AKTUALITET

Kreditë e buta, nesër afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit

12:50 - 16.08.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Nesër është afati i fundit i dorëzimit të dokumentacionit për të gjithë ata që janë shpallur fitues në fazën e parë të aplikimit për kreditë e buta në kryeqytet. Sipas vendimit të Bashkisë së Tiranës, mbi fazën e dytë të programit social “Subvencionimi i interesave të kredisë”, zbardhur pak kohë më parë nga “Gazeta Shqiptare”, 17 gushti i këtij viti është afati i fundit i pranimit të dokumenteve. “Fituesit e fazës së parë duhet të dorëzojnë dokumentet nga data 16.07.2018 deri më 17.08.2018 pranë Sektorit të Informimit dhe Shërbimeve për Qytetarët në Bashkinë Tiranë”, – thuhet në njoftim. Aplikuesit duhet të tregojnë shumë kujdes, pasi nëse nuk dorëzojnë dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar, humbasin mundësinë për të fituar shtëpinë me kredi të butë. Bashkia e Tiranës thekson se nuk do të ketë një fazë tjetër për dorëzimin apo pranimin e dokumentacionit.




Kategoritë përfituese
Ky program u vjen në ndihmë të gjitha çifteve të reja, të cilat kanë një nivel të caktuar të ardhurash nga punësimi dhe dëshirojnë të blejnë një shtëpi, por e kanë të pamundur të përfitojnë një kredi me kushtet e tregut. Kështu, Bashkia e Tiranës u subvencionon interesat e kredisë. Për të përfituar nga programi i “Subvencionimit të Interesave të Kredisë”, aplikuesit duhet të plotësojnë disa kritere, ku më kryesoret janë: familjet që zotërojnë të ardhura brenda kufijve të përcaktuar, individët të cilët në momentin e paraqitjes se kërkesës kanë mbushur moshën 18 vjeç, familjet të cilat në momentin e paraqitjes së kërkesës nuk kanë në pronësi një banesë, si dhe familjet që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit.

Dokumentacioni
Këtë vit janë plot 500 qytetarë që do të shpallen fitues e do të përfitojnë nga programi social “Subvencionimi i interesave të kredisë”. Personat që kaluan fazën e parë duhet të dorëzojnë pranë zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës dokumentacionin e nevojshëm që vërteton deklarimin dhe vërtetësinë e plotësimit të formularit të strehimit, në bazë të të cilit janë përzgjedhur fitues. Respektivisht kandidatët duhet të dorëzojnë: formularin e strehimit, certifikatën e lindjes së aplikantit dhe certifikatën e gjendjes familjare, vërtetim të vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi, vërtetim të të ardhurave neto të familjes apo individit, vërtetimin e punësimit si dhe dokumentin për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.

Gjithashtu, aplikantët duhet të paraqesin pranë zyrës së Pritjes me Qytetarin në Bashkinë e Tiranës edhe vërtetimin nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes, vërtetim nga zyra e punës për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë, vërtetim nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension, dokumentin zyrtar të celebrimit dhe certifikatat personale, vërtetim nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë, vërtetim nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, vërtetim nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, vendimin e gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara. Ndërkohë, qytetarët duhet të dorëzojnë edhe një vërtetim për librezën e jetimit për individët me këtë status, vërtetim nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara; dokument për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues; dokument për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.; dokument për viktimat e dhunës në familje si dhe një deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit.

Dokumentacioni që duhet dorëzuar:

1. Formulari i Strehimit i plotësuar pranë njësisë administrative në të cilën aplikanti ka vendbanimin.
2. Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata e gjendjes familjare.
3. Vërtetimi i vendbanimit në bashkinë ku kërkohet vendstrehimi, ose leje banimi për familjet që kanë lëvizur nga zona të tjera të vendit.
4. Vërtetimi i të ardhurave neto të familjes/individit.
5. Dokumenti përkatës nga punëdhënësi (vërtetim punësimi), për detyrën dhe të ardhurat e aplikantit dhe të personave të tjerë të familjes që janë në marrëdhënie pune.
6. Dokumenti nga organet tatimore dhe nga sigurimet shoqërore për derdhjen e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për të gjithë anëtarët e punësuar në familje.
7. Vërtetimi nga zyra e ndihmës dhe përkujdesjes pranë njësive të qeverisjes vendore për anëtarë, të përfshirë në programin e ndihmës ekonomike dhe të pagesës për personat me aftësi të kufizuar.
8. Vërtetimi nga zyra e punës e njësisë vendore përkatëse për personat e përfshirë në programin e pagesës së papunësisë.
9. Vërtetimi nga organet e sigurimeve shoqërore për personat në pension.
10. Dokumenti zyrtar i celebrimit dhe certifikatat personale, për efekt të llogaritjes së moshës, për çiftet e reja.
11. Vërtetimi nga ZRPP se familja apo ndonjë anëtar i saj nuk disponojnë në pronësi banesë a ndonjë mjedis që mund të përdoret si e tillë.
12. Vërtetimi nga ZRPP për sipërfaqen e pronës që zotëron familja apo ndonjë anëtar i saj, kur banesa është me sipërfaqe nën normat në fuqi për strehim.
13. Vërtetimi nga ZRPP të origjinës se nuk figuron e regjistruar asnjë pronë, e cila mund të përdoret edhe për strehim, për familjet që kanë ndryshuar vendbanim për efekt punësimi, për të gjithë anëtarët e familjes.
14. Vendimi i gjykatës, që i lë në ngarkim fëmijën ose fëmijët për çiftet e divorcuara, shoqëruar me vërtetimin nga zyra e përmbarimit për masën e pensionit që përfitojnë për fëmijët.
15. Vërtetimi përkatës nga institucioni ku ka qenë i strehuar dhe librezën e jetimit, dhënë nga institucioni shtetëror i autorizuar, për individët me statusin e jetimit.
16. Vërtetimi nga komisioni mjekësor për përcaktimin e aftësisë së kufizuar, për individë me aftësi të kufizuara.
17. Dokument i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për personat që kanë statusin “emigrant”, “punëtor emigrant” dhe azilkërkues.
18. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse shtetërore për familjet e punonjësve të rënë në detyrë, që u përkasin Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës, Policisë së Burgjeve etj.
19. Dokumenti i lëshuar nga institucionet përkatëse për viktimat e dhunës në familje. Urdhri i mbrojtjes i lëshuar nga gjykata e rrethit gjyqësor, seksioni familjar (fotokopje e njehsuar me origjinalin). Vërtetim nga strukturat e shërbimit social, qendrave sociale dhe rehabilitimit për viktimat e dhunës pranë njësive të qeverisjes vendore.
20. Deklaratë noteriale që lëshohet nga kryefamiljari, që shprehet se është dakord që kredia të lëvrohet për aplikantin që rezulton i përfshirë në Formularin e Strehimit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.