KULTURË

Diaspora, nga arbëreshët e Skënderbeut te shqiptarët e anijes “Vlora”

16:40 - 14.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me Muzeun e Kosovës çelën në Prishtinë ekspozitën “Unë jam shqiptar”, ku shfaqen materiale fotografike mbi diasporën shqiptare. Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të kalendarit të përbashkët kulturor ndërmjet dy qeverive në festimet e 140-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit dhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, si ngjarjet të shënuara të kombit shqiptar.




Ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite e përshëndeti ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës, Kujtim Gashi, i cili tha se, “ekspozita trajton një përmbajtje kuptimplote dhe barabarësisht të njëjtë si për Kosovën ashtu edhe për Shqipërinë, siç është diaspora shqiptare. Ekspozita të tilla janë dëshmi e një hapësire shumë të madhe që ekziston për të thelluar bashkëpunimin dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta në të ardhmen”.

Në fjalën e tij të rastit, drejtori i Muzeut Kombëtar, dr. Dorian Koçi pasi bëri një përshkrim të shkurtër të ekspozitës tha: “Diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Në shumë nga vendet mikpritëse emigrantët kanë themeluar shoqatat e tyre”.

IMAZHE E KOHË
Ekspozita hapet në mënyrë kronologjike me fotografinë e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skën-derbeut, si përfaqësues i epokës që shënoi valëve të para të mëdha të emigrimit shqiptar. Vijojnë arbëreshët e parë me ngulimet e tyre në Italinë e Jugut. Diaspora shqiptare dha kontribute të shquara në lëvizjet kombëtare në shtetet ku u vendos. Arvanitasit u dalluan si luftëtarë të guximshëm të Revolucionit Grek të vitit 1821 dhe nxorën nga gjiri i tyre figura të tilla si Bubulina, Teodor Kolokotroni, Andrea Miauli, Odise Andruco etj. Në Itali Garibaldi i quan arbëreshët heronj të lëvizjes çlirimtare italiane dhe për bashkimin e vendit. Gjatë pushtimit osman, sidomos në Rilindjen Kombëtare, kolonitë shqiptare mbajtën lidhje të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë kontribute të shquara në lëvizjen kombëtare dhe shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Rilindësit e mëdhenj që nga Naum Veqilharxhi, Jeronim De Rada, princesa rumune me origjinë shqiptare Elena Gjika ose Dora D’Istria, Andon Zako Çajupi, Thimi Mitko, Fan Stilian Noli, Faik Konica ishin personalitete të shquara të diasporës në hartimin e programit të Lëvizjes Kombëtare shqiptare, në zhvillimin e arsimit dhe të kulturës, në krijimin e shoqërive patriotike etj. Kolonitë shqiptare vazhduan veprimtarinë e tyre edhe pas krijimit të shtetit shqiptar. Ato e mbështetën atë hap pas hapi në rrugën e gjatë të konsolidimit të tij, të afirmimit në botën ndërkombëtare për demo-kratizimin dhe lidhjet e tij me popujt e tjerë etj. Emigranti i parë i identifikuar në SHBA është moment i rëndësishëm në ekspozitë, duke vijuar me fotografi të shoqërive të para patriotike në Sofje, Bukuresht, Kajro, Stamboll e Vjenë. Diaspora shqiptare pasqyrohet nëpërmjet fotografive të protagonistëve të saj, fotografi të themeluesve të shoqërive patriotike, si të Fan S. Nolit, Faik Konicës, Mit’hat Frashërit.

Emigracioni i punës në Shqipëri arriti kulmin në fund të shek. XIX dhe fillimit të shek. XX, të shkaktuar nga proceset e industrializimit dhe urbanizimit të shpejtë në shumë vende evropiane dhe në Amerikën e Veriut. Gjatë gjithë kësaj periudhe, një numër i madh i shqiptarëve emigruan për arsye politike dhe ekonomike, si: Gjon Mili, Stavro Skëndi, Xhon Belushi e Sten Dragoti. Në mars të vitit 1991, pas rënies së diktaturës dhe zgjedhjeve të para demokratike, vetëm pak ditë, më shumë se 24,000 shqiptarë lundruan drejt brigjeve të Italisë. Kjo ngjarje konsiderohej si një krizë kombëtare për Italinë dhe Shqipërinë. Këto ngjarje pasqyrohen me fotografi nga momentet e refugjatëve në Ambasadën Gjermane si dhe largimi i tyre nëpërmjet portit të Durrësit duke përdorur anijen “Vlora”. Mijëra e mijëra qytetarë u larguan duke lënë pas atdheun e tyre, tokën, shtëpinë dhe të afërmit. Diaspora e re bën përpjekje të mëdha për t’u integruar me sukses në jetën ekonomike, politike dhe kulturore të vendeve pritëse, ndikon në zhvillimet e Shqipërisë dhe shërben si urë lidhëse ndërmjet vendit amë dhe vendeve pritëse. Pjesa tjetër e ekspozitës, por jo më pak e rëndësishme, prezantohet nëpërmjet fotografive nga personalitetet e suksesshme shqiptare në vendet e emigrimit të tyre. Diaspora shqiptare në shumë raste e pasuruar me elementë të rinj dhe të shkolluar në perëndim dha ndihmesë në pluralizmin e ideve dhe të gjithë opinionit publik. Ekspozita “Unë jam shqiptar” do të qëndrojë e hapur deri më 31 gusht 2018 në ambientet e Lapidariumit të Muzeut të Kosovës.

Gjatë vizitës në Muzeun e Kosovës, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, dr. Dorian Koçi, zhvilloi edhe një takim me Ushtruesin e Detyrës së Drejtorit të Muzeut të Kosovës, Bislim Bislimi, ku u fol për thellimin e bashkëpunimeve të ndryshme mes dy muzeve, si edhe për organizimin e të tjera aktiviteteve shkencore apo dhe ekspozita. fa.ni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.