EKONOMI

Ndryshimi i sistemit të kasave, si do të bëhet faturimi

13:00 - 18.08.18 Ornela Manjani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Administrata tatimore do të instalojë një sistem të ri teknologjik mbi kasat e bizneseve, i cili do të transmetojë çdo transaksion në kohë reale, drejtpërdrejt në serverin qendror të Tatimeve. Ministria e Financave ka hapur tenderin me vlerë rreth 1.9 miliardë lekë, ose rreth 15 milionë euro, për të kontraktuar kompaninë që do të instalojë sistemin.
Sipas Financave, bizneset nuk do të kenë nevojë të blejnë kasa të reja, pasi sistemi do të instalohet në kasat aktuale dhe do të jetë pa pagesë.




Sistemi aktual kompjuterik që përdorin Tatimet funksionon mbi bazë ditore. Çdo biznes, kur mbyll aktivitetin në fund të ditës, nxjerr manualisht xhiron ditore dhe e dërgon atë në serverin e Tatimeve.

Por, me sistemin e ri, Financat thonë se transmetimi i të dhënave për çdo veprim që bën biznesi, shitje apo blerje, do të kryhet automatikisht në kohë reale dhe jo një herë në ditë. Aktualisht në Shqipëri mendohet se ka 160 mijë kasa, që përdoren nga bizneset. Ministria e Financave thotë se sistemi i ri ul kostot për administratën dhe mbyll shtigjet për evazion.

Madje, sipas saj, ai sjell përfitime edhe për biznesin, duke i mundësuar plotësimin automatik të librave të shitjes dhe atyre të blerjeve.

NDRYSHIMET PËR BIZNESIN
Administrata Tatimore do të aplikojë së shpejti një sistem të ri teknologjik të faturimit. “Projekti i fiskalizimit synon krijimin e një sistemi ‘online’ të mbikëqyrjes në kohë reale të pajisjeve fiskale si për pagesat në cash për transaksionet biznes-konsumatorë, ashtu edhe për transaksionet biznes-biznes.

Sistemi i ri, ndryshe nga ai aktual i ndërtuar në vitin 2010 do të lidhet edhe me modulin aktual të menaxhimit të riskut në tatime e më pas edhe në dogana, për të mundësuar një analizim më të thellë të përgjegjësive fiskale të subjekteve dhe transaksioneve individuale të bizneseve”, njofton Ministria e Financave.

Aktualisht pajisjet fiskale transmetojnë të dhëna në sistemin qendror nëpërmjet GPRS, në fund të ditës së punës, kur mbyllet kasa manualisht. Por sistemi aktual është i centralizuar, nuk identifikon kuponin në kohë reale, por transmeton vetëm totalin e xhiros dhe numrin total të kuponëve të printuar nga çdo pajisje fiskale një herë në ditë. “Në të njëjtën kohë, me sistemin aktual mungon një analizë e detajuar për menaxhimin e riskut dhe kontrollit, nuk identifikohen faturat e lëshuara në mënyrë elektronike biznes-biznes dhe faturat me blloqe për shkak të mosdeklarimit të shitësit dhe blerësit, elemente këto tëdomosdoshme për efektivitetin e punës së administratës tatimore”, vijon shpjegimet ministria.

Projekti i fiskalizimit cilësohet si një tjetër hap i rëndësishëm në procesin e dixhitalizimit të administratës fiskale, në favor të rritjes së kapaciteteve dhe përmirësimit të efikasitetit të mbledhjes së të ardhurave dhe uljes së evazionit fiskal si dhe transformimit në të njëjtën kohë të marrëdhënies dhe bashkëveprimit mes administratës fiskale dhe tatimpaguesve.

SISTEMI I RI
Sistemi i ri, sipas Ministrisë së Financave, përveçse adreson këto mangësi, sjell edhe disa risi të rëndësishme. Është një sistem gjithëpërfshirës, që mbulon transaksionet biznes-konsumator (B2C) dhe biznes-biznes (B2B).
Do të mundësojë monitorim më të mirë të të gjithë tatimpaguesve dhe auditimit të synuar, zvogëlimin e kostove administrative dhe rritjen e efikasitetit të Administratës Tatimore. Do të mundësojë plotësimin automatik të formularëve që tatimpaguesit duhet të dorëzojnë pranë autoriteteve tatimore (librat e shitjes dhe blerjes, apo të para-plotësojë fusha të caktuara të deklaratës së TVSH). Në transaksionet B2B do të jetë e mundur që blerësi të përcaktojë menjëherë nëse furnizuesi është me të vërtetë një pagues tatimor i TVSH-së.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.