BOTA

Zelanda e Re ndalon me ligj shitjen e shtëpive tek të huajt

19:31 - 15.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Qeveria e Zelandës së Re e ka ndaluar shitjen e shtëpive ekzistuese për blerësit e huaj, duke thënë se zelandezët janë lodhur nga fakti se janë “qiramarrës në tokën e tyre”.




Ministri i Financave David Parker tha se ndalimi do të thotë që strehimi do të bëhej më i volitshëm për vendasit.

“Ne mendojmë se tregu për shtëpitë dhe fermat e Zelandës së Re duhet të vendoset nga blerësit e Zelandës së Re, jo blerës nga jashtë shtetit”, tha Parker në një intervistë me Guardian.

“Kjo bëhet që të përfitojnë vendasit, të cilët janë motorri i ekonomisë së Zelandës së Re dhe do të paguajnë taksat këtu e të kenë familje këtu. Ne nuk mendojmë se ata duhet të pengohen nga njerëzit më të pasur që vijnë nga jashtë“.

Në një fjalim në parlament të mërkurën ai tha: “Nuk duhet të jemi qiramarrës në tokën tonë”.

Vetëm një e katërta e të rriturve në Zelandën e Re zotërojnë shtëpinë e tyre, krahasuar me gjysmën e vitit 1991 dhe në pesë vitet e fundit janë rritur shifrat e të pastrehëve, me disa zelandezë të rinj të detyruar të jetojnë në makina, garazhe dhe nën ura.

Një raport i “Economist” në vitin 2017 zbuloi se Zelanda e Re kishte çmimet më të papërballueshme në botë, ndërsa çmimet në Auckland u rritën me 75% në katër vitet e fundit, megjithëse tregu është ftohur gjatë muajve të fundit.

Ndalimi aplikohet për të gjitha kombësitë, përveç blerësve nga Singapori dhe Australia.

Zelanda e Re është bërë një destinacion për blerësit kinezë, australianë dhe aziatikë dhe ka fituar reputacion si një strehë për të pasurit e botës, të cilët e shohin atë si një strehë të sigurtë nga një konflikt i mundshëm bërthamor, rritja e terrorizmit dhe trazirave civile ose thjesht si një vend për t’u larguar nga të gjitha.

Shitjet e tokës për blerësit e huaj u bënë nën qeverinë e mëparshme të qendrës së djathtë Kombëtare, me 465,863 hektarë (1.16m akra) të blera në 2016, një rritje pothuajse gjashtëfish. Kjo është e barabartë me 3.2% të tokës bujqësore në një vend prej 4.7 milion banorësh.

Sipas shifrave më të fundit nga statistikat e Zelandës së Re, 3.3% e shtëpive të shitura në tremujorin e fundit ishin për të huajt, me shumicën e blerësve kinez, të ndjekur nga australianët. Banorët nga Britania e Madhe, SHBA dhe Hong Kong ishin gjithashtu ndër blerësit më të mëdhenj të pronës.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.