Intervista

Daljana Sejdia: Në “News 24” ndihem sikur jam në një familje të madhe

08:30 - 11.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Suksesi zakonisht u shkon atyre që janë duke e kërkuar. Ajo punon fort dhe e ka pasion atë që bën. Në një rrëfim për suplementin “Summer pages” të “Gazeta shqiptare” vjen moderatorja simpatike Daljana Sejdia, për të ndarë me ne eksperiencën në “News 24” dhe natyrën e saj përtej ekranit. Ajo e sheh sportin si sfidë, që i sjell ndjesi të veçanta dhe është e lumtur, që i kanë besuar këtë fushë.




Në punë është bashkëpunuese dhe fryma në “News 24” e motivon për të ecur përpara. Moderatorja ka zbuluar se sa më shumë punon, aq më tepër ka fat. Daljana është natyrë solare, e qeshur dhe di si të përshtatet edhe kur nuk njeh njeri. Një shpirt i bukur që e sheh botën si një pafundësi ngjyrash dhe u gëzohet gjërave që ka. Para kamerës është e qetë dhe di ta zotëroj më së miri atë. Daljana pohon se nuk ka menduar kurrë që të shkëputet nga ekrani. Nëse zgjedh të angazhohet diku tjetër padyshim që do të gjejë mënyrën si të mos shkëputet nga pasioni më i madh që ka.

Çfarë rëndësie ka sporti për ju?
Sportin në të shumtën e rasteve, e lidhin me futbollin, fushë e cila sigurisht është më e prekshme nga ne. Sporti është shumë më gjerë se kaq. Për mua është inspirim, argëtim, respekt, konkurrencë, aftësi. Sporti është për të gjithë, nuk është me rëndësi statusi, besimi, apo ngjyra. Sporti është një nga të paktat gjëra që bashkon, argëton dhe njëkohësisht na përcjell një mesazh: gjërat në jetë janë jo gjithmonë në dorën tonë, ndaj duhet të mësojmë nga humbjet dhe të punojmë fort, nëse duam të kemi sukses.
Sporti si fushë që e lidh me punën, vijon të jetë një sfidë edhe pse kam eksperiencë të mëparshme në prezantim të programeve të kësaj natyre. Sfidë, sepse në këtë fushë je në çdo kohë në kërkim të informacionit dhe lajmeve të fundit. Është një fushë kaq dinamike, që karakterizohet nga zhvillime shumë të shpejta.

Si është dita jote në punë?
Nuk kam një ditë tipike dhe kjo është ajo që dua më shumë në punën time. Ndihem sikur nuk i përkas vetëm redaksisë së programit tim. Në një ditë normale do të më gjeni duke u përgatitur për lajmet e fundit që do të transmetohen, bisedë me gazetarët sportivë për përgatitjen e skaletës ose në grim, aty ku pa diskutim duhet të jemi një orë para fillimit të programit. Në “News24” ndihem sikur jam në një familje të madhe, me njerëz bashkëpunues dhe të qeshur, që nuk të jep ndjesinë e punës, por një ambienti të mbushur me miq të mirë.

TV, nëse do ishte një lloj sporti, ku duhet te ushtrohesh më shumë?
Shumë kritike ndaj vetes. Një gjë të cilën e kam konstatuar gjatë punës, duke i thënë shpeshherë vetes, që mund të kisha bërë më shumë më mirë. Më parë e kam pasur shumë të theksuar këtë kritikë ndaj vetes, e cila lidhet dhe me të qenit shumë e ndjeshme. Kam vendosur të bëj një pauzë, edhe pse herë pas herë e gjej veten duke qenë shumë kërkuese ndaj vetes, por kjo pauzë më ka bërë të shijoj arritjet e mia dhe sigurisht të filloj të besoj që njerëzit që kanë besim tek ajo që mund të bëj nuk është e rastësishme, por vjen si rezultat i punës sime.

Çfarë tipi jeni kur gjendeni në festa me njerëz që nuk i njeh?
Nuk i kam qejf skenarët ku duhet të kem patjetër një mik apo mikeshë që po shkon në të njëjtin vend me mua për t’u ndjerë komode në një festë apo organizim.
Kur je në ambient me të panjohur, sigurisht çdo njëri prej nesh është paksa i pasigurtë dhe në siklet.
Unë thjesht sillem normalisht. Di të shijoj dhe shoqërinë e vetes sime, ndaj nuk është kusht të flas me njerëz apo patjetër të kem shoqërues. Zakonisht nuk më ka ndodhur të shkoj në ambiente me njerëz krejtësisht të panjohur, por, nëse ndodh jam natyrë ekstroverte, e gatshme për të njohur njerëz të rinj, adaptohem shpejt dhe jam e shoqërueshme.

Veshjet që e di se të tregojnë bukur?
Fustane stil ‘pencil’, që rrinë ngjitur pas trupi dhe japin një siluetë që gjithnjë bie në sy. Me një gjatësi nën gju, këto fustane janë të sofistikuara dhe shumë feminile, të përshtatshme për çdo moment të ditës, apo darkës.

Si del në punë shpirti jot i skuadrës?
Në punën në televizion nuk mund të kesh sukses pa punë në grup. Çdo projekt që kam marrë përsipër, e kam konsideruar si një punë, e cila kërkon pa diskutim një mbledhje forcash në mënyrë që të ketë sukses. Për fatin tim të mirë, kam punuar gjithnjë me kolegë që janë bashkëpunues dhe të predispozuar për të të ndihmuar. Unë karakterizohem nga një natyrë shumë miqësore, ndaj përpara se të jem një kolege, jam një mikeshë shumë e mirë. Shpirti im i skuadrës, karakterizohet nga pozitiviteti, optimizmi dhe inkurajimi i vazhdueshëm i stafit.

Sa individualiste jeni?
Jam një miks mes natyrës kolektiviste dhe individualiste. Të dyja janë të nevojshme, në kohë, kontekste të ndryshme. Një projekt i profilit tim, është i përmbushur nga i gjithë grupi, por një zgjidhje kreative vjen nga një reflektim individual.

Çfarë bën për ta zotëruar kamerën e TV?
Jam “unë”. Para kamerës jam e relaksuar, sa më natyrale pa asnjë sforco. Kur jam para kamerës, nuk mendoj asgjë tjetër, veçse të jem sa më afër dhe interaktive me audiencën.

Synimi drejt të cilit po shkon?
Çfarëdo lloj gjëje që Zoti ka përcaktuar për mua. Jam e lumtur që çdo rritje e imja në ekran ka ardhur në mënyrë graduale dhe në kohën e duhur. Tashmë jam profilizuar në programe “entertainment” dhe sporti është një dimension që nuk ka fund. Ndihem mirë me programin që më është besuar, se çfarë ka rezervuar e ardhmja, jam e hapur për sfida të reja.

Propozimi që do të tundonte për ta lënë punën në media?
Profesioni im është ekonomiste, por nuk e kam ushtruar asnjëherë. Për sa kohë unë punën në media e kam si fillim pasion, nuk besoj që propozim tjetër do të më bënte të braktisja punën që bëj aktualisht. Edhe nëse një ditë do të zgjedh të angazhohem në ndonjë fushë tjetër, do gjej patjetër një mundësi, që paralelisht të kem një lidhje me median.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.