OPINION

“Bëji të fala … Edit”

11:17 - 04.09.18 Raimonda Shundi Dervishi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sa herë ka ndodhur që kryeministri ynë në transmetimet “live” t’i ketë çuar “të fala publike” drejtuesve mediatikë, ndërkohë që është vetë i ftuar në kanalin e “falë-dërguesit”? Është në emisionin X dhe sapo gazetari e pyet për diçka të sikletshme, direkt përgjigja e aty-këtushme është: “Bëji të fala.. X-it”.




Përkthimi i kuptuar është se, “nëse pronarit yt ka në pritje X zhvillim të biznesit të tij personal, nuk do të bëhet nëse ju vazhdoni me pyetje të tilla provokuese.” Kështu ndodhi edhe me gazetaren e “Fax News” Abrozia Meta, e cila sapo e pyeti se si ishte ajo historia e pastërtisë së munguar të figurës që nuk e paskësh asnjë nga kabineti i tij për të drejtuar Ministrinë e Mbrojtjes.

Tak përgjigja strategjike e drejtpërdrejtë : “Ata pronarët e medias suaj… ”. Gazetarja nuk u tut dhe i shkoi deri në fund pyetjes, kurse ai po ashtu me dashamirësinë kërcënuese, vijoi me të tijën.

Formati publik i kërcënimit. Kjo është tema e shkrimit tim të sotëm, sidomos kur kjo na vjen nga koka e shtetit. Ky format i aplikuar nga Rama, kalon zinxhir te të gjitha kokat e tjera shtetërore të cilët ndjekin shefin dhe krimi bëhet për rrjedhojë virus, duke na infektuar të gjithëve ne ndjekësit e kërcënimeve duke kërcënuar kërcënues e më tej. Epoka e kërcënimeve pushton shtëpitë, lagjen, qytetin…. deri universin. Ndaj kronikat e zeza janë normaliteti i ditëve tona të trishta.

Kërcënimi publik për tu larguar direkt nga tema e nxehtë, bëhen turpërimi (intimidimi) më praktik i drejtuesve arrogantë. Shpesh herë ia dalin ta trembin mikrofonuesin, pasi me bukën e përditëshme nuk luhet; por rrallë herë edhe nuk ndodh.

Pas kërcënimit, ndodh reaksioni i mbylljes së gojës, veshëve dhe syve duke na bërë të tkurremi në mizerjen tonë. Ai na tregoi dhëmbët. Ky është lajmi i madh i ditëve që vijnë, për të cilin të gjitha mendiat apo portalet diskutojnë rreth reagimit të njërit – tjetrit; si u skuq, u zbardh a u nxi kryetari.

“Atletet nuk i kishte veshur, ndërkohë që taksisti e priste poshtë për intervistën e natës që ai më pas ta transmetonte live në Facebook apo TV e tij.” Më pas na del një lajm i ri e ja ku u harrua ai i vjetri.

Nuk e kuptova kurrë se pse harrojmë kaq shpejt. Na përpin lajmi i ditës së re dhe ai i djeshmi fle në arkivin e halleve tona stivë. Për të qenë të sinqertë, në fakt kemi kohë që sikur nuk po i dëgjojmë këto të “falat dashurore” që kryeministri i bën me rrallë kundërshtarëve të tij. Ndoshta ngaqë jemi në kohë pushimesh dhe të falat nuk mbërrijnë aq larg ku ata mund të ndodhen. Apo ndoshta ngaqë ata që kërcënohen tashmë duke e njohur batutazhiun, e ndjejnë që në ajër atmosferën kërcënuese dhe direkt marrin kthesë pa e çuar shefin në finalen e nxehtë të zemërimit. Ndoshta janë magjepsur, e kështu kundërshtarët e intuitojnë veprimin e radhës. Kush e di!

Shpesh, gojë pas goje e vesh pas veshi na kanë mbërritur thashethemet për skandalet e kryetarit artist të shtetit tonë, se si ai ka qef t’i telendisë dialoguesit fodull –insistues, kur kllapia e nerovzizmit i kalon caqet. Madje apriori më shfaqet reagimi i tij i parë pas konfliktit që pati me kuksianët për vendosjen e tarifës hyrëse në rrugën e Arbrit.

Aty pamë një Ramë i cili nuk po e menaxhonte dot inatin me banorët. Kemi dëgjuar edhe për veshë të shkulur publikisht, krahasime erotike banale, dialogje elokuente; të gjitha këto në prani të kamerave e gazetarëve. Kryetari ynë kritizer ka humor dhe batutë, por ka edhe kurajo që këto cilësi t’i shpërfaqë publikisht. Edhe atëherë kur nervi I del jashtë kontrollit për tu kontrolluar. Ne, ata, ato, ju: dikush mund t’i përgjigjet “bëji të fala… kërcënimit”.

Sikur Rama të ishte po aq i mirë si politikan sa ç’është edhe batutaxhi, do të qe një fat akoma më i mirë për Shqipërinë dhe Shqiptarët.

Por një gjë të mirë kemi parë pas gjithë këtyre të falave publike: si një ylber pas shiut kur ka diell, kemi parë ujëra më të qeta dhe biznese në lulëzim. Mesa duket të falat shkuan në vendin e duhur e bashkë me të edhe pakti i paqes është vënë në vend. Ja tek nisi sezoni i ri parlamentar! Le të presim të falat e radhës, e rrjedhimisht edhe kërcënimet, që janë buka e përditshme mediatike. Shtator të mbarë miq lexues!

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.