KULTURË

Hervin Çuli: Festivali mbarëkombëtar, mbledhim teatrin shqip në Tiranë

13:35 - 24.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Imazhi bazë i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit që u hap mbrëmë në “arTurbina” është një foto nga “Topazi”, ku regjisori Andon Pano me Olga Shyraja marrin pjesë në shfaqjen e parë të Teatrit Kombëtar. Nis me këtë shpjegim, konferenca për mediat e Hervin Çulit, drejtorit të Teatrit Kombëtar në ekzil, që prej 1 muaji po përqendron punën në ambientet e skenës së re, te “arTurbina”. Një set kartolinash me imazhe të shfaqjeve të teatrit të viteve 1950, shënjuese librash, e bluza me nistoret e Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, janë shpërndarë në tavolinën e tij. Për Çulin është një moment historik. FMT do të zhvillohet në datat 23-30 shtator.




“Përveç çeljes së Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, një ngjarje që kthehet pas 20 e ca vitesh, për herë të parë në skenën e ‘arTurbinës’ kemi një premierë teatri, veç koncerteve që janë mbajtur këtu. ‘Tag’ është shfaqje historike, sepse ajo është e parë që luhet në skenën e madhe të ‘arTurbinës’. Festivali është një eveniment për të cilin unë kam luftuar shumë dhe e bëmë realitet. Marrin pjesë 14 trupa teatrore nga gjitha trevat shqipfolëse, Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi me një volum të jashtëzakonshëm, dy shfaqje në ditë. Në orën 18:00 në sallën e Universitetit të Arteve dhe në 21:00 në ‘arTurbinë’. Ka mbështetjen e plotë të Ministrisë së Kulturës me rastin e vitit të Skënderbeut dhe kemi një ndihmë nga Bashkia e Tiranës. Është festë e madhe për teatrin shqiptar”, thotë Çuli.
Nuk ka pasur përzgjedhje të pjesëve që vijnë në Tiranë. “Vendosëm t’u drejtohemi teatrove publikë dhe ata të përzgjedhin veprën që mendojnë se është më e denja për të marrë pjesë në FMT. Nëse e bëjmë FMT-në vitin tjetër, do e kemi përzgjedhës sepse ka shumë shfaqje nga skena e pavarur që duhet të jenë pjesë e një festivali të madh”.

I pyetur për ndarjen e fondit, ai tha se teatrot i sjellin vetë rekuizitat, nuk ka buxhet për ta. “Ka një juri që përbëhet nga presidenti i festivalit e kryetari i jurisë, Ndriçim Xhepa, e në juri janë edhe Luli Bitri, Shkumbin Istrefi, Qëndrim Rijani dhe Josif Papagjoni”. I pyetur për spotin promovues, ku shihen edhe Reshat Arbana e Ndriçim Xhepa, Çuli bëri me dije se, “spoti ka qenë ide e imja që figurat më të njohura të artit shqiptar të ishin ato që i bënin thirrje publikut shqiptar që të ishin pjesë e festivalit dhe ‘arTurbinës’, që është një sallë e re që duhet ta promovojmë që të jetë e frekuentuar nga publiku”.
Për festivalin në tërësi, në dispozicion kanë qenë 80 milionë lekë të vjetra nga ministria, 7 milionë nga një bankë dhe në zërat teknikë është ofruar Bashkia e Tiranës. “Ajo që krijon vështirësi në një festival është akomodimi (hoteleria) dhe ushqimi. Nuk ka ndarje për secilën shfaqje, është një buxhet në total, që bëhet për të gjitha shfaqjet me numrin përkatës të trupave, me njerëzit, duke arritur që t’i akomodojmë sa më mirë. Pjesa tjetër, do kemi çmime dhe kjo është e rëndësishme, se kemi shumë çmime. Është natyrë garuese e kemi 9 çmime: Shfaqja më e mirë, regjia më e mirë, aktori dhe aktorja kryesore më e mirë, aktorja dhe aktori i rolit të dytë më të mirë, çmimin e skenografisë, kostumografisë që është një çmim që pothuajse është eliminuar, por për ne është shumë i rëndësishëm”, drejtori i TK-së në ekzil, Hervin Çuli. Ai tha se kanë nisur përgatitjet para 6 muajsh, ndërsa muajin e fundit përqendrimi ka qenë në ‘arTurbinë’, sepse “dihet aktiviteti i TK-së do vazhdojë te skena e re”.

“TAG”
Komedia e Bashkim Hoxhës pati provën gjenerale të shtunën, me arkitektin e ‘arTurbinës’, Olsi Eftimi që monitoronte nga cepat e sallës, punën e tij me institutin e kthyer në skenë arti.

Me regji të Andia Xhungës, e me shumë elemente të “Zonjës nga qyteti” jo vetëm në personazhe (si risjellja ndryshe e Koçit apo e postierit) që përforcoheshin me hyrjen në skenën e lokalit të fshatit të Melit (Rajmonda Bulku) mes batutave e naivitetit të fshatit dhe batutave politike të Ramës e Bashës, shfaqja nuk linte vend për imagjinatë. Aktualiteti politik e social vinin pa komplikime dhe pa mesazhe të koduara. Përqeshja e deputetit nga Artan Imami përmes lidhjeve me ‘skype’ ripërsëriste batutat e politikanëve duke baltosur edhe në skenë imazhin që lënë jashtë saj. Megjithëkëtë, komedia nuk ia del të ketë epërsi të dukshme dhe të sjellë parasysh spektaklet televizive të fundjavës që përqeshin ato që ndodhin gjatë javës. Olta Daku ruan si gjithnjë pozicionin e imazhin e saj në skenë, sikundër Mehdi Malka. Bitraku qëndron mirë brenda kostumit të veterinerit, sikundër Adelina Muça në atë të vajzës së fshatit. Cerga si shqiptar i kthyer nga Italia e përcjell mirë emigrantin që flet sa italisht, aq shqip, ndërsa personazhi i Deçkës dhe Ferrës ruajnë balancat në skenë. Skenografia e Shkodranit bën diferencën dhe në po atë nivel është edhe kostumografia e Kokonës.

Vepra ka në role aktorë të Teatrit Kombëtar, por edhe jashtë tij. Për të sjellë këtë vepër teatrore shqiptare, regjisorja Andia Xhunga ka zgjedhur aktorë si Olta Daku, Gert Ferra, Indrit Çobani, Adelina Muça, Naun Shundi, Mehdi Malka, Ardian Cerga, Erjona Kakeli, Besmir Bitraku, Artan Imami, Genti Deçka. Skenografia i është besuar skenografit Genc Shkodranit, ndërsa atmosfera e fshatit në kostume vjen nga Berina Kokona.

“Europa Nostra” nuk u lejua në Teatër, Çuli: Gënjeshtër totale

A e keni ndaluar ju ekipin e “Europa Nostra”-s të vizitojë nga brenda Teatrin Kombëtar? Kjo ishte pyetja e fundit drejtuar drejtori i TK-së, Hervin Çuli dje në konferencën për mediat. “GSH” kërkoi përgjigje për të kuptuar më shumë se çfarë ndodhi me ekipin që pasi takoi ministren Kumbaro, nuk ia doli të hyjë në një godinë nën varësi të saj. Përgjigja e Çulit qe e gjatë. “Është gënjeshtër totale, sepse e para, mua nuk më kanë sjellë ndonjë shkresë zyrtare? Kushdo qofshin, mund të vijë edhe Robert De Niro në Shqipëri dhe të dojë të vizitojë Teatrin Kombëtar. Dini ju gjë që më kanë sjellë ndonjë shkresë zyrtare? Të nxjerrin shkresën zyrtare”, tha ai. Çuli shtoi se “Po, më është bërë një telefon, rreth drekës dhe më është thënë a vini ju ta hapni këtë derën e Teatrit Kombëtar se janë disa që duan të futen brenda ta shohin? Unë nuk besoj që shteti funksionon në këtë mënyrë, që unë shkoj atje, hap derën e teatrit dhe fus disa njerëz, kushdo qofshin ata”. Duke mos dashur që lajmi i festivalit të përzihej (a sfumohej) me këtë të “Europa Nostra”-s, Çuli theksoi se, “nuk kemi kërkesë zyrtare, ne jemi të hapur. Mund ta shohë Teatrin Kombëtar kushdo. Edhe ju. Na sillni një kërkesë zyrtare, ne ju vëmë një njeri në dispozicion. Nuk mund të futet kushdo brenda pa pasur një monitorim. Ne nuk po mbajmë ndonjë sekret aty”.

Në vijim të përgjigjes, Hervin Çuli tha se Teatri Kombëtar për momentin është jofunksional. “Sipas konkluzioneve që ka sjellë Instituti i Ndërtimit dhe i Monumenteve është një teatër që për momentin nuk ka parametrat e duhur për të qenë funksional e normal për publikun. Është një teatër për momentin i kyçur derisa t’i jepet një rrugëzgjidhje. Teatrit nuk i ka lëvizur asgjë, nesër a pasnesër do ketë një rrugë e një përgjigje për të, do ketë Teatër të ri Kombëtar, do ketë rikonstruksion, për momentin është Teatër ku marrim rekuizita a mjetet që na duhen, por i kyçur për aktivitet artistik”.
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit po proteston prej 100 ditësh çdo natë në mbrojtje të kompleksit të dy Teatrove Kombëtarë, teksa një ligj që aprovon shembjen ka kaluar për herë të dytë në parlament. Pas vizitës së Doris Pack ditën e shtunë, kompleksin e dy Teatrove Kombëtarë e vizitoi një grup nga “Europa Nostra” – organizata më e madhe evropiane që merret me trashëgiminë kulturore dhe natyrore në kontinent. Grupin e kryesonte vetë zv.presidenti i organizatës. fa.ni.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.