KULTURË

At Gjon Shllaku kur mbronte Fishtën: Nuk e dorëzoi Shqipërinë

13:17 - 06.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Át Vitor Demaj, OFM Át Mirash Marinaj, OFM – Át Gjon Shllaku nuk asht i panjohun për publikun shqiptar. Njihet për veprimtarinë në “Hyllin e Dritës” dhe në Shtypshkronjën Françeskane, ku qe drejtor për disa vjet. E sidomos, për mprehtësinë me të cilën trajtoi shumë çështje kulturore, tue spikatë posaçërisht në publicistikë, filozofi dhe histori.
Nga nji shkrim i “Hyllit të Dritës” mësojmë se kishte dërgue për shtyp “Historinë e filozofisë”, vepër tejet e randësishme për jetën kulturore të shqiptarëve e cila, në rrethanat e persekutimit komunist, nuk dihet ku mund të ketë përfundue. Fat, që e pësuen edhe shumë shkrime të tjera. Urojmë që ndonji ditë të gjindet e të botohet.




Çka spikat ma shumë në gjithë veprën e Át Gjon Shllakut, asht gjuha e pasun, fjala e zgjedhun, mprehtësia intelektuale, dashunia për të bukurën, për Absolutin. Natyrisht në shkrimet e tij vendi kryesor i takon trajtimit të hollësishëm të problemeve sociale, politike dhe kulturore, që shtroheshin për zgjidhje në Shqipninë e kohës. Formimi dhe edukimi kulturor e intelektual qenë shqetësimi kryesor në shkrimet e të Lumit.
Në këtë vepër të parë të Át Gjonit përmblodhëm artikujt e botuem tek Hylli i Dritës, tue përfshi edhe studimin historik “Katholicizmi në Shqipní e anmiqt e tij para gjykatores së historis”. Ky shkrim i përgjegjej nji libri të Nikollë Ivanajt, me jehonë të madhe në gazetat e kohës. Përmes nji dokumentimi tejet të pasun, Át Gjon Shllaku i kallxon N. Ivanajt dhe mbarë botës shqiptare se Kleri katolik dhe bashkëpunëtorët tij, me në krye Luigj Gurakuqin, vepruen kurdoherë për ruejtjen e sovranitetit të vendit tonë. Kleri në përgjithësi dhe françeskanët në veçanti, punuen dhe vepruen si bij të atdheut, dhe jo si rrogëtarë. Rrogëtari punon për interesa personale, shkon aty, ku paguhet ma mirë, ndërsa biri punon me mish e me shpirt për të mirën e Atmes së vet.

Në kontributin e tij kulturor u shque në veprimtarinë për mbrojtjen e interesave kombëtare, për edukimin e rinisë, për çështjet sociale dhe për paralajmërimin e rrezikut të komunizmit, gjithnji shumë i damshëm për individin, familjen dhe shoqninë. Kur e arrestuen, në Itali, ndër sendet e tij personale, i gjetën edhe “Kapitalin” e Marksit. Jo rastësisht, në vitin 1938, sa qe drejtor i “Hyllit të Dritës” botoi shkrimin “Shka asht komunizmi”, në të cilin analizoi doktrinën komuniste dhe njiherit vuni në dukje të metat e saj. Ky studim i mirëfilltë rreth marksizmit mbetë gjithnji aktual. Shi në ketë shkrim, Át Gjon Shllaku pohon se komunizmi u nis si shkencë, por përfundoi si diktaturë, nën drejtimin fanatik të njerëzve të etun për pushtet që, për ta shue këtë etje, nuk ngurruen të flijojnë me miljona njerëz të pafajshëm. Shumë i vlefshëm, ky shkrim, për historinë e filozofisë.

Át Gjoni qe edhe drejtor i Shtypshkrojës së famshme françeskane, ku botoi shkrime të çmueshme të kulturës shqiptare. Ndër të tjera, vepra të Fishtës, i cili, si satirik i pashoq që ishte, shpesh krijonte situata nga ma gazmoret. Kallëxonte Át Aleks Baqli sesi nji herë, mbasi shkoi në shtypshkrojë për me dorëzue nji variant të “Gomarit të Babatasit” e nuk e gjeti aty drejtorin, i la mbas dere nji letër, ku shkruente: “ta kam lidhë gomarin për dere”.
Veprën e radhitëm kështu: historija flet kështu dhe publicistikë. Në përmbledhjen publicistike përfshimë artikujt kushtue ekonomisë politike, çështjeve shoqnore dhe filozofike. Nuk mungon artikulli polemik rreth alfabetit të Manastrit e as recensioni për fjalorin e Kolë Kamsit. Ndonëse Át Gjon Shllaku nuk qe gjuhëtar, këto shkrime flasin vetë për aftësitë e tij edhe në këtë fushë.

Jeta e Át Gjon Shllakut përfundon me martirizim. Qe vu me kohë në shënjestër prej komunistave, të cilët mezi pritshin ditën për ta arrestue e për ta pushkatue.
E pushkatuen me datën 4 mars, ende pa zbardhë drita. Dha jetën si martir i fesë.
Kushdo që do të lexojë mendimet rreth organizimit shoqnor, shkrimet filozofike, hulumtimet historike të të lumit Át Gjon Shllaku, do të vërejë menjëherë se në to spikasin tri fjalë: “Shqiptari – Frati – Shqipnia”. Dhe historia e Shqipnisë asht dishmitare e këtij trinomi të pandashëm, unjisue për idealet kulturore, shpirtnore dhe atdhetare.

Deri më sot nuk kemi pasë nji vepër të plotë, që përmbledh shkrimet e Át Gjon Shllakut. Me botimin, për herë të parë të veprës së tij, urojmë që kontributi i dijetarit françeskan të përhapet dhe të njihet në të katër anët e Shqipnisë, mbasi i lumi Át Gjon Shllaku na mëson se idealet shpirtnore dhe atdhetare janë shumë të çmueshme, të njinjishme me jetën e atij, që i jeton. Na kujtojnë gjithnji se Atdheu ndërtohet mbi themelet e botës shpirtnore, siç pohon Frati ynë:
“Veç nji kulturë shpirtnore e hapët âsht e zoja të lindë nji atdhedashtní, me të cillen të çmohen, të ruehen e të lavrohen karakteristikat e ndiesít kombtare, e mund të sht?j me bâ flije ta panumërta per të miren e atdheut”. E sidomos (na mëson) të mos bijm në kurthën “ku aventurierat e të çmendunt i bijn lodrës e na duertrokisim marrít e tyne…” .

PËRGJIGJA NDAJ IVANAJT
Historija flet kështu…. Katholicizmi në Shqipní e anmiqt e tij para gjykatores së historís. Përgjegje z. N. Ivanajt
“Dhe Ivanaj me xhambasllekun e vet të fort dhe me inteligjencën e tij të rallë ka mundur t’interesojë mbretët e princër, kryeministra e ambasadorë, diplomatë, e partira të ndryshme politike për çeshtjen shqiptare …. Ivanaj ka disa “lapsus” me dashje, ndofta pse sot nuk ësht çasti të thuhet gjithça ose pse do të botojë pjesën e dytë. Por ne jemi aq të pjekur politikisht sa t’a vemë gjishtin edhe në plagë, të degjojmë edhe të vërteta të hidhta. Prandej në kujtime historike ësht e mira të thuhet kurdoherë e terë e vërteta”.

(“Bashkimi i Kombit”, 9-II-1944 fq. 2)
Me këto fjalë, nder sa tjera, organi gjymsë – zyrtár i qeveris, Bashkimi i Kombit, i a paraqet publikut shqiptár librin e z. Nikolla Ivanaj “Historija e Shqipëniës së re, vuejtjet e veprimet e mija” të botuem në Tiranë vjetin e kaluem nga Shtypshkroja e Shtetit. Tue kenë pra se na paskemi mbërrijtun në nji pjekuní politike aqë sa t’a vemë gjishtin edhe në plagë, të dëgjojmë edhe të vërteta të hidhta si e don Bashkimi i Kombit, menduem të ndriçojm publikun me anën e dokumetavet qi kemi per doresh mbi disa ngjarje të historís s’onë kombtare të kohvet të fundit, të cillat ngjarje libri i naltpermendun i z. Nikolla Ivanaj i paraqet në nji dritë qi nuk ka me i marrun syt e mendt as kritikut historik të motevet qi do të vijn.

Z. Nikolla Ivanaj, në librin e vet, fq. 84-86, shkruen kështu:
“Ishte vala e zgjedhjevet politike per deputet në të parin Parlament të Shqipënisë lirë. Zgjedhjet ishin të lira persa i perkitët Qeveriës. Por mjerisht, shqiptarët ende s’ishin të lirë. Sidomos katolikët, të cillët – mbas urdhnit të Jezuitve: Perinde ac cadaver – porsi trupa të dekunish do t’i shtrohen urdhnit të tyne!… Dhe kjo rrethanë, sidomos tue qene katolikët në Shkodër me rrethi, në shumicën e madhe kishte randësi…
Prandej, si sbatues i këti urdhen, Atë Gjergj Fishta (në muejë të Dhetorit, 1919 në Paris, Place de la Madaleine, në sah. 23, në shoqni me Luigj Gurakuqin, e Lef Nosin) m’tha: “ti qi nuk binde, se i lypet Shqipniës Mandati i Italiës – je për tu lidhë dhe rrahë me konop të lagët!…” Dhe e vërteta asht se shokët e tij u çuditne ma teper se unë… Gurakuqi e dizaprovoj me gjithse – prej habijet – nuk e foli asnji fjale… Lef Nosi e kundërshtoj për “dënimin” tepër të randë… E si dihet mbas nji mueji kta me shokë të tjerë, ranë dhe u rrzuene keq fort… Mirë po në vend që, së paku, njeri i lidhun me konop (në shej të përvujtësiës, ndigiesës e vorfëniës) të tërhiqej, të shmangej për mos me e pa kush ma deri që të jen gjallë – ky zgjidhet për deputet!…

Per me kuptue mirë nëse këto thanje të Z. Nikolla Ivanajt a kanë vëlerë a jo, ma së pari lezuesi do t’a dijë se zotnija në fjalë âsht nji antár militant i Maffia-s masonike. Në kohen e sundimit të Shkodrës prej Nderkombtarëvet, zotni N. Ivanaj pat shkue, n’emen të dhetë shokvet tjerë, te Koloneli De Philipps me lypë auktorizimin e ndimat per çilëjen e nji lozhes masonike në Shkodër, shka i kje dhanë prej kolonelit anglez. Kryeipeshkvi katolik i Shkodrës Emz. Serreqi, pat bâ nji protestë te De Philipps-i për ketë punë. Arrsyeja âsht se Masonerija e Katholicizmi janë dy anmiq të papajtueshem njani me tjetrin.
… Ketë mënyrë veprimi, të cilen na e thrrasim dallkaukllek e ka ndjekun z. Nikolla sa e sa herë edhe në perpjekje me rrethe të Klerit katholik shqiptar, e sa per tregim per me i a qitun në mend z. Nikollës, po na kandet me i permendun rasen, kur nder të parat zgjedhje parlamentare të Shqipnis së lirë i pat ra nder gjuj per tokë (literalisht në gjuj e ani kû? Në rrugë të madhe!) Kryetarit të Françeskanvet t’atëherëshem, Át Pal Dodaj-t, tue e lutë qi t’a shtîte në listen e kandidatvet e t’i ndimote me dalun deputat. Edhe vjetin e kaluem, pakë javë para se të shtypëte librin e vet, pat ardhun në Shkoder e lypi ndimen e njij Prelati të Naltë per me u bâ antar i Këshillit të Naltë të Regjencës. Ketë taktikë levdohet vetë z. Nikolla se e ka ndjekun edhe me “Mbretin Nikitza, tue u mundue me rrejtë njeni tjetrin”.
… Rreth kësaj kohe pra, ndërsa Kleri katholik çfaqej botnisht para Konferencës së Pagjës krejtë ndryshej se thotë z. N. Ivanaj e se don me thanë artikull-shkruesi në Bashkimi i Kombit, atje në Paris disa shqyptarë luejshin disa lojë jo të bukura, të cillat u a kumton Dergata Shqiptare në Konferencen e Pagjës disa miqvet të vet në nji letër të gjatë 24 faqesh, kopja e së cillës ruehet n’arhivin t’onë. Prej kësaj letre e tjeravet, të cillat kemi me i botue kur të jetë nevoja, po nxjerrim nji copë qi ka të bajë me Vuejtjet e Veprimet e z. N. Ivanajt, e prej kah shihet se z. N. Ivanaj me të vërtetë e kishte urë e gurrë Serbín.

Dergata Shqiptare në Paris, e edhe Át Gjergj Fishta, si sekretar i sajë, tue u gjetun perball kercenimit të lakmivet të Jugosllavëvet e të Grekëvet në njanen anë, e në tjetren perball divergjencës s’interesavet qi kishte Italija me Jugosllavín, anuen e lypen ndihmen e Italís, por kurr nuk lypen mandatin ase protektoratin e sajë. E prandej edhe “L’Açademico Fishta dice di avere fin da quando si trovava a Versailles con la Delegazione del suo Paese, saputo di veder chiaramente la neçessità per l’Albania, di vivere sotto la protezione dell’Italia quasi un bastione avanzato per la perenne storica missione della cultura italiana e mediterranea nei Balcani; e ci aggiunge di non aver fatto un mistero di questa sua convinzione” fq. 86.

Z. Nikolla Ivanaj, mbasi mbahet për politikant do të dijë me dallue në fjalorin diplomatik mjes vivere sotto la protezione dell’Italia e sotto il protettorato dell’Italia, si don me ia njeshë ai P. Fishtës ketë shprehjen e mbrame vetem prej mënís e inatit, të frymëzueme prej sllavofilije së vet. Po të kishte lypun Fishta mandatin ase protektoratin e Italís kohen e Kongresit të Pagjës, do t’ia kishte thanë n’intervistë Aldo Brescani-t, por i thotë vetem vivere sotto la protezione dell’Italia, në nji kohë kur, ma heret a ma vonë, z. Nikolla Ivanaj hîte e delte te Comm. Meloni per t’a sjellun pllakën e politikes e ëer nxjerrjen e rrogës jetike së vet.

Se lypëja e ndimës e e mprojtjes s’Italís ka kênë e nevojëshme per shpëtimin e integritetin e tokës Shqyptare, e bâjn dishmi dokumentat e ndryshëshem, prej të cillëvet vetëm nji pakicë po biejm, per të perforcue thezen t’onë. Çëdo njeri mundet me pa prej studimit të tyne se padit e z. Nikolla Ivanajt kundrejt Dërgatës Shqiptare në Paris pergjithsisht, e kundrejt P. Gjergj Fishtës veçanërisht, si trathtarë italofilije, janë të pathemelta, rrena aventurjerash ambicjozë e puthadorësh jugosllavë.

Kështu, na po biejm dý letra të dergueme Dr. Turtullit nga Miss Durham, të cillën shpresoj se as z. Nikolla nuk mund t’a padisë për italofile a të shitun Italís. Këjo shprehet në të njajten mënyrë si Át Gjergj Fishta e misët tjerë të Dërgatës Shqiptare në Paris. Miss Durham – si shihet prej këtyne letravet – nuk e zotnote mirë frengishten.

Libri i Z. N. Ivanaj âsht në vetvedi nji absurditet, i cilli, kundrue vetem në pikëpamje të kritikës interne, paraqitet si i tillë. Kushdo qi ka mâ të voglin erudicjon historik, qyshë nder fletë të para të këtij libri, mund të shohë se ka të bajë me nji njeri, i cilli krejt historín e Shqipnís së kohvet të fundit e sjellë rreth vedit, me nji guxim mâ të madh se do të kishte mujtë me bâ Napoleoni per historín e Francës që prej rrevolucjonit deri në 1821.
Si mbas methodës së kritikës historike jemi mundue me e vû lexuesin drejt për drejt në përpjekje me dokumenta e me e bâ t’a shohë vetë si bijn poshtë pohimet e Z. N. Ivanajt per shka i perket, rreth kësaj perjudhe, veprimit të klerit e t’elementit katolik pergjithsisht e veçanërisht në Shqipní. Na âsht dashtun por me u kufizue, per arsye se ky kapitull i interesantshem i historís së kësokohshme të vendit t’onë ndr?n në vetvedi nji brumë mjaft të madh dhanash, kompleksiteti i të cillave nuk mund të parashtrohet me nji synthezë të shkurtë.

Nuk na çuditë aspak jehona me tingull sympathije qi i u bâ librit të Z. N. Ivanajt, perveç se në Bashkimi i Kombit, edhe nder rivista të reja (shif b.f. Revista Letrare, nr. 4, 5 ), pse, këto a janë shprehja e kjartë e mungesës së njij kulture të sens historique prej atyne qi pretendojn me ndriçue popullin, ase – shka âsht mâ zi – âsht zhberthimi perjodik i mënís së fanatizmit latent qi konkretizohet herë mbas here nder forma të ndryshme. Na i vejmë shej kësajë pune, sikurse u kemi vû shej me vemende të madhe, tash tetë muej e tektej, në shtypin kombtar, peshperitjeve kundrejt elementit katolik, sikur t’ishte ky gjojà pergjegjes per tragjedin e 7 Prillit e të shperdorimevet të bame prej Italjanvet në Shqipní. Per në kje se vijohet në ket mënyrë me u mendue nderimi ndaj lirin e shtypit, kemi me e ndie vedin të ngushtuem edhe na t’i lamë në njanen anë trajtat e delikatesës, pa kenë nevoja me ra aspak në pamfletizem, e me ndjekë këshillin e fletores Bashkimi i Kombit “tue vû gjishtin në plagë” -mbasi kenkemi “pjekun politikisht: sa duhet – për të provue serjozisht e dokumentisht ngjarjet, pergjegjsat e çfrytzuesat e 7 Prillit. Kujtoj, se as në ket pikë, nuk na mungon materjali.

Ndoshta dokumentat e perdorun prej nesh në ketë rasë, si edhe nder tjerat qi mund të vijn, ndokujt kanë me i vrá veshin e “gjishti i vûm në plagë” ká me e bâ me u pî, e atëherë, në të mujtun per me u perligjë, ka me dalë e me na thanë se na jemi tue u dhanë të huejvet në dorë argumenta qi ata mund t’i përdorin kundra nesh si shqiptarë. Na po u përgjegjemi këtyne zotnivet skrupoloz, qi skutavet e biravet formojn klika u a mbajn strajcen e tagjís disavet (sidomos kur këta të jenë katholikë) qi qesin shtjelma kundra Klerit e elementit katholik në Shqipní, na po u pergjegjemi e u thomi se të huejt nuk kanë nevojë qi këta dokumenta t’i dijn prej nesh, per arsye se konsullatat e ministrit e tyne këtu, në të kaluemen, e kishin të radhitun jetëshkrimin e deri shqiptarit gati mâ të humbunit. Historija e Shqipëniës së Ré e z. N. Ivanajt âsht nji parodí e asajë së njëmendtes qi ka me shkrue kritiku historik i ardhëshem, tue u pështetun sidomos nder burimet e arhivavet të Belgradit e të Romës!


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.