Intervista

Shefqet Deliallisi: 175 mjekë të larguar nga Shqipëria. Pagat e ulëta e konfliktualiteti me pacientët, faktorët kryesorë

14:49 - 20.08.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Vitet e fundit po vihet re tendenca e largim it të bluzave të bardha nga Shqipëria, të cilët zgjedhin të braktisin vendin dhe të ushtrojnë profesionin e tyre në një shtet tjetër. Sipas statistikave, në vitin 2017, numri i mjekëve të larguar ka arritur në 175, që kryesisht janë specializantë apo të rinj.




Në një intervistë ekskluzive për ‘Gazeta Shqiptare’, mjeku endokrinolog, Shefqet Deliallisi tregon se aktualisht po largohet pjesa më cilësore e mjekëve shqiptarë, e vendi po humb një pasuri të çmuar, të pazëvendësueshme. Më tej ai shton se pasiguria për të ardhmen, pagat e ulëta, presioni, konfliktualiteti me pacientët, pamundësia e karrierës sipas aftësisë, politizimi i saj, janë shkaqet kryesore të ikjes së bluzave të bardha.

***

Sa është numri i mjekëve shqiptarë të larguar deri më tani nga Shqipëria?

Urdhri i Mjekut ka kohë që jep alarmin. Referuar statistikave të tyre, mjekët po largohen nga Shqipëria me shifra në rritje çdo vit. Nga 76 në vitin 2013, në 175 mjekë të larguar në 2017, kryesisht mjekë të rinj dhe mes tyre dhe mjekë specialistë. Dhe kjo tendencë vazhdon. Mjekët e rinj i kanë lënë librat e mjekësisë, në duar kanë vetëm metodat e gjuhës gjermane… Problemi është i madh. Po humbim një pasuri kombëtare të pazëvendësueshme. Një mjek do 10 vjet të formohet, e për më tepër, po largohet pjesa më cilësore.

Pse po largohen masivisht mjekët nga vendi, cilët janë disa prej faktorëve që i shtyjnë të ushtrojnë profesionin në një shtet tjetër?

Pasiguria për të ardhmen, pagat e ulëta, presioni, konfliktualiteti me pacientët, pamundësia e karrierës sipas aftësisë, politizimi i saj, të gjitha bashkë janë shkaqet e largimit të mjekëve sot. Shumë njerëz e kanë të vështirë të ndahen nga historitë legjendare, sentimentale dhe romantike për mjekët, por kohët kanë ndryshuar. Sloganet e një epoke s’mund të aplikohen në një tjetër shumë të ndryshme. Sot flitet për industrinë e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor që prodhon shëndet. Politikat publike gjithnjë e më shumë po ndërtohen në terma ekonomike. Kërkesë – ofertë, konkurrencë, kosto-efektivitet, spital ndërmarrje. Reklamat për spitalet, për mjekët, për medikamentet, për procedurat shëndetësore janë normale. Pacientët konsiderohen klientë.

Sa ekziston mundësia që këta mjekë që largohen të specializohen jashtë dhe më tej të rikthehen në Shqipëri?

Kjo vështirë të ndodhë! Ata mund të vinë thjesht si vizitorë, siç dhe ndodhi para disa vitesh kur i ftoi qeveria. Një konferencë, një darkë e këndshme dhe u kthyen nga erdhën, në vendin e tyre të punës jashtë Shqipërisë. Problemi mbetet tek ne.

Mendoni çfarë do të ndodhë pas 10-15 vitesh kur brezi i mjekëve të aftë, për arsye moshe, do të tërhiqet? Çfarë do bëhet me spitalet publike?

Me largimin e mjekëve më të mirë drejt Europës, apo spitaleve private, sektori publik do të mediokrizohet, qendra universitare po ashtu…

Sa të kënaqur janë bluzat e bardha me pagesat? A pranohen ende ryshfete?

Shteti i varfër postkomunist, i pamundur për t’i dhënë mjekëve pagën që meritonin, heshturazi pranoi plotësimin e pagës së tyre nga vetë pacientët, por pa e ligjëruar atë. Sigurisht ishte dhe inteligjenca e pacientëve që kuptuan rëndësinë e problemit dhe e pranuan këtë zgjidhje. Shumë prej tyre, emigrantë në vendet perëndimore, kishin provuar koston e lartë të shërbimit shëndetësor, kishin parë edhe nivelin e shpërblimit të mjekëve atje, dhe kjo ndikoi në pranimin dhe zbatimin e kësaj “marrëveshje”. Ishte pikërisht kjo “marrëveshje” që mbajti mjekët në Shqipëri dhe bëri që truri i mjekësisë të mos largohej nga vendi. Ka patur disa përpjekje në vite për të kryer një reformë të personelit në shëndetësi, për t’i dhënë fund pagesave informale, por pa sukses. Qeveritë njëra pas tjetrës, kanë mbyllur sytë duke lejuar pagesat informale nga pacientët, si mjet pagese për mjekët.

Por, nga ana tjetër, herë pas here, në kuadrin e luftës kundër korrupsionit, kanë sakrifikuar mjekë me forma policore, duke dëmtuar rëndë figurën e mjekut, duke ushqyer krijimin e një klime konfliktuale, që gradualisht po i heq sistemit shëndetësor gurin e themelit vendosur shekuj më parë: marrëdhënien e besimit, respektit dhe partneritetit mjek-pacient, pa të cilin mjekësia nuk mund të funksionojë.

Mjekësia nuk është thjesht profesion, por një mision për ata që e zgjedhin ta ushtrojnë.  Pagesat informale a bien ndesh me Betimin e Hipokratit, altruizmin që duhet të karakterizojë mjekët?

Duhet të jemi realistë. Që në vitin 1967, Gordon McLean, ekspert i shquar në Kujdesin Shëndetësor Britanik shkruante: “Një nga kërkesat politike madhore të shumicës së shoqërive perëndimore sot është shmangia dhe vlerësimi në mënyrë kritike, i dogmave dhe klisheve me të cilat është e mbushur politikëbërja për kujdesin mjekësor.” Shkenca ekonomike pak i konsideron ndjenjat dhe humanizmin që karakterizojnë praktikimin e mjekësisë. Nuk ka vend për mite. Mjekët janë altruistë, aq sa profesionistët e tjerë. Altruizmi nuk fitohet me një diplomë mjekësie, ai është i lindur. Miti tjetër: “Mjekësia nuk është profesion por mision”! Po të ishte vërtetë mision, misionarët mjekë s’do lakmonin të gjithë të punonin në qendra të mëdha urbane, mundësisht të gjithë në Tiranë. S’do kishte asnjë fshat pa mjek! Duhet ta shohim të vërtetën në sy. Si gjithë qeniet e tjera njerëzore, edhe mjekët janë homos ekonomicus. Askush në një vend demokratik nuk mund të detyrojë dikë të punojë pavarësisht pagës. Është e papranueshme që një mjek specialist me eksperiencë 30 vjeçare të paguhet vetëm 350 euro në muaj. Mentaliteti komunist: mjekët “shërbëtorë të popullit” është i papranueshëm. Vërtet mjekët shërbejnë, madje i shërbejnë njerëzve në ditët më të vështira, por s’mund të konsiderohen kurrsesi si shërbëtorë pa dinjitet…

Cila mendoni se është zgjidhja më e mirë për të përmirësuar situatën?

Duke përdorur terma mjekësore, duhet të qartësojmë se pagesa informale (korrupsioni) është simptoma e sëmundjes dhe jo vetë sëmundja. Sëmundja e vërtetë është mungesa e reformimit të sistemit shëndetësor. Dhe duke përdorur përsëri terminologjinë mjekësore, për kurimin e sëmundjeve ka dy lloj mjekimesh: ai simptomatik, ku mjeku përpiqet të luftojë simptomat, por jo shkakun, mjekim ky që nuk e shëron, por vetëm e lehtëson përkohësisht gjendjen; dhe mjekimin etiologjik, që lufton shkakun, zhduk sëmundjen dhe shëron pacientin. Në rastin tonë duke luftuar korrupsionin (pagesat informale), që është vetëm simptomë e sëmundjes, me “ilaçin” kamera e fshehtë, dënimet, burgosjet demostrative të mjekëve, sëmundja nuk shërohet, ajo veçse përmirësohet për fare pak kohë, për të vazhduar… E kundërta ndodh me mjekimin etiologjik, që lufton shkakun dhe shëron sëmundjen, në rastin tonë ky “ilaç” është reforma.

Si mund të realizohet reforma në sistemin shëndetësor në Shqipëri?

Reforma e menaxhimit të personelit të Sistemit Shëndetësor, rritja e pagave…. Tashmë ka ardhur koha, madje ka kaluar, që bakshishi famëkeq (pagesat informale) të legalizohet. Ka ardhur koha, madje ka kaluar, që kjo sasia monetare, që del nga xhepat e njerëzve të kanalizohet në rrugë të ligjshme, për të ruajtur si dinjitetin e mjekëve ashtu dhe atë të pacientëve.

Cilat janë disa nga mënyrat për të parandaluar largimin e mjekëve nga vendi?

Sigurisht që lëvizja e lirë dhe emigrimi është një e drejtë e çdo njeriu në një shoqëri demokratike. Asnjë institucion nuk mund t’ia privojë këtë, askujt. As mjekëve. Por shoqëria duhet të bëjë të pamundurën t’i krijojë kushte mjekëve që të mos largohen nga Shqipëria. “Mjekët shpesh akuzohen si shpirtkazmë ryshfetmarrës” – thotë Erik Segal në librin ‘Mjekët’. Por, në asnjë rast s’duhet të harrojmë që ata kanë sakrifikuar pranverën e jetës për të siguruar aftësi në dobi të njerëzve. Kanë vuajtur, kanë sakrifikuar nga jeta e tyre, net pa gjumë, kanë humbur mundësitë unike për të ndjekur rritjen e fëmijëve të tyre. Nëse argumentojmë se bota u detyrohet mjekëve një farë kompensimi, në formën e pasurisë, respektit apo statusit shoqëror, kjo s’është aspak pa shkak. Mjekët janë një pasuri aq e çmuar, sa i çmuar është dhevetë shëndeti!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.