Nostalgji

Nostalgji/ E dashura e Erion Korinit, Marvina rrëfen ngjarjen: Si më rrahu Erioni (foto)

14:00 - 13.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Reagon e dashura e Erion Korinit, Marvina rrëfen ngjarjen: Si më rrahu Erioni




Pasi ka lexuar intervistën e Erion Korinit në “Gazeta Shqiptare”, Marvina, ish-e dashura e tij ka ardhur në redaksinë tonë për të folur. Ka qenë më shumë se e indinjuar, ndërsa shenjat në sy e detyronin të mbante një palë syza të mëdha. Por shenjat ishin gjithandej në krahë e në këmbë, ndërsa kokën dhe fytyrën e kishte ende të ënjtur. E shokuar, ajo ka risjellë ngjarjen e asaj dite kur Erioni, pasi e dhunoi po e çonte drejt një krimi makabër.

Dje në “Gazetën Shqiptare”, Erioni pohoi se ju kishte rrahur, por se ju i kishit bërë kurth atij…
Më ka rrahur edhe më parë dhe kam pasur frikë të rrija me të. Kam pasur frikë të rrija në shtëpi prej tij. Nuk kam ndër mend ta tërheq denoncimin. E ka bërë shumë herë këtë gjë. Ai thoshte në intervistë se gjoja i kam ngritur kurth, por e vërteta është ndryshe. Duke qenë se ai ushtronte dhunë të herëpashershme, unë vendosa të iki nga shtëpia ku bashkëjetonim. Kisha katër ditë që isha larguar dhe sa kisha gjetur një shtëpi tjetër ku të jetoja. Ai më mori në telefon dhe fillimisht m’u lut të kthehesha në shtëpi, duke më thënë “shpirti hajde, nuk rri dot pa ty etj”; kur e pa që unë nuk reagoja me të tilla fjalë, më tha që ‘nëse nuk vjen për 15 minuta në shtëpi, unë do t’i hedh të gjitha gjërat e tua nga dritarja’. U detyrova të shkoj në shtëpi dhe e kam gjetur në gjendje të dehur.

Si ndodhi ngjarja? Për ç’motiv ju rrahu?
Siç e thashë më sipër, unë kisha vendosur të ikja sepse nuk mund të jetoja më me atë. Pasi kam hyrë në shtëpi më priti mirë, por menjëherë mbylli derën me çelës dhe hoqi çelësin nga dera. Sapo hoqi çelësin, e kuptova që do të më rrihte. Më tha të shkoja në banjë dhe hapi dushin me ujë të ftohtë. E kishte zakon që kur më rrihte të bënte këtë gjë, si në filmat ku keqtrajtohen prostitutat. Edhe sikur t’i kisha bërë gjënë më të keqe atij njeriu, nuk rrihet një femër ashtu. Për katër orë rresht më ka rrahur me grushte në kokë, në fytyrë, në gjithë trupin. Më ka nxjerrë dhe thikën e ma ka vënë në fyt. Vetëm më lër të jetoj, i thosha. Ulërija që të dëgjonin komshinjtë, por asnjë nuk reagonte.

Çfarë ndodhi kur shkuat në shtëpi?
Jo thjesht më ka rrahur, por më ka dhunuar. Nuk thuhet me fjalë, por trupi dhe fytyra ime është ende me shenja. Në kokë më ka goditur kushedi sa herë. Jam transformuar.

Është e vërtetë se ishit posesive dhe i kontrollonit telefonin?
Erioni nuk të linte t’ia prekje telefonin, e jo më ta kontrolloja. Ka qenë një rast para pak kohe, kur më dha një telefon të vjetër të tijin që të fusja kartën time dhe aty kam gjetur mesazhet e ish-të dashurës së tij dhe për këtë jam rrahur keq. Erioni të rrihte edhe për një gjë koti, për një pikturë që nuk më pëlqeu pse ishte diku. Nuk e kuptoj pse nuk e kanë denoncuar më parë. Mendoj se ka qenë i dhunshëm gjithmonë me femrat.

Po familja juaj si ka reaguar?
Çfarë mendoni, se është kaq e thjeshtë që një 24-vjeçare të arrijë drejt vetëvrasjes, si mendoni se si mund ta ketë pritur familja ime?! Më vjen inat kur njerëzit flasin gjëra të pavërteta, por të gjithë e dinë se Erioni është i dhunshëm me femrat (të dashurat që ka pasur). Sigurisht që prindërit e kanë pritur shumë keq, por edhe më kanë qëndruar shumë pranë. Unë e kam mamanë sëmurë dhe ajo edhe më parë më thoshte, nuk është për ty. Kur kam ikur një herë nga shtëpia pasi më rrahu, më erdhi dhe më lutej duke më thënë se do ndryshonte, madje më betohej edhe në emër të familjes së tij se këto veprime i kishte bërë ngaqë ishte i papunë. E besova se do ndryshonte dhe u ktheva tek ai. Por vazhdoi e njëjta gjë me të. Ai nuk ndryshon. Është i dhunshëm.

Vinte në shtëpi shpesh i dehur?
Erioni pinte shpesh dhe jo vetëm raki dhe pije alkoolike.
Më vjen keq që shteti shqiptar nuk bën asnjë gjë për femrat e dhunuara. Një vajzë është rrahur dhe dhunuesi është në gjendje të lirë.

Ky shkrim u botua më 19 Qershor 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.