EKONOMI

Gati projekti për krijimin e mekanizmit të zgjidhjes së ankesave të investitorëve

16:00 - 04.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sekretariati i Këshillit të Investimeve këtë vit u përfshi në një proces diskutimesh mbi kuadrin ligjor aktual ekzistues për investimet, si edhe për të lehtësuar procesin e përgatitjes së një kuadri ligjor të harmonizuar me praktikat e mira ndërkombëtare. Nga takimet e zhvilluara si në nivel ekspertësh, ashtu edhe nga diskutimet në mbledhjen e KI u vlerësua si shumë i rëndësishëm roli i mekanizmave shtetërorë për zgjidhjen e ankesave të investitorëve që në fazat e hershme të këtyre ankesave, si dhe mundësia për të përfshirë një mekanizëm të tillë në ligjin për investimet. Qëllimi i ngritjes së mekanizmave të tillë është dhënia e garancive ligjore për zbatimin e shtetit ligjor, zbatimit të parimit të parashikueshmërisë dhe të mundësisë efektivë që kanë investitorët për të vënë në vend të drejtat e shkelura apo të mohuara nga ana e administratës. Praktikat rajonale njohin disa modele për lehtësimin e punës së investitorëve.




Maqedonia dhe Kroacia nuk kanë një model të mirëfilltë të Modelit të Zgjidhjes së Ankesave ndaj investitorëve, sepse nuk kanë një ligj të veçantë për investimet e huaja. Serbia ka një model që përshkruhet kryesisht në mënyrë deklarative në ligjin përkatës për investime si garanci e përgjithshme për investitorët, por nuk është e qartë mënyra e trajtimit të ankesave, cilat ankesa mund të paraqiten apo afati i shqyrtimit të tyre. Greqia paraqet një model interesant të ‘Business Ombudsman’, të përshtatur nga viti 2013 në kuadër të ‘Enterprise Greece’ (Agjencia e Promovimit të Investimeve) me fokus jo zgjidhjen e çështjeve dhe ankesave si pjesë e ankimit administrativ, por në funksion të ndërmjetësimit për zgjidhjen e ankesave në fazën e tyre paraprake. Juridiksioni i ‘Business Ombudsman’ është i kufizuar vetëm sa u takon ankesave që lidhen me procedurat e licencimit të investitorëve. Këto mekanizma shikohen si pjesë e shërbimit të kujdesit (aftercare) të kryera nga Agjencitë e Promovimit të Investimeve apo institucione të tjera, të cilat ngrihen për qëllime të ndërmjetësimit të konflikteve midis investitorëve (biznesit) dhe administratës publike. Përgatitja e një modeli të caktuar lidhet me kuadrin ligjor dhe institucional në fuqi në një vend të caktuar si edhe mbi problematikat, që synohen të zgjidhen nëpërmjet zbatimit të një mekanizmi të tillë, duke mbetur kësisoj në varësi të vendimmarrjes së qeverisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.