EKONOMI

Shitblerja e tokave/ 15 përqind tatim, dhurimi përjashtohet

11:17 - 19.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Shitblerja e tokës, qoftë ajo bujqësore ose truall do të tatohet me 15 %, ndërsa të ardhurat që realizohen nga kalimi i të drejtës së pronësisë do të përjashtohen nga taksa. Ky është ndryshimi thelbësor në nenin 8/1 të ligjit për tatimin mbi të ardhurat, i cili është botuar dje në Fletoren Zyrtare dhe hyn në fuqi në fillim të tetorit. “Të ardhurat e realizuara nga kalimi i së drejtës së pronësisë mbi tokën bujqësore nga një fermer i regjistruar te një fermer tjetër apo një person fizik a juridik që kryen aktivitet bujqësor, nuk tatohen.




Përjashtohen, gjithashtu, rastet e kalimit të së drejtës së pronësisë brenda lidhjes gjinore burrë, grua, fëmijë, nëpërmjet dhurimit dhe/ose heqjes dorë nga pasuria, kur pasuria rrjedh nga bashkëpronësia e detyrueshme e fituar në bazë të ligjit nr. 7501, datë 19.7.1991, “Për tokën”, të ndryshuar-thuhet në ligj”. Ndërkohë fitimi kapital i realizuar si rezultat i kalimit të së drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, ndërtesë, truall dhe tokë bujqësore, tatohet me normën 15 për qind, ndërsa shkëmbimi i truallit me sipërfaqe ndërtimi, në bazë të një kontrate shkëmbimi, nuk përbën moment për llogaritje të ndonjë fitimi kapital nga transferimi i pasurisë së paluajtshme. Për subjektet, të cilat zhvillojnë veprimtari pritëse të certifikuar si “agroturizëm”, sipas legjislacionit në fuqi në fushën e turizmit, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %.

Kjo shkallë aplikohet për një periudhë 10-vjeçare për personat juridikë që përfitojnë statusin “subjekt i certifikuar agroturizmi”, deri më 31 dhjetor 2021. Aplikimi i shkallës së reduktuar fillon në vitin tatimor pasardhës, pas përfitimit të statusit “subjekt i certifikuar agroturizmi.” Në ligj është parashikuar edhe ndryshimi në skemën e tatimit për lojërat e fatit. “Tatimi mbi lojërat e fatit, sipas nenit 52/2, të ligjit nr. 155/2015, “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, aplikohet me shkallën 15 % mbi të ardhurat bruto nga loja për të gjitha kategoritë e lojërave të fatit, përfshirë Lotarinë Kombëtare të licencuar sipas ligjit nr. 95/2013. E ardhura bruto nga loja është shuma e mbetur organizatorit nga diferenca midis shumës totale të luajtur nga lojtarët në lojërat e fatit dhe shumës së fituar prej tyre. Tatimi mbi fitimin llogaritet në përputhje me dispozitat e këtij ligji.”-thuhet në ligjin e botuar në Fletoren Zyrtare.

Shkalla e tatimit mbi fitimin është:

5 % për tatimpaguesit me të ardhura deri në 14 000 000 lekë në vit.
15 % për tatimpaguesit me të ardhura mbi 14 000 000 lekë në vit.
Për personat juridikë, të cilët zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas ligjit nr. 38/2012, “Për shoqëritë e bashkëpunimit bujqësor”, shkalla e tatimit mbi fitimin është 5 %.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.