Kryesore

Kujdes me sherret… vrasësit i kemi rrotull!

08:27 - 17.08.18 Sulejman Mato
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kini kujdes me sherret e çfarëdo lloji, nga më seriozet, gjer te sherret banale! Vrasësit i kemi rrotull. Kriminelët i kemi midis nesh. Jetojnë midis nesh. Flasin me ne, dëgjojnë, zihen, kundërshtojnë… Më pas mund të marrin edhe pistoleta apo kallashnikovë.




Në pamje të parë duken persona të zakonshëm, ashtu si ne, por, pa provo t’i prekësh? U nxehet truri… Nuk ngjajnë më me ne. Nuk ngjajnë më me racën tonë njerëzore. U humbet arsyeja. U humbet logjika dhe ndjeshmëria njerëzore, cilësi që e kanë edhe kafshët. Bëhen agresive. Pritet vetëm një çast për t’u bërë hataja. E tillë qe edhe ngjarja e fundit. I tillë ishte 24-vjeçari nga një fshat i Vlorës, Ritvan Zykaj, i cili vret tetë persona për një ngjarje banale. Dy vjet më parë, ju kujtohet, djaloshi nga Palasa e Vlorës, i qetë dhe i heshtur, por hajdut pulash si Ritvani, vrau barbarisht një fëmijë njëmbëdhjetë vjeç, që kishte ardhur te gjyshërit nga Greqia. Ju kujtohet edhe ai tjetri nga Slatinja, dy vjet më parë, i cili bëri hatanë në familje?

…Në Levan të Fierit një kriminel tjetër vrau bashkëshorten. Burri xheloz hodhi nga kati i tretë të shoqen, për një sherr banal. Xhuvani vret sërish për një sherr banal katër persona në mes të Tiranës.  Një tjetër vret me thikë të shoqen, për një sherr banal. Nurja, ai plaku tetëdhjetë e dyvjeçar i pret kokën një vajze tetëmbëdhjetëvjeçare. Lucaj vret vëllanë… Luan Mara vret dy vetë. Po ngjarja makabre tek “Xhamllëku”, edhe pse e paralajmëruar, ish-i shoqi i gjyqtares, sa del nga burgu vret ish-bashkëshorten, gjykatëse në Shkodër…

 

Sulejman Mato, autor i shkrimit
Sulejman Mato, autor i shkrimit

Në të gjitha këto raste, vrasësit janë dënuar me burg të përjetshëm. Vetëm ngjarja e Libofshës, 1992, ka mbetur në histori. Dy vëllezërit vrasin pesë vetë. Mirëpo të dy autorët dënohen me varje në litar. Vitet e para kishte ligje. Krimi dënohej me vdekje. Sot, siç na dëgjojnë veshët, vrasësi Ritvan Zykja vret 8 persona, pleq, gra e fëmijë, të gjithë kushërinj të vet dhe gjykata kërkon të dijë shkaqet…

Për dënim me vdekje as që bëhet fjalë… Si mund të bëhet fjalë për dënim me vdekje të një vrasësi terrorist, kur pretendojmë të hyjmë në Europë? Ironi e kohës… Vrasje tek ne bëhen çdo ditë, çdo javë e çdo muaj. Vrasjet dhe vdekjet janë bërë pjesë e jetës sonë. Me vrasje të tilla mbushen çdo ditë kronikat televizive. Zgjohemi çdo mëngjes me gjak të ngrirë… Vrasje në Tropojë, vrasje në Shkodër, vrasje në Fier, vrasje në Vlorë…

 

 

Shumica e vrasjeve lindin nga varfëria. Të tjerat janë produkte të grindjeve mbi pronën, pasojë e ligjit famëkeq 7501. Të tjera vrasje ndodhin për larje hesapesh, ose për punë xhelozie. Cilido qoftë shkaku, ajo që duhet të na shqetësojë të gjithëve është kujdesi që duhet të kemi për të kuptuar se midis nesh ka persona gjaknxehtë e të predispozuar për ta zgjidhur problemin me armë. Armët janë sheshit.

Kështu që edhe mundësitë për vetëgjyqësi janë më të mëdha. Vrasësit i kemi midis nesh. I kemi në familjet tona dhe në shoqërinë tonë. Në mungesë të gjykatave persona të tillë vendosin lehtë për ta zgjidhur problemin me vetëgjyqësi. Qëllimi i këtij shkrimi është thënë nga populli: “I urti duhet t’i hapë rrugë budallait”.

Duhet të jemi në çdo çast të kujdesshëm për të kuptuar se kush është budallai, kush është vrasësi, kujt i merr koka erë, kujt duhet t’i ruhemi dhe si duhet të sillemi me këta persona problematikë, para se të ndodhë hataja.

Hatatë në Shqipëri kanë vite që ndodhin. Në një vit vriten mesatarisht 400-500 persona. Për problemet e pronave, sipas të dhënave statistikore, gjer tani janë vrarë rreth dhjetë mijë persona. Shifër e madhe për një vend të vogël. Shteti kujdeset për statistika, por nuk kujtohet të mbledhë armët, sidomos në ato zona kur armët ndodhen sheshit dhe në dorën e “budallait”.

Jeta dikur paguhej me jetë. Kështu është dhe me Kanun… Mirëpo, tani me vrasjet e tilla makabre na duhet të sillemi si europianë… Evropa na ka vënë kushte: “Doni të hyni në Europë? Mos e vrisni Ritvan Zykajn, i cili vrau tetë vetë, dënojeni me burgim të përjetshëm”. Që do të thotë vrasësin ta ushqejë shteti përjetësisht e në rastin më të keq, kur vrasësi paguan, të dalë nga burgu e të niset drejt teje, Europë dhe Amerikë.

Ligji me vdekje mund të hiqet në vendet e qytetëruara, por jo në një vend si Shqipëria, e cila e ka edhe në Kanunin e vet të moçëm dhe ku armët janë sheshit. Pas vrasjes së fundit të tetë personave nga krimineli Ritvan Zykaj, i gjithë opinioni shqiptar kërkon të aplikohet sërish ligji me vdekje. Viktimat ishin të shumta, ndonëse shkaku, grindja banale për hiç mosgjë ishte e njëjtë si për të gjitha grindjet e tjera, Ritvan Zyka ishte në embrion një vrasës i pazhvilluar. Me katër klasë shkollë.

Një shoqe e tij e klasës shkruan në “Facebook” se ai kishte mbaruar me vështirësi vetëm klasën e tretë fillore. Madje, nukdinte as të fliste mirë. “Unë – thotë shoqja e tij e shkollës fillore – e kisha kuptuar prej kohësh qysh kur e kisha në klasë dhe e kisha marrë në patronazh, se ai ishte një lloj debili i një natyre të veçantë, madje edhe agresiv”. Ç’bëri mësuesja e shkollës fillore për të sinjalizuar prindërit për cilësitë e tij të vonuara dhe agresive? Ç’bëri familja? Ç’bëri shoqëria? Ç’bënë shokët dhe kushërinjtë? Unë personalisht, si kureshtar që jam, për të njohur psikologjinë e një vrasësi, hapa faqen e tij në “Facebook”.

Nuk duhej shumë mend për të kuptuar se kisha të bëj me një vrasës. Pamja e tij e ngrirë… Qëndrimi i papërqendruar… Pak foto që kishte hedhur në ‘FB’ tregonin qartë për një person me rrezikshmëri shoqërore… Kjo gjë m’u forcua kur pashë me sytë e mi se si i priste pyetjet e gazetarëve, kokëlart e pa asnjë ndjeshmëri…
Edhe njëherë, këta persona i kemi midis nesh, por nuk reagojmë. Nuk ua kuptojmë rrezikshmërinë. Nuk jemi të kujdesshëm për t’i hapur rrugë budallait, siç, thotë populli. Sigurisht, Ritvanët nuk kanë mbaruar. Të tjerë Ritvanë ka midis nesh. Ndaj mendoj dhe dua t’ua transmetoj ju të gjithëve, që të ruhemi dhe të kemi kujdes, pasi të keqen e kemi midis nesh. Personat me armë i kemi midis nesh, të armatosur me kallashë, pistoleta, tritol dhe shkaqet për t’u bërë e pabëra gjenden midis nesh. Ndaj, e keqja duhet pikasur qysh në embrion dhe duhet luftuar qysh në embrion. Ne diskutojmë pasojën.

Ziejnë mediat për ta klasifikuar si një i sëmurë psikik. Po të pyesim mjekët psikiatër, ata do të na shpjegojnë se ka kaq shumë simptoma të sëmundjeve psikike dhe ka kaq shumë forma të shfaqjes së këtyre sëmundjeve sa edhe vetë ata nganjëherë gabohen në përcaktimin e sëmundjes.

Problemi nuk qëndron tek këta persona me rrezikshmëri shoqërore, por edhe kujdesi që duhet të kemi në marrëdhëniet tona. Ka persona që reagojnë keq ndaj fyerjeve. U merr zjarr truri. Humbin logjikën, u errësohet arsyeja. Bëhen të vetëdijshëm për çfarë kanë bërë vetëm kur e shohin veten brenda hekurave të qelive. Persona të tillë janë potencialisht të rrezikshëm. Budallait, domethënë vrasësit, duhet t’i hapësh vërtet rrugën, për të anashkaluar pasojën.

Është e lehtë për t’i identifikuar dhe parandaluar këta persona. Rastet e shumta tregojnë që në Shqipëri numri i vrasjeve është i madh. Nuk përmenda këtu edhe numrin e vrasjeve për gjakmarrje si dhe shifrën e madhe prej njëzetmijë vetash të personave të ngujuar. Për një popull të vogël si ky yni, shifra e vrasjeve dhe ajo e ngujimeve është alarmante. Institucionet parandaluese punojnë pak dhe shkel e shko. Në fakt, kjo nuk është detyrë e disa psikologëve, por detyrë e prindërve dhe shoqërisë.

Veçanërisht është detyrë e mësuesve të fshatrave të largëta, të cilët duhet të punojnë më shumë me nxënësit për t’i ndërgjegjësuar përsa u përket problemeve që do u dalin në jetë, të cilat nuk mund të zgjidhen me kallashnikov, por me qetësi dhe dashamirësi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.