OPINION

Dita e parë e shkollës e “fshirë” nga kalendari i një 7-vjeçari

07:29 - 18.09.18 Trëndafile Visha
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ishte thyer mesdita kur në ambientet e jashtme të kafe “Flora”, në zemër të kryeqytetit, hyri një vogëlush imcak, me sy të kaltër. Me një buzëqeshje prej engjëlli u afrua në tavolinën tonë, ku po pinim kafe. Nuk tha asgjë, por m’u hodh në qafë. Kishte një aromë prej qumështi, si të një bebe disa muajsh. Më shtrëngoi fort, fort dhe vetëm qeshte. Më depërtoi thellë në shpirt përqafimi i djalit. E mbështeti faqen e tij në faqen time dhe mbylli sytë. Më pas u shkëput për një çast dhe më rroku për mesi duke ma vënë kokën në gjoks. Shtanga. Shtangu dhe kolegia ime, e cila i thërriste, biri, biri, e ndërsa i thoshte: “O Zot sa i bukur dhe i ëmbël je”. Djali e përqafoi dhe atë. E shtrëngoi, fort, fort dhe ashtu si mua nuk donte ta lëshonte. U hutuam. E humbëm fare. Në atë çast të dyja po ëndërronim djalin tonë të munguar. Dhe ishte aq i fisëm, ai vogëlush i pastër dritë, i veshur me një bluzë me krahë të shkurtër bojëkafe dhe me pantallona blu treçerekëshe. Nuk e di sa minuta zgjati ai përqafim live në lokal që shokoi gjithë klientët. (Më ngjau si përqafim i një jete…). Hapa çantën dhe i dhashë ca monedha. Ndonëse ai nuk kërkoi asgjë. Mendova: Ky është punëtori më i vogël “shëtitës” i kryeqytetit. Nuk ma bënte zemra dhe nuk ma zinte goja fjalën lypës. Dhe kolegia ime e kapi për duarsh dhe i dha ca monedha. Dhe ai sërish e sërish vazhdonte të na përqafonte herë njërën e herë tjetër, thua se i kishim falur botën.
-Si të quajnë?
-Leo
-Leo?
-Si e ke emrin e plotë, Leo?
-Ibrahim.
-Ku banon ti, Leo?
-Në Institut.
-Prej andej vjen përditë?
– Po.
-Sa vjeç je?
Jam 7-të vjeç.
-Po sot pse je këtu? Përse nuk ke shkuar në shkollë, – e pyetëm unë dhe kolegia në një zë.
– Jam vonë… për shkollë. Nuk më kanë çuar.
– Do bëhesh djali im, apo i kësaj shoqes sime, – e pyeti kolegia.
-Jo, jo. Unë kam prindërit e mi. Nuk mund të bëhem djali juaj (dhe sërish na u hodh në qafë).
Më pas Leo shkoi në një tavolinë tjetër ku ishte një burrë rreth 55 vjeç. E kapi dhe atë për qafe. E puthiti fytyrën e tij me atë të burrit dhe ai shtangu. Pastaj e përfshiu për mesi ashtu ulur. Burri u ndie në siklet. Njëra dorë i kishte ngrirë mbi këmbë dhe nuk po vendoste t’i jepte apo jo një monedhë djalit. Herë pas here hidhte vështrimin tek tavolinat e tjera. Kurnac dreqi, – thashë me vete.
Bëri, ç’bëri, burri i lëshoi vogëlushit në dorë një monedhë.
Leo shkoi në një tavolinë tjetër ku ishin dy djem. Nuk e shtriu dorën as para tyre. Nuk u kërkoi gjë. Thjesht i qeshte fytyra tej-e tej. Ashtu i qeshur iku prej andej edhe pse duarbosh kësaj here. U afrua te tavolina ngjitur me tonën ku ishin ulur dy djem rreth 22-vjeç. Iu hodh njërit në qafë. U bënë njësh. I riu nxori nga xhepi ca monedha, hapi dorën dhe i renditi mbi pëllëmbë një 100 lekësh, një 50 lekësh, një 100 lekësh, një 20 lekësh dhe i tha: zgjidh!
Leo nguli gjatë vështrimin te monedhat. Kishte turp. Ishte në mëdyshje. Një fëmijë tjetër, do kishte zgjatur dorën në çast, dhe ose do merrte 100 lekëshin, ose do i merrte të gjitha dhe sa hap e mbyll sytë do zhdukej. Por, jo, Leo mendohej e mendohej. Në fund zgjati dorën e mori një 100 lekësh. I riu i tha sërish: Zgjidh! Dhe Leo mori zemër. Zgjati dorën e mori 100 lekëshin tjetër. Dhe sapo bëri të largohej, djali nga Puka i tha: merri të gjitha. Oh! Veç ta shikoje Leon, fluturonte.
-Leo, futi lekët në xhep dhe ik! Mos ia jep ndonjë të rrituri. Ti je djalë me fat. Para teje ishte një vajzë më e vogël se ti dhe nuk i dhamë gjë, pasi jeni shumë, shumë, – thashë gati me të qarë.
– Ajo është motra ime.
-Sa vjeçe është motra?
-5 vjeçe. Kam dhe një vëlla 3 vjeç. Po mami është sërish shtatzënë dhe pres të më bëj me motër.
Ende s’e kishte mbaruar së treguari, kur nuk e di nga mbiu e motra. Një zeshkane. Nuk na besohej se ishin motër e vëlla. Po çfarë rëndësie ka kjo. Dy vogëlushët ikën dorë për dore. Ndërsa, rrugët e Tiranës ishin në kaos nga dita e parë e shkollës. Dita, të cilën Leos, fati i mbrapshtë ia ka fshirë nga kalendari. Se mos vetëm Leos…





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.