KULTURË

LORI LAKO/ Deti asht larg, por të kripun i kam lotët

14:05 - 23.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është çelur më 14 shtator në Galerinë e Arteve të qytetit të Shkodrës ekspozita personale e artistes Lori Lako me titull: “THE SEA IS FAR, THOUGH MY TEARS ARE SALTY”. Ekspozita u mbështet nga Bashkia e Shkodrës, në kuadër të përkrahjes së projekteve institucionale që nxisin dhe promovojnë krijuesit e rinj në fushën e artit e të kulturës. Ajo do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 14 tetor. Si fituese e çmimit “Idromeno” vitin e kaluar, artistja Lori Lako vjen para publikut me një sërë punësh që krijojnë një panoramë me të plotë të stilit dhe botëkuptimit të saj artistik. Ekspozita përkoi me pjesëmarrjen e saj në “Art House School”. Artikulli i mëposhtëm që po boton “Gazeta Shqiptare” është një kontribut i Adrian Pacit, artist i skenës ndërkombëtare të artit, pedagog në Venecia dhe themelues i “Art House” në Shkodër. 




Nga Adrian Paci: Ka disa ditë që në galerinë e qytetit të Shkodrës, asht hapë një ekspozitë që meriton vëmendje dhe shënon debutimin në skenën e artit shqiptar të artistes Lori Lako.

Lindun në Pogradec dhe e shkollueme në Firence, Lako vjen në këtë ekspozitë të parë personale me një timbër zani krejt të veçantë. Punimet e saj dallohen nga një vëmendje therëse e një ndjeshmëni e butë, e cila përvijon ndërhymje ku thjeshtësia formale bashkëjeton me dendësinë konceptuale e ku kjo e fundit, nuk i mbivendoset punimeve nga jashtë, por buron prej tyne.

Ka gjithmonë diçka intime në punimet e Lori Lakos që ndeshet me një dimension ma të gjanë, herë të dominuem nga konturet gjeopolitike, herë nga ndërhymjet teknologjike e herë nga të dyja bashkë.

Ky intimitet nuk bahet kurrë sentimental megjithëse dimensioni afektiv rrin pezull mbi punët e artistes duke i dhanë formave në dukje minimale një vibracion prekës. Në hymje të ekspozitës vizitori ndeshet me një katror të kaltwr e transparent, në thellësi të të cilit shfaqen lehtas disa linja që syni mezi i kap. Duhet të afrohesh me kujdes që aty të dallosh përvijimet gjeografike të globit që e ka humbë dimensionin e tij të rrumbullakët për të na u paraqitë në formën konvencionale të një harte. Konturet e ravijëzimeve gjeografike janë zhytë nën peshën trasparente të kaltërsisë që sugjeron një unifikim të mundshëm apo një rifillim biblik, ku çdo gja dremitet nën ujë.

Ma tej, ekspozita zhvillohet në dy hapsina ku nga njena anë qëndrojnë disa punime video, e nga ana tjetër foto e vizatime.

You can’t go green asht titulli i videos që na del përpara sapo futemi në sallën e errët. Një fushë e gjelbër dhe e pikselueme asht protagoniste. Syni rrëshqet në sipërfaqen e blertë e herë mbas here hapsina e ekranit konturohet nga linja të bardha që na flasin për një fushë futbolli. Jena në prani të një ndeshjeje ku dy skuadra me flamuj e me himne të ndryshme përballen me njena- tjetrën, në luftën se kush do ta fusë topin e rrumbullakët në rrjetën e tjetrës. E gjitha kjo veçse mbetet e padukshme. Syni i Lakos shmang gjithçka që ka lidhje me agonizmin sportiv dhe ndjek me ngulm obsesiv ato pjesë të fushës ku mungojnë lojtarët apo topi. Përjashtimi i skuadrave, tifozerisë dhe topit, i jep fushës së blertë një tjetër dimension e një tjetër mundësi në dukje ma paqësore, ndonëse tensioni që ky përjashtim prodhon nuk rrin pa lanë gjurmë.

Ky tension i qetë në dukje, përshkon të gjitha punimet e tjera video. Dy zogj të zinj i rrinë si dy rojtarë të motshëm anash një peizazhi me borë. Lëvizjet e tyne mbajnë në tension ekuilibrin formal të skenës po aq sa ekuilibrin emotiv të mardhanies mes tyne. Mundësia që ata të qëndrojnë aty ndeshet vazhdimisht me mundësinë që njeni ose të dy, ta braktisin skenën duke e prishë përfundimisht këtë ekuilibër sa solemn aq edhe të brishtë. Një tufë me qenë endacakë i sillen rrugëve të Shkodrës natën vonë e fare pranë, ose ma mirë me thanë në mes tyne, prezenca e artistes na dëshmon një afërsi që shmang çdo ndjesi kërcënuese. Mungesa e zanit i jep videos një dimension ma misterioz e abstrakt ndërsa vështrimi kalon nga trupat e shpenguem të kafshëve tek simboli i ndriçuem i një hoteli luksoz; Grand Hotel Europa.

Dy projeksione rrinë krah njeni-tjetrit në mur, e para nesh shfaqen dy trupa që janë shtri e po flenë. Janë një djalë e një vajzë. Gjithçka flet për një dimension të afërt e intim derisa nuk e kuptojmë se ajo që po shohim asht një filmim në skype dhe dy trupat gjenden larg njeni tjetrit. Videoja vazhdon kështu e gjatë e monotone, si vetë gjumi i tyne. Nuk ka dialogje, buzëqeshje, kryqëzim vështrimesh apo gjeste afektive. Megjithatë ka diçka që ta ngacmon vazhdimisht fantazinë mbi një mardhanie të mundshme e cila mbetet peng i largësisë po aq sa edhe aktualizohet nëpërmjet imazheve të videos. Jo vetem dy trupat janë larg njeni-tjetrit, por edhe artistja nuk asht aty duke i filmue me kameran e saj siç pat ba dikur Andy Warhol kur filmonte “The Sleep”. Synin dhe prezencën e artistit, tashti e zëvëndeson kamera e kompjuterit dhe një file video që dërgohet me google drive.

Google i vjen në ndihmë artistes edhe për realizimin e fotografisë SH64. Romanticizmi i skenës, ku buzë liqenit një çift të moshuemish shëtisin në prezencën e një karroce, ndeshet me informacionin e ftohtë e të depersonalizuem që vjen nga website. Kush janë këto dy njerëz? Cila asht historia e tyne? Si e përjetojne ato mardhanien me njeni-tjetrin e me peizazhin që i rrethon? Pyetjet ngelin pa përgjigje sa do që informacioni i përftuem nga teknologjia kërkon me deshifrue çdo element përbamës të imazhit, duke depërtue në skutat ma të imta të realitetit e duke e transformue atë në një furnizues të dhanash e algoritmesh. E njëjta dinamikë, ndonëse me mjete të tjera, na vjen në seritë e fotografive Possibly may be. Gjurmët e kalimeve të avionëve në një qiell të kalter ku brishtësia e shenjës koinçidon me poezinë e një fantazie të mundun që i mveshet çdo udhëtimi, shoqnohen me informacionin e ftohtë mbi pikënisjet dhe destinacionet si për me dashtë me ngërthye përfundimisht në një të dhanë preçize atë që shenjat e dritshme e ofrojnë vetëm si sugjerim.

Takimi problematik, por aspak ballor, mes intimitetit dhe pushtetit i jep formë një tjetër fotografie; Never great, ku flamuri i një kombi të fuqishëm dhe fotografia e presidentit të tij gjenden në hapsinën e vogël të një dyqani berberi të fotografuem mbas xhamit reflektues së derës së mbyllun. Mbivendosjet që reflektimi paraqet shërbejnë edhe si sugjerime për shtresëzimet interpretuese që fotoja në thjeshtësinë e saj ofron.

Punimet e Lori Lakos shmangin çdo strukturë monumentale e çdo retorikë shprehëse. Ato mbesin të brishta e vibruese. E provokojnë mendimin pa u ba didaktike e pedante. Artistja nuk orvatet me formulue mesazhe të parapërgatituna e me ia paraqitë ato publikut, por ndan me ne një ndjenjë habie e mrekullimi të shqetësuem e shqetësues. Punët e saja nuk kërkojnë me e marrë për dore shikuesin në një udhëtim të paracaktuem e as me e joshë me forma të bukura e sugjestive, por synojnë me i sugjerue një mundësi leximi të botës ku e përditshmja dhe periferikja marrin vëmendje e ku ndjenjat tona nuk janë territore të ngrohta përkundjesh, por zona problematike të banueme nga tensione e konflikte të pashmangshme.

Një vizatim i vogël në një letër kartoline të vjetër, por kurrë të dërgueme, na paraqet një fytyrë të brishtë nga ku një pikë loti rrjedh poshtë për t’u transformue në shprehjen që shoqnon aq dendun spektaklin shumëngjyresh në të cilin jetojmë: Enjoy!

JETËSHKRIM I ARTISTES

Lori LAKO (Pogradec, Shqipëri, 1991) jeton dhe punon në Firence, Itali. Ka kryer studimet në Akademinë e Arteve në Firence dhe një eksperiencë simestrale në Akademinë e Arteve në Mynih. Me anë të punës të saj artistike reflekton mbi gjendjen e njeriut postmodern, në një botë të shpejtë, mes një morie imazhesh e informacionesh që i vështirësojnë kujtesën historike dhe kërkimin e vetvetes. Prej këtu lind nevoja e krijimit si një proces kontemplativ që shpesh sjell në sipërfaqe dimensionin poetik të të qënurit. Ndër ekspozitat ku ka marrë pjesë veçojme: Polis BBQ, Arte fiera (Bolonja 2018); Fituese e çmimit kombëtar për artin bashkëkohor “Idromeno”, Galeria e Arteve (Shkodër 2017); Di queste luci si servirà la notte, Le Murate / Projekte për Artin Bashkëkohor (Firence 2017); TU 35 Expanded, Qendra për Artin Bashkëkohor Luigi Pecci (Prato 2017); Downside-up, Tirana Art Lab (Tiranë 2016); Era pacifica pare, Careof (Milano 2016); Jahresausstellung, Akademia e Arteve, (Mynih 2015); Nuovo cinema Masaccio, Casa Masaccio, (San Xhovani Valdarno 2014). Këtë vit ajo ishte njëra ndër artistet e përzgjedhur për Art House Scool në Shkodër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.