Nostalgji

Nostalgji/ Kush janë VIP-at, që humbën dhe fituan bastet për Botërorin

16:00 - 21.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Kush janë VIP-at, që humbën dhe fituan bastet për Botërorin




Kastro kampion, deri më tani ka humbur 2 mijë euro Rrëfehen për futbollin, Ingriti, Zajmina, Anjeza, Tuna etj
Të gjithë ne jemi mbështjellë këto kohë nga emocione si ato që vetëm Kampionati Botëror i Futbollit mund t’i dhurojë. Tashmë, “kryefjala” e çdo bisede është sporti. Ngado që shkon vëren projektorë të mëdhenj që transmetojnë ndeshjet e Botërorit 2010. Skuadra që skualifikohen, sy që lotojnë, para që humbasin, shumë të tjera që fitohen… Kjo është atmosfera që na është paraqitur gjatë këtyre ditëve sportive, e që do vijojë të na përcillet në vijim, padyshim. Po, për kë bëjnë tifo VIP-at shqiptarë? Sa i duan ata bastet? Cili prej tyre është më i zoti në parashikime? Zbuloni në vijim të kësaj specialeje, cilat janë skuadrat që kanë rrëmbyer zemrat e personazheve tanë, dhe sa para kanë humbur ata gjatë këtij Botërori…

Kastro Zizo
Kantautori Kastro Zizo, është bastexhiu më i rregullt në listën e VIP-ve që kemi zgjedhur sot. Është tifoz i çmendur i Argjentinës, megjithatë si një futbolldashës i flaktë, Kastro nuk lë pothuajse asnjë ditë pa vënë baste. Deri më tani, ka fituar vetëm një herë, një shifër prej 400 eurosh, ndërsa në bastet e tjera, ka provuar vetëm humbje. Me një përllogaritje të thjeshtë Kastro na ka treguar se deri tani mund të ketë humbur më shumë se 2000 euro me skedinat sportive. Aktualisht Kastro është duke jetuar në Kosovë, ku dhe po ushtron profesionin e regjisorit në një televizion privat. Pas suksesit të këngës “Muallaga”, Kastro është duke përgatitur një bashkëpunim me këngëtarin Agim Poshka, i cili pritet të jetë shumë i suksesshëm.

Ilir Shaqiri
Shumëkush mund të mendojë se balerini i njohur shqiptar, në Itali, Ilir Shaqiri, do të kishte si skuadër të zemrës, vendin ku dhe jeton prej vitesh, Italinë. Në fakt nuk ka ndodhur aspak kështu. Iliri, në këtë Botëror bënte tifo për skuadrën e Brazilit. Nuk është një bastexhi i thekur, por megjithatë ai pranon se vë baste sa herë e ka të sigurt që fiton. Me siguri Shaqiri, nuk ka vënë ndonjë bast ne ndeshjen Brazil-Hollandë, pasi ndeshja ishte goxha e vështirë. Shaqiri, së fundmi ka qenë prezent në Tiranë, përmes spektaklit të Vera Grabockës, “Dancing with the Stars”, ku dhe e pamë si kryetar të jurisë.

Ingrit Gjoni
Këngëtarja e suksesshme Ingrit Gjoni, do t’i bashkëngjitet tifozerisë së VIP-ve, që janë me Italinë. Ingriti na tregon sot se ka mundur të ndjekë vetëm 1 prej ndeshjeve të Italisë, në fazën e parë, për shkak të impenjimeve të shumta që ka me koncertet këto kohë. Edhe Ingriti, sikundër dhe gjithë tifozët e tjerë të Italisë, ka humbur 50 mijë lekë (të vjetra) për Italinë, në ndeshjen Itali-Sllovaki. Megjithatë, duke qenë se Italia e la në mes rrugëtimin e saj në këtë Botëror, Ingriti kishte edhe një skuadër rezervë, Brazilin, po që si Italia e la në mes udhëtimin në këtë botëror. “Tani e tutje, do të bëj tifo për Brazilin”, na tha Ingriti pak ditë më parë, e cila vijonte më tej duke thënë se “do të vë baste vetëm kur ta kem të sigurt që fiton skuadra ime. Uroj që Brazili të mos më zhgënjejë, sikundër bëri Italia”. Por, teksa kontaktuam dje, Ingriti, na tha se ishte e zhgënjyer dhe nuk donte të fliste më për këtë. Pritet që shumë shpejt Gjoni, të publikojë klipin e saj më të ri, për të cilin ju sigurojmë se do të jetë i paparë.

Zajmina Vasjari
Është pa diskutim një nga këngëtaret më seksi të skenës shqiptare, dhe së fundmi ka provuar suksese të njëpasnjëshme… Pasi ka publikuar me sukses klipin e këngës “Problem”, ka fituar edhe tre çmime të rëndësishme për karrierën e saj, 2 prej të cilave në Kosovë. Aktualisht është duke punuar për realizimin e albumit të saj, dhe ka, ndërkaq, në plan të nxjerr shumë shpejt edhe një klip të ri. Këngëtarja bukuroshe Zajmina Vasjari, që aktualisht i është nënshtruar sezonit të provimeve për arkitekturën, ka ndarë me ne preferencat e saj sportive. Madje madje, ajo mund të cilësohet pa frikë një nga ndjekëset më fanatike të këtij kampionati, pasi nuk ka lënë pa ndjekur asnjë prej tyre. “Të gjitha ndeshjet i kam ndjekur, madje kam vënë dhe baste”, – tregon Vasjari. “Tifo kam bërë për Italinë, por meqë ajo nuk mundi të shkonte më tej në këtë kampionat, shpresoj që të fitojë Argjentina”, – përfundon Zajmina. E pyetëm për shifrën që kishte vënë në baste, por ajo preferoi ta mbante vetëm për vete këtë detaj.

Tuna
Për Altuna Sejdiun, futbolli më shumë se sa një sport që e shikon për kënaqësi, është një detyrim për të bërë qejfin e familjarëve, sidomos të bashkëshortit dhe të atit. Nuk është ndonjë tifoze e çmendur, megjithatë, dëshiron që të fitojë Gjermania. “Ne jemi familjarisht me Gjermaninë, pastaj dhe babi im, si kampion i shumëfishtë në mundje, shpesh herë tregon për disiplinën që kanë gjermanët në sport. Këto më kanë bërë që ta dua Gjermaninë”, – pohon Altuna. Nuk ka vënë ndonjëherë baste dhe nuk ka ndërmend ta bëjë. “Nuk më pëlqejnë bastet, për më tepër loja nuk është asnjë herë e sigurt”, – përfundon ajo. Aktualisht Tuna është duke menduar, së bashku me bashkëshortin e saj, për vendin në të cilin do të kalojnë pushimet verore dhe muajin e mjaltit, si dhe ka disa projekte interesante në dorë, për të cilat do t’ju tregojmë më gjerësisht në numrat në vijim.

Anjeza Branka
Edhe këngëtarja Anjeza Branka, është gjithashtu tifoze e Gjermanisë. “Në këtë kampionat, i përkas tifozerisë së gjermanëve”, – deklaron Anjeza. Pas publikimit të baladës së saj më të fundit, për të cilën realizoi edhe një klip mjaft interesant, Anjeza na tregoi se ka në plan që shumë shpejt të nxjerrë një këngë dhe klip të ri. “Në harkun kohor të dy javëve, do të jetë gati dhe klipi i ri”, – tregon Anjeza. Kjo periudhë edhe për të do të jetë shumë e ngjeshur me koncerte… Branka, mami më seksi që na kanë zënë sytë në shoubiznesin shqiptar dhe jo vetëm, na tregoi gjithashtu se ka vendosur që të vërë një bast të majmë në finale për Gjermaninë, por shifrën ende nuk e ka menduar.

Turjan Hyska
Ai i bën të gjitha, madje me shumë sukses. Turjan Hyskën, djalin simpatik të “Produkt 28”, nuk dimë se si ta etiketojmë! Këngëtar, prezantues apo producent… Nuk dimë kë t’i vendosim si profesion, por ama, skuadrën e tij të preferuar e kemi zbuluar. Turi është gjithashtu tifoz i Gjermanisë. Nuk i pëlqen të vërë baste, megjithatë dimë që parashikimet i ka gjithmonë të sakta. Së fundmi Turi, sikundër dhe gjithë djemtë e tjerë të grupit, e ka lënë pak pas dore muzikën. Megjithatë, ai nuk i ka munguar asnjëherë ekranit përmes emisioneve të tij të suksesshme. Pritet që shumë shpejt djemtë e “Produkt 28” të publikojnë këngën e tyre më të re, pavarësisht se dhe kjo mungesë ka qenë një zgjedhje e tyre e përbashkët.

Inida Gjata
Po Zhaku, për kë skuadër bën tifo në këtë Botëror? Brazili është skuadra që ka rrëmbyer zemrën e show-girl-it të njohur shqiptar. “Më pëlqen të bëj tifo për të mëdhenjtë, për fitimtarët”, – na thotë Zhaku. Ndonëse nuk i do fare bastet dhe bastexhinjtë, ajo na tregon se është e përpiktë në parashikime. “Nuk i dua bastet, por edhe nëse do të vë ndonjëherë, ju siguroj që do ta dal fituese, pasi më dalin gjithmonë parashikimet”, – përfundon Zhaku. Sapo ka mbyllur me sukses shfaqjen e saj të fundit si regjisore, në Akademinë e Arteve, dhe ndërkaq është shumë e angazhuar me jetën sociale të Shqipërisë.

Marina Vjollca
Ajo është e bukur, e ëmbël, është një nga biondet më simpatike të ekraneve shqiptare. Marina Vjollca, prezantuesja e çiltër, vjen sot në “Bluetooth”, për të na zbuluar emrin e skuadrës për të cilën bën tifo. Marina në këtë kampionat bënte tifo për Brazilin. Nuk ka vënë ende asnjë bast, pasi vëren se situata këtë vit, nuk është fort e favorshme. Kanë ndodhur çudira dhe nga skuadra të mëdha, për të cilat nuk diskutohej fitorja, kjo ka qenë dhe arsyeja pse Marina është stepur. Por, megjithatë ajo na tregon se ka në plan, që në ndeshjet finalizuese, të vërë ndonjë bast të vogël, pasi tani e ka studiuar më mirë edhe lojën e skuadrave, dhe është më e sigurt që paratë e saj nuk do të shkojnë dëm. Marina, është sigurisht e mërzitur për shkak se skuadra e saj e zemrës humbi dje në ndeshjen me Hollandën.

Ky shkrim u botua më 3 korrik 2010


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.