EKONOMI

Paraja në qarkullim vijon të tkurret, ra me 1.2% në tremujorin e dytë

18:00 - 12.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ekonomia këtë vit është rritur me ritmet më të larta, punësimi gjithashtu, por në kundërt të këtyre zhvillimeve, qarkullimi i parasë në ekonomi vijon të bjerë. Banka e Shqipërisë raportoi se treguesi i parasë në monedhë vendëse, agregati M2, vijon të shfaqë tkurrje në terma vjetorë.




Ai ka thelluar normën vjetore të tkurrjes në 1.2% mesatarisht në tremujorin e dytë të vitit. Banka e Shqipërisë analizon se ecuria e ofertës monetare vijon të kushtëzohet nga financimi i pakët i qeverisë me mjete monetare të brendshme. Kontributi i kredisë për sektorin privat në rritjen e masës monetare mbetet gjithashtu në nivele të moderuara, duke reflektuar aktivitet kreditues ende të plogësht. Kushtëzimet në rritjen e masës monetare, në kahun e pasivit të sistemit bankar, vijojnë të reflektojnë ndryshimet strukturore të zhvendosjes së depozitave në maturitete mbi dy vjet.

Ekspertët e Bankës sqarojnë se ecuria e këtij treguesi reflekton nga njëra anë krijimin e ulët të parasë në lekë dhe nga ana tjetër ndryshimin e pjesshëm të formës së mbajtjes së kursimeve të individëve: nga depozita nën dy vjet, në depozita me afat maturimi mbi dy vjet dhe në një masë më të madhe, në investime në letra me vlerë të qeverisë. Duke e rregulluar për këtë efekt, norma vjetore e agregatit M2 shfaq rritje me 1.5% vit mbi vit.

Gjithashtu, agregati i parasë likuide, M1, ka shënuar ngadalësim të ritmeve të rritjes, në 4.1% në terma vjetorë mesatarë. Paraja jashtë bankave në fund të muajit qershor përbën rreth 35.8% të agregatit M2, ose rreth 27.3% të agregatit M2 të rregulluar. Paraja e gjerë në ekonomi ka vijuar të zgjerohet me ritme të moderuara në tremujorin e dytë të vitit. Korrektuar për kursin e këmbimit, norma vjetore e rritjes së agregatit M3 është luhatur rreth vlerës 2%, në ngadalësim të mëtejshëm krahasuar me një tremujor më parë. Në kahun e aktivit të sistemit bankar, krijimi i parasë në ekonomi është mbështetur nga zgjerimi i mjeteve valutore neto të sistemit bankar, të cilat bartin efektin kryesor të mbiçmimit të monedhës vendëse.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.