Intervista

Elda Kocia: Luftoj me shoqërinë që të heqë dorë nga paragjykimet

13:50 - 12.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Bukuria e shpirtit është më e rëndësishme se gjithçka tjetër. Këtë na e pohon Elda Kocia, që ndan me ne të fshehtat e vajzave të kolme, mbështetjen që u jep atyre si dhe synimet që ka për të ardhmen. Ndryshe nga vajzat që kanë komplekse të pranojnë faktin se janë disa kile më tepër, ajo e qeshur na thotë se ndihet e lumtur dhe se mund të qëndrojë me orë të tëra para pasqyrës duke adhuruar veten. Për “Summer Pages”, Kocia rrëfen se si u vjen në ndihmë vajzave të kolme që u ka humbur besimi. Ajo nuk e privon veten nga asnjë ushqim. Sipas saj, është organizmi ai që jep sinjal se nuk duhet të hash më. Familja dhe bashkëshorti janë mbështetësit më të mëdhenj në çdo hap që ndërmerr. Rrjetet sociale janë një mundësi mjaft e mirë për t’u kujdesur për vajzat që janë demoralizuar dhe paragjykohen nga shoqëria. Elda pikërisht për këtë po lufton fort e deri më tani ia ka dalë. Synimet e saj për të ardhmen janë disa. Në to dominon dëshira për t’i ardhur në ndihmë kujtdo që ka rënë në dëshpërim të thellë dhe hapja e një vendi qetësues për mendjen dhe shpirtin. Ne i urojmë suksese dhe realizim të sa më shumë veprave të mira!




Sa rëndësi ka pesha sot?
Rëndësi sot ka që të kemi një shëndet të mirë, të ushqehemi mirë dhe të kemi aktivitet fizik. Këto mund t’i bësh në çfarëdolloj peshe. Është e kotë të fiksohesh me numrat e peshores, ku trupi i njeriut është me i komplikuar se thjesht një numër në peshore.

Vajzat kanë synimin të kenë gjithmonë linja perfekte. Ka edhe nga ato që bëjnë zgjedhje të veshjeve të gjera, pasi janë të kolme. Cila është këshilla juaj për to?
Perfeksioni është një standard i paarritshëm, që shoqëria jonë ka vendosur. Shoqëria e ka kthyer trupin e njeriut në modë, siç ka kthyer çdo gjë tjetër. Por, jo të gjithë e kanë këtë strukturë dhe metabolizëm për të përmbushur këtë modën e perfeksionit. Prandaj influencier nga e gjithë bota, që bëjnë pjesë tek komuniteti i “Body Positive” po luftojnë për të ndryshuar këto standard, ku çdo trup është i bukur si kolmë, si i dobët, si me forma, si pa forma. Sa u përket veshjeve, është po prapë standard ku tregon “femrat e kolme duhet ta fshehin trupin e tyre dhe nuk kanë të drejtë të ndjehen sexy me veshje të ngushta pas trupi”.

I keni vuajtur ndonjëherë paragjykimet?
Sigurisht i kam vuajtur edhe unë paragjykimet, por gjithmonë kam qenë një tip shumë pozitiv dhe moskokëçarës dhe kam ditur t’i kthej përgjigjen e duhur çdokujt, që i ka futur hundët apo i ka prishur ndonjë punë shëndeti im. (qesh)

Kaloni shumë kohë para pasqyrës?
Duke e adhuruar dhe duke e dashuruar veten çdo ditë. Shumë herë vajzat e fillojnë paragjykimin vetë, duke e parë veten në pasqyrë dhe duke e kritikuar për çdo gjë, madje duke e sharë veten pse duken në atë mënyrë, pse nuk duken si dikush tjetër. Krahasimi i vetes me dikë tjetër është një gabim i madh që mund të bëjmë. Ne të gjithë jemi të veçantë në llojin tonë. Në psikologji ky është një lloj ushtrimi për të rritur vetëbesimin. Ku ti i flet vetes me dashuri dhe adhurim, e inkurajon veten që ti mund t’ia dalësh, ti je e bukur, nuk ka asgjë që s’shkon me trupin tënd. Kjo nuk është aspak mendjemadhësi, është një ndihmë për të fituar vetëvlerësimin dhe vetëbesimin, ku këto të dyja të çojnë shumë larg dhe të bëjnë shumë të suksesshëm.

A e privoni veten nga ushqimet?
Po, e privoj veten nga ushqimet, sepse më pëlqen të ushqehem pastër si mund ta themi… Unë kam një moto në jetë dhe kjo është të eci bashkë me intuitën time. Këtë e praktikoj edhe tek ushqimi. Quhet “Dieta intuitave” dhe është një mënyrë e të ushqyerit duke dëgjuar organizmin tënd se çfarë të hahet dhe sa të hahet. Në momentin që ti je e ngopur, organizmi të jep sinjal, që mjaft hëngre se jam i ngopur, po ashtu funksionon me dëshirën për të ngrënë ushqime që kanë vlera ushqyese që të ndihmojnë të jesh energjike. Pastaj janë edhe ushqimet që janë për kënaqësinë e shpirtit si çokollatat dhe akulloret etj. Edhe ato lejohen një herë në javë, sepse nuk mund t’ia bësh shpirtit me hile.(qesh) Kujdesesh për trupin dhe për shpirtin kur ushqehesh.

Ka pasur ndonjë moment që do e konsideronit të sikletshëm?
Vetëbesimi im nuk më lejon të kem momente të sikletshme, pasi kam shumë kujdes për veten dhe për trupin tim. Eci gjithmonë me kokën lart dhe me siguri për gjërat që unë dua të bëj.

Jeni mjaft e ndjekur në rrjetet sociale. Çfarë ju bën të veçantë?
Besoj se më bën të veçantë fakti që “Instagram”-i im është edukativ, shumë pozitiv, ku çdokush ndihet mirë kur hyn te profili im. Unë kam mbaruar shkollën për Punë Sociale dhe do vazhdoj masterin për Këshillim Psikologjik. Unë në “Instagram”-in tim ndihmoj vajzat që të fitojnë vetëbesimin, të ndihen rehat me trupin e tyre dhe sigurisht, të kujdesen për veten dhe të kenë një shëndet sa më të mirë. Pothuajse në çdo foto timen ndodhet një shkrim, ku mund të jenë tema sociale, që u vjen në ndihmë shumë personave. Plus bëj edhe terapi ‘online’ ku çdokush që ka nevojë për një psikolog falas, kërkon ndihmë për të zgjidhur një problem, unë këshilloj dhe jap ndihmën time.

Keni pasione të fshehta?
Pasionet e mia nuk janë më të fshehta. Më pëlqen që të jem një ndihmë për shumë njerëz në shumë fusha. Më pëlqen të shkruaj dhe jam në përfundim të librit tim të parë “Dashuro Veten”. Më pëlqen të stiloj, prandaj jam duke hapur biznesin tim me veshjet në të gjitha masat, ku të gjitha vajzat mund të ndihen të bukura me veshje që shfaqin vetëbesim. Më pëlqen të kërcej dhe të bëj Yoga dhe të qesh (qesh).

Si nis një ditë e zakonshme për ju?
Dita ime nis herët, në orën gjashtë, ku shëtis qenushen time. Më pas bëhem gati për në punë. Jam përgjegjëse e ‘Spa’ në një hotel të njohur, ku kaloj tetë orë të ditës sime. Më pas kam dhe biznesin tim të trajtimeve të fytyrës, që punoj pasdite. Më pas pjesa tjetër e kalon me bashkëshortin dhe me familjen time. Është një ditë që kalohet me punë. Mendoj se njeriu duhet të luftojë në vitet e rinisë për të ardhmen që dëshiron të ketë.

Ju po bëni një “luftë” të vazhdueshme që t’i ndihmoni vajzat e kolme. Sa ju ka mbështetur familja në këtë nismë?
Kam pasur mbështetje shumë të madhe nga familja dhe nga bashkëshorti im. Sepse përveçse bëj një luftë për vajzat e “kolme”, unë bëj një luftë për të gjithë shoqërinë që të heqin dorë nga paragjykimet, bulizmi, që ne i bëjmë njëri-tjetrin, luftoj për një shëndet të mirë mendor. Para se të isha në ndihmë për të gjithë ato vajza që unë bëj terapi, kam qenë një ndihmë e të gjithave atyre që janë afër meje. E ku ka më mirë se sa të kesh një psikologe në shtëpi, që t’i bën gjërat të kalojnë me lehtë.

Jeni e martuar, por nuk keni bërë ceremoni. Pse kjo zgjedhje?
Mendoj se të martuar nuk të bëjnë letrat. Të martuar të bën dashuria pa kushte, respekti për njëri-tjetrin, bashkëpunimi në të gjitha fushat e jetës. Prandaj jam martuar me Serxho Muzhaqi, sepse ka qenë mbështetja ime më e madhe dhe shoku im i jetës.

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?
Synimi im i parë është të krijoj familje. Dua të jem në institucionet shtetërore, sepse mendoj se kam shumë njohuri për t’u dhuruar fëmijëve dhe adoleshentëve sesi t’i kalojnë këto vite të bukura të jetë, jo në depresion dhe jo në ankth, jo duke sharë njëri-tjetrin. (Me organizatën “Pink Movement” kemi bërë disa seminare nëpër gjimnaze dhe shumica e këtyre vajzave vuanin nga ankthi. Vajzat e organizatës u munduan t’i ndihmonim sadopak ato). Synimi tjetër kam edhe hapjen e një vendi mikpritës, qetësues, kurues, ku do ketë si bazë shëndetin mendor dhe atë fizik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.