AKTUALITET

Altin Hazizaj: Alarmi, rreth 50 mijë fëmijë në Shqipëri detyrohen të punojnë

14:11 - 12.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Rreth 50 mijë fëmijë në vendin tonë janë të detyruar të punojnë, ndërkohë që 2600 prej tyre jetojnë në situatë rruge. Shifrat alarmante të publikuara nga INSTAT pak kohë më parë ka sjellë reagimin e organizatave që lobojnë për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Altin Hazizaj, drejtor i përgjithshëm i CRCA Albania (Children’s Human Rights Centre of Albania) tregon se financimet e qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve mbeten në nivele tepër të papërfillshme. Më tej, Hazizaj thekson se sipas studimit të BECAN, rezulton se mbi 50% e fëmijëve raportojnë dhunë fizike në familje, në një kohë që rreth 11% e tyre pohojnë se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale në familje dhe shoqëri.




Sa të mbrojtur janë fëmijët në vendin tonë? A ka një sistem funksional që i siguron ata?
Pavarësisht se Shqipëria ka bërë shumë ndryshime dhe përmirësime në drejtim të mbrojtjes së fëmijëve, përsëri jemi ende shumë larg të ngritjes së një sistemi funksional të mbrojtjes së fëmijës. Nëse do të duhej të jepja një përgjigje të shkurtër, ajo do të ishte: fëmijët në Shqipëri janë të pambrojtur dhe shpesh janë viktima të mosfunksionimit të shtetit dhe të të gjithë hallkave të tij. Rasti më i fundit i dhunës fizike dhe seksuale ndaj disa fëmijëve na kanë treguar sesa të paafta janë bashkitë që të mbrojnë fëmijët. Në nivel kombëtar, ne jemi thellësisht të shqetësuar që financimet e qeverisë për mbrojtjen e fëmijëve mbeten në nivele tepër të papërfillshme dhe për më tepër ato nga viti në vit kanë ardhur duke u ulur, duke treguar që fëmijët nuk janë një grup prioritar për qeverinë.

Sipas statistikave, sa është numri i fëmijëve që detyrohen të punojnë?
Të dhënat zyrtare nga INSTAT raportojnë nivele shqetësuese të punës dhe shfrytëzimit ekonomik të fëmijëve në Shqipëri. Rreth 7% e fëmijëve nën moshën 18 vjeç shfrytëzohen nga familjet dhe biznesi për punë të paligjshme, ose përafërsisht rreth 50,000 mijë fëmijë. Kjo shifër përfaqëson thuajse 50% të fëmijëve që Banka Botërore i raporton si fëmijë që jetojnë në nivelin e varfërisë, që është tregues i lidhjes që ka varfëria me punën dhe shfrytëzimin e fëmijëve. Ndërkohë që brenda këtij grupi, kemi edhe fëmijët që jetojnë në situatë rruge duke lypur, të cilët numërohen në rreth 2600 fëmijë.

Sa është numri i të miturve që kanë braktisur shkollën për shkak të pamundësive ekonomike të familjeve të tyre?
Braktisja e shkollës sipas shifrave zyrtare është e ultë në Shqipëri, ndërmjet 1-3 përqind. Ajo ç’ka përbën shqetësim për ne është braktisja e fshehtë e shkollës. Në shumë raste Rrjeti për Arsimin në Shqipëri ka ngritur shqetësimin e anëtarëve të tij që shumë fëmijë largohen nga bankat e shkollës, por ata deklarohen nga drejtorët sikur janë aty dhe kjo sepse rritja e braktisjes mund të shpjerë në pushimin apo largimin e tyre nga puna.

Si paraqiten shifrat e fëmijëve të dhunuar në vendin tonë? Sa mbrojtje ofron shteti në këto raste?
Sipas studimit të BECAN, që është studimi më i madh i kryer ndonjëherë në Shqipëri mbi dhunën ndaj fëmijëve, rezulton se mbi 50% e fëmijëve raportojnë dhunë fizike në familje. Rreth 11% e tyre raportuan se janë viktima të dhunës dhe ngacmimeve seksuale në familje dhe shoqëri. E megjithatë dhuna mbetet një ndër fenomenet që seriozisht shkatërron mirëqenien e fëmijës dhe ku shteti shqiptar (qeveria dhe bashkitë) nuk ofrojnë asnjë shërbim për mbrojtjen, kujdesin dhe rehabilitimin e tyre. Është e paimagjinueshme, por Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që nuk ka asnjë shërbim të financuar dhe mbështetur nga shteti për fëmijët që i mbijetojnë dhunës. Pavarësisht se ne si CRCA ka vite që i kërkojmë edhe Kuvendit edhe qeverisë që ta marrë seriozisht këtë çështje, fatkeqësisht jemi ende shumë shumë larg mbrojtjes së fëmijëve nga dhuna, kudo ajo ndodh. Nëse ka një gjë që mbase kjo qeveri do të mbahet mend është fakti sesa pak ka bërë ajo për të mbrojtur fëmijët!

A ka fëmijë të trafikuar në Shqipëri? Nëse po si shfrytëzohen këta të mitur?
Para pak ditësh së bashku me ECPAT Shqipëri, ne kemi bërë një reagim publik për të kërkuar një përgjigje me të fuqishme nga ana e qeverise dhe institucioneve në lidhje me këtë fenomen shkatërrues të fëmijëve. Po ka trafikim të fëmijëve! Shqipëria mbetet një ndër vendet kryesore të origjinës të trafikimit të fëmijëve në Europë, sidomos në Britaninë e Madhe. Edhe raporti më i fundit i Departamentit të Shtetit ndante të njëjtin shqetësim me ne, atë të mungesës së arrestimeve dhe dënimeve të kujtdo që trafikon dhe shfrytëzon fëmijët. Në Shqipëri ka dy forma kryesore të trafikimit të brendshëm: për lypësit dhe për prostitucion. Raportimet nga komunitetet ku ne punojmë na tregojnë se prostitucioni i fëmijëve të varfër dhe të pambrojtur, që vijnë nga familje abuzive apo të shkatërruara, është gjithnjë e në rritje.

A duhen bërë ndryshime në ligjin për mbrojtjen e fëmijëve?
Jo, pasi ligji i ri u miratua tani vonë dhe ende nuk i është dhënë mundësia të zbatohet si e sa duhet. Jo vetëm qeveria, por sidomos bashkitë kudo në vend, janë ende tepër larg të të kuptuarit dhe të zbatuarit të ligjit të ri të fëmijëve! Mendoj, në fakt, që ka ardhur koha që si në çdo vend të Europës edhe Shqipëria të ketë një Ministri për familjen që të jetë përgjegjëse për të gjitha këto çështje e shqetësime që ne po çojmë.

Cila është thirrja juaj ndaj instancave përkatëse lidhur me të drejtat e fëmijëve në vendin tonë?
Shqipëria në vitin 2019 do të raportojë për herë të tretë për situatën e të drejtat e fëmijëve në OKB. Përtej kësaj Shqipëria do të raportojë edhe për UPR (universal periodic review) ku fëmijët zënë një rol tepër të rëndësishëm. Dy raportet e para çojnë disa shqetësime tepër serioze në lidhje me mbrojtjen e fëmijëve. Unë nuk besoj se hera e tretë ka për të qenë e lehtë dhe mendoj se qëndrimi i OKB-së ka për të qenë tepër kritik në këtë aspekt. Nëse kam një thirrje sot për çdo politikan dhe institucion, ajo do të ishte: Mos humbisni kohë për të mbrojtur fëmijët! Një fëmijë pa të sotme nuk ka të ardhme!

Çfarë është CRCA dhe cili është misioni i saj?
CRCA Shqipëri është organizata kryesore për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri. Ne ka tashmë 21 vjet që i jemi dedikuar avokatësisë dhe denoncimit të çdo shkelje e mosveprimi të shtetit shqiptar për të respektuar, mbrojtur dhe garantuar të drejtat e fëmijëve dhe të të rinjve në Shqipëri. Motivimi i CRCA-se bazohet në thënien: “Duke punuar të gjithë së bashku, ne mund të ndërtojmë një Botë më të mirë për fëmijët dhe të rinjtë.” Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri (CRCA) punon për të promovuar respektimin e të drejtave të fëmijëve dhe të rinjve, për t’i mbrojtur ata nga dhuna, abuzimi dhe shfrytëzimi, për të zhvilluar të drejtat e fëmijëve dhe të rinjve në Shqipëri, për të rritur pjesëmarrjen e fëmijëve dhe të rinjve në nivelin kombëtar dhe lokal, nëpërmjet lobimit dhe avokatësisë, përmirësimit të politikave dhe legjislacionit, ngritjes së kapaciteteve, informimit dhe hulumtimit, si dhe krijimit të modeleve të mira të shërbimeve për kujdesin dhe mbrojtjen e fëmijëve.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.