, ku paraqitet djali i Petraqit janë dhe fotografia e tij dhe të motrës me veshje kombëtare, si dhe një fotografi e Ngjelit me kushërirën e tij me veshje kombëtare të Përmetit. Pas viteve të çlirimit Enver Hoxha sulmoi pastiçerinë “Bella Venezia”, për shkak se aty mblidheshin revolucionarët. Pastiçeria është sulmuar te libri “Ditët kur lindi partia” shkruar nga vetë Hoxha. Në ato kohë familja u përball me largime nga detyra, transferime, etj. Pas luftës dyqani u shtetëzua. Drejtuesit e “Bella Venezia” dorëzuan vullnetarisht dhe pasurinë pasi ishin tregtarë të pasur. Petraqi u sëmur dhe punoi shumë pak, kurse Dhimitraq Papa, vazhdoi aktivitetin e tij te pastiçeria e hotel “Dajti”. Kjo është historia e Petraq Tokës njeriut që mban mbase të vetmen medalje ndërkombëtare të këtij lloji në Shqipëri, pastiçerit që ëmbëlsonte njerëz të thjeshtë e mbretër. Re.de


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Cudi si u rikthye ne kohe te Zogut ne Shqiperi kur njerzit s’kishin buke te hanin(c’eshte e verteta mish grosh e gjize, thone, qe kishin? Ka ndonje pasticier I riatdhesuar ne kohen e Enverit?

    Përgjigju ↓