OPINION

Nga «Birra Korça Fest» te diplomacia kulturore

07:30 - 15.08.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Më 8 – 12 gusht u organizua për të 12 vit radhazi Festa tradicionale “Birra Korça”. Ajo përkoi me 90-vjetorin e fillimit të prodhimit të kësaj marke emblematike që ka vazhduar pa ndërprerje deri ditët e sotme. Duke u bashkuar me vlerësimet e shumta pozitive, dua të veçoj meritën e madhe të drejtuesve të kompanisë me emër dhe organizatorëve që e kthyen atë në një festival të vërtetë të kulturës me përmasa shumë më të gjera e ku “Birra Korça” ishte sebepi dhe lezeti i asaj feste.




Falë dhe pjesëmarrjes rekord me mbi 100.000 vetë, Korça u kthye për një javë rresht në një Mynih të vogël dhe në një “October Fest” bavarez me origjinalitetin e vet.

Prania dhe e mijëra turistëve, vizitorëve dhe personaliteteve të huaja nga shumë vende ishte dëshmi bindëse e përpjekjeve të shumta të drejtuesve të saj për të zgjeruar gjeografinë e “Birra Korça Fest”.

E theksojmë këtë element jetik, sepse veç vlerave të tjera birra “Korça” bashkë me kulinarinë dhe pijet tona elitare është bërë kartëvizitë tërheqëse edhe për diplomacinë tonë; dimensioni kulturor i kësaj të fundit nuk mund të jetë i plotë pa i përfshirë ato shumë më gjerë se deri tani në veprimtarinë e saj sidomos jashtë vendit.

Përvoja moderne diplomatike, siç e kam përmendur dhe në librin “Diplomacia për të gjithë ( 2014) tregon me plot shembuj se delikatesat kulinare dhe pijet elitare i kanë kaluar me kohë kufijtë e zakonshëm të një procesi biologjik dhe konsumi. Ato janë bërë marka dhe shenja dalluese të identitetit, kulturës dhe krenarisë të një shteti. Përmend, bie fjala, “spageti, parmesan, paella, salsiçe, kavjar, schnitzel, sushi, frite” dhe vështirë se do të ketë njeri që nuk njeh vendet që ato përfaqësojnë me imazhin dhe vlerat/traditat shoqëruese. Veç kësaj, ato janë kthyer në ideologji dhe simbole të një sistemi dhe mënyre jetese, institucione të vërteta të kulturës, imazhit dhe turizmit me ndikim jo vetëm në cilësinë dhe standardet e jetesës, por dhe në negociatat dhe proceset e ndryshme politike dhe diplomatike.

Sa për ilustrim, “October Fest”-i i famshëm gjerman filloi dhe si festë birre 140 vite më parë, por shpejt ai u bë një festë shumë më e gjerë popullore, demonstrim i njohur ndërkombëtar i vlerave dhe traditave më mira të Bavarisë së mirënjohur. Sapo Sarkozi u zgjodh President i Francës më 2007, ndër projektet e para të suksesshme ishte shpallja e gastronomisë franceze si trashëgimi kulturore e UNESCO-s; kurse Belgjika e ka bërë këtë për birrën e saj elitare me 800 lloje, si një nga tempujt e kulturës së saj.

Nisur nga sa sipër, prania e pijeve tradicionale dhe me emër sidomos shampanja, vera, birra, konjaku, etj. është “Must”, pra domosdoshmëri në koktejet, bufetë dhe pritjet diplomatike, festimin e Ditës Kombëtare jashtë vendit, etj.

Gjithashtu, ato janë bërë pjesë përbërëse e veprimtarisë së diplomacisë së sotme, ku pas shijimit të specialiteteve të ndryshme kulinare, interesi, klima dhe atmosfera e nevojshme për trajtimin dhe të çështjeve më delikate bëhet më i madh.

Një koleg diplomat në Bruksel më tregonte se gjatë Presidencës së radhës të BE-së në vitin 2011 Hungaria i ishte kushtuar rëndësi të posaçme pranisë së verës së saj të njohur “Tokay”. Ajo kishte qenë në “krye të vendit” në të gjitha ato qindra takime, kokteje, veprimtari dhe festa. Në nëntor 2013, gjigandi i televizionit italian, Bruno Vespa erdhi në Tiranë për të dytën apo të tretën herë, për të bërë degustimin e një vere puljeze në ambasadën italiane në Tiranë!

Tanimë është bërë praktikë e zakonshme në metropolet kryesore të botës që shumica e përfaqësive diplomatike, përfshirë dhe ato të vendeve më të vogla se ne të organizojnë mbrëmje të posaçme për degustimin e verës dhe pijeve të tjera cilësore. Ambasada e Maqedonisë në vendet kryesore të botës, në shumë ftesa, nuk harron të përmendë se aktiviteti do të mbyllet me verë vendase, që ka efektet e saj për një prani më të madhe.

Ja pse, jehona tingëlluese e “Birra Korça Fest” shërben si shtysë dhe nxitje për më tej, përfshirë dhe “eksportin” e kësaj veprimtarie jashtë vendit. Mbi bazën e përvojës sonë diplomatike, sidomos deficiteve në këtë fushë, pa qenë nevoja për analiza akademike, më poshtë po japim disa sugjerime konkrete mbi forcimin dhe pasurimin e dimensionit kulturor të diplomacisë sonë me ngjarje dhe marka të tilla si “Birra Korça”.

Le ta fillojmë me mundësinë e saj për të qenë e pranishme në “Festivalin Ndërkombëtar të Birrës” që zhvillohet prej 22 vitesh çdo gusht në qendër të Berlinit. Në fakt, ai është kopshti më i madh i birrës në botë me 2,2 km gjatësi, duke hyrë dhe në Librin e Rekordeve Guinnes. Gjatë tri ditëve, aty konsumohen 2400 lloje birra të 350 birrarive nga 90 vende të botës, me mbi 800.000 vizitorë. Birra shoqërohet me këngë dhe muzikë në të 19 skenat e ngritura me këtë rast. Sivjet e ftuara e nderit ishte Zelanda e Re me logon “Birrë nga pjesa tjetër e botës”. E tepërt të komentojmë efektet e mëdha të pranisë së birrës “Korça” apo dhe “ shoqeve“ të saj në këtë paradë të birrës, si pjesë e kulturës botërore.

Së dyti, është plotësisht e mundur që me mbështetjen e ambasadave tona, Dhomave të Tregtisë, Agjencive të Turizmit dhe kompanive prodhuese të birrave dhe pijeve të tjera cilësore të organizohen në disa prej metropoleve kryesore evropiane minifesta si ajo e Korçës apo dhe Festa të Verës shqiptare. Si fillim, kjo mund të bëhet në lokalet prestigjioze të bashkatdhetarëve ose dashamirësve tanë të huaj ose në vende dhe sheshe të njohura, të shoqëruara me këngë, valle dhe muzikë tradicionale dhe moderne me grupet amatore si dhe të ardhur nga Shqipëria.

Prania e Tiranës dhjetorin e kaluar në Panairin Ndërkombëtar të Dimrit 2017 në Bruksel ku pijet tradicionale ishin “Mysafir i Nderit” dëshmuan se me një kujdes më të madh suksesi në këtë fushë deficitare është i garantuar.

Këto ditë ose javë festive mund të organizohen dhe me rastin e panaireve/ekspozitave tregtare apo festivaleve kulturore ku si diplomatë, me ndonjë përjashtim të rrallë jemi ndjerë ngushtë, sepse e vetmja gjë e shumëdëshiruar, por që ka munguar kanë qenë delikatesat dhe pijet shqiptare. Në shumë raste, organizatorët e një aktiviteti kërkojnë nga Ambasada vetëm ndonjë pije ose delikatesë, sa për lezet“ madje dhe me pagesë e që nuk u realizohet. Mundësi të tjera të mira janë dhe vizitat e drejtuesve tanë të lartë jashtë vendit, ku ky aspekt lihet padrejtësisht “prapa liste”; si diplomat, në jo pak raste më ka ndodhur që gjatë koktejit përmbyllës me rastin e një vizite të nivelit të lartë, duke shijuar verën e ofruar të ftuarit tanë janë zhgënjyer kur kanë dëgjuar se ajo nuk është shqiptare. Vërtet që vera e huaj mund të jetë më e mirë dhe markë më e njohur, por kur ajo është “shqiptare” i tejkalon avantazhet e kujtdo marke. Sepse siç u tha, birra “Korça” krahas freskisë dhe shijes përcjell më shumë historinë, traditat, kulturën dhe vlerat e popullit dhe shoqërisë së saj.

Në këtë drejtim, me gjithë hapat dhe arritjet duhet të bëjë shumë më tepër MPJ-ja jonë për të mbështetur sidomos Përfaqësitë tona kryesore diplomatike. Në fund të viteve ’90 rifilloi dërgimi nëpër ambasada jashtë vendit i sasive të caktuara me pijet tona tradicionale – verë, raki, birrë e konjak, të cilat servireshin në kokteje e pritje dhe në raste të vizitave të ambasadorëve dhe personaliteteve të ndryshme. Për fat të keq, kjo praktikë e dobishme ka vite që është ndërprerë.

Për realizimin e këtyre hapave me gjithë problematikën ekzistuese pengesa kryesore nuk janë fondet financiare, por mungesa e vlerësimit të duhur të këtij aspekti dhe shikimi thjesht e vetëm nga ana kontabile. Për më tepër, MPJ ka nënshkruar disa marrëveshje me Dhomat e Tregtisë, Agjencitë e Turizmit dhe prodhues të ndryshëm që kanë mbetur “të fjetura” dhe që do të ndihmonin mjaft në zgjidhjen e këtij aspekti të rëndësishëm të diplomacisë sonë në përgjithësi dhe dimensionit kulturor në veçanti.

Së fundi, dhe më e rëndësishmja, sado të mëdha të jenë shpenzimet për sa sipër, sërish ato mund të llogariten dhe përballohen me këtë bashkëpunim; por në çdo rast ato janë shumë më të vogla se përfitimet për imazhin e vendit të cilat janë të pallogaritshme. Ja pse festa dhe marka të tilla si “Birra Korça” duhet të bëhen sa më shpejt e më shumë pjesë e pandarë e dimensionit kulturor të diplomacisë sonë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.