Kryesore

Nuk jeni vetëm zj. Marku

07:00 - 23.09.18 Fatos Çoçoli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Numërohen ndoshta me gishtat e njërës dorë, në këto 106 vite histori të shtetit tonë, ata drejtues institucionesh kryesore të shtetit që kanë gjetur kurajën t’i drejtohen qytetarëve në momente të vështira të tyret. Në letrën që Prokurorja e Përgjithshme e vendit na drejtoi vetëm dy ditë më parë, ndihet pak vetmi: ”Jam me mandat të përkohshëm përpara krimit dhe korrupsionit që kanë mandat të përhershëm”, shprehet ajo. Madje deri diku edhe një si lloj pasigurie dhe pafuqishmërie. E pasigurtë dhe e pafuqishme përse? Nga presioni i krimit, i politikanëve të korruptuar, i gjithë atyre që brenda vetë prokurorisë kanë pranuar paratë e kriminelëve dhe vjedhësve të shtetit dhe sot ndihen të kërcënuar? Sigurisht që po! Ky presion është i jashtëzakonshëm. Por ai duhet përballuar. Dhe përballimi i fortë dhe i shtrirë në kohë vjen vetëm kur nuk ndihesh vetëm. Si qytetarë duhet të reagojmë ndaj kësaj vetmie, qoftë edhe në miniaturë. Nuk duhet ta lëmë këtë dinjitare shtetërore që të zhgënjehet në kurajën e saj. Që të gjejë konfort vetëm nga vizitat dhe fjalët zemërdhënëse të ambasadorëve perëndimorë ose përfaqësuesve të donatorëve të huaj. Këta ndihmojnë, por nuk të ngrohin dot. Mbështetjen e vërtetë të madhe ta jep vetëm i yti, populli yt! Po ku jemi ne, si qytetarë? Nëse prokurorja ndihet e vetmuar në “përkohshmërinë” e emërtimit të saj, na takon ne t’i bëzajmë të mos ndihet e tillë. Reforma në drejtësi është një aleate e jashtëzakonshme. Edhe pse e vonuar, e shigjetuar, mes stërkëmbësash, përfoljesh e sulmesh mjerane personale, kjo reformë po ecën. Është aleati i saj profesional më i mirë. Nëse Policinë e sotme të Shtetit e ndihmon me informacion policia kriminale e Belgjikës për të kapur “të fortët” tanë të krimit, kjo tregon se policia shqiptare është rritur në imazhin e saj në Perëndim dhe, edhe pse, ende e shënuar nga ethet e kaluara të kanabisit, po i qëndron përpara krimit. Në krye të saj është një shërbestar publik i sprovuar. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka rreth shtatë vjet që nuk pyet ndikime politike dhe qindra dosjet e kallëzimeve të tij penale këto vite janë lëndë e parë e jashtëzakonshme, si për prokurorinë edhe për strukturat speciale të reformës në drejtësi që do të ngrihen shumë shpejt, për të luftuar korrupsionin. Edhe në krye të tij qëndron një shërbestar publik i sprovuar. Nuk jeni vetëm zj. Marku. Lind pyetja: po ne si qytetarë, ku jemi, për Prokuroren tonë të Përgjithshme që po na sqaron (por ky sqarim është edhe një thirrje për mbështetje) me një letër? Në mbrojtje të Prokurores Speciale të Rumanisë u ngritën me qindra mijëra vetë në sheshet e Bukureshtit për muaj të tërë. Zj. Marku, nëse doni të jeni një shërbestare publike e këtij vendi dhe të mbaheni mend gjatë, mos u ndjeni e vetmuar. Të jeni e sigurt se ju nuk do të keni fatin e Prokurores Speciale të Rumanisë, Laura Kodruta Kovesi, heroinës moderne të popullit rumun, e cila ngriti në afro 5 vjet 1870 akuza për korrupsion ndaj zyrtarëve më të lartë shtetërorë të vendit të saj, duke bërë që mbi 80 ministra, zv/ministra, drejtorë dhe funksionarë të tjerë të shohin dyert e burgut për krime institucionale dhe korrupsion dhe që u shkarkua. Nëse Ju bëni një të dhjetën e punës së Kovesit, të jeni e sigurt se nuk ju preket asnjë fije floku. Nëse heroina moderne rumune u shkarkua në korrik të këtij viti nga Presidenti i Republikës së Rumanisë, pasi këtij të fundit partia në fuqi i ishte kërcënuar se do të niste procedurat për shkarkimin e tij, nëse nuk hiqte Kovesin, të jeni e sigurt se këtu tek ne nuk ka asnjë burrë nëne t’ju prekë sadopak institucionalisht për veprimet që do të ndërmerrni në emër të ligjit dhe të interesit të shqiptarëve. Ndoshta si qytetarë do të duhej të shkonim të paktën me qindra në dyert e prokurorisë për t’u solidarizuar me Prokuroren tonë të Përgjithshme, pas kundërveprimit të prokurorëve që u sprapsën nga presioni i krimit. Ende nuk e kemi bërë këtë. Por ende nuk është kurrë vonë që ta bëjmë.




 

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Edhe fakti që nuk ja asnjë koment solidarizues me shkrimin, është shumë dëshpërues. Sikur të kishte ndonjë thagmë nga ato të “qytetarit digital”, apo ndonjë scoop, do gëlonin qindra të tilla kundrejt artikujve që do të mbushnin me tituj në faqe të parë gazetash e ekrane TV! Gjithsesi është koha e duhur për ta vërtetuar atë që thuhet, se 92% e shqiptarëve mezi presin rezultatet e reformës në drejtësi. Zonja A. MARKU është preludi i kësaj. Por i duhet vërtetuar dhe dhënë mbështetja. Para dy ditësh një thirrje të tillë e bëri dhe gazetari M. Kikia, por kjo duhet të vazhdojë. Ku është shoqëria civile, ato dhjetra e qindra të tilla, të cilat shpesh merren me gjëra periferike, që nuk i përkasin gjithë shoqërisë dhe forcimit të shtetit si një domosdoshmëri për të ardhmen. Pse nuk bëhet thirrje prej tyre në solidarizim me një funksionare të lartë që në këtë rast është dhe një grua! Pse tolerohet gjuha denigruese e disa segmenteve të caktuara të politikës ndaj saj? Sigurisht që shantazhi ka për qëllim në mos frikësimin e saj është dhe pengimi/sabotimi në kryerjen e detyrës shumë të rëndësishme në këtë moment, praghapjes zyrtare të negociatave me BE, e cila e ka vënë si kusht të parë rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit të politikanëve e zyrtarëve të lartë dhe krimit si aleate e tyre. Është koha për veprim!

    Përgjigju ↓
  2. MYSHEVIR SHABANI Ky ARTIKULLESHTE NJE MANIFESTMBARE SHQIPTAR QEBEHET PER TI THENE ZONJES KRYE PROKURORE TE PERKOHSHME TE SHQIPERISE SE NUK JENI VETEM KJO ESHTE NJE E VERTET E PAMOHUESHME SE NUK JENI VEYEM EDHE UNE NJE 80 VJECAR,NJE QYTETARE TIRANE 40 VJET DHE 23 VJET QYTETAR AMERIKAN E MBESHTESEFAMILJARISHTKETE ZONJEPROKURORE ESHTE HERA E PARE QE SHQIPERIAKA NJE PROKURORE TE PERGJITHSHMEPOR TE PERKOHSHME>KJO FJALA E PERKOHSHME PROKURORE MARKUTE NDJEHET E TREMBUR>KJO PERKOHSHMERI E SHPIKUR NGA ISH QEVERITARET DHE QEVERITARET E TANISHEM E TREMBIN SHUME ZONJEN MARKU.PRANDAJ ESHTE NORMALE QE DUKE MARRE SHKAS NGA KY MESAZH MANIFESTI I ZOTIT FATOS COCOLI TE VEPROHET ME NJE HERE QE FJALA PROKURORE E PERGJITHESHME E PERKOHESHME TE HIQET DHE TE ZEVENDESOHET ME TITULLIN PROKURORE E PERGJITHME E POPULLIT SHQIPTAR.QEVERIA RAMA,PARLAMENTI OPOZITA URGJENTISHT TE MBLIDHEN DHE TA KORIGJOJN OSE NE PAMUNDESI TE KORDINIMIT TE PROPOZOHET ME REFERENDUM POR PJESE E TIJ TE JETE DHE DIASPORA.MYSHEVIR SHABANI NY TE FALEMINDERIT PER MUNDESIN QE ME JEPNI PER KOMENTIN THANKS

    Përgjigju ↓