Kryesore

Masat antimafia, Rama: PD ka marrë fund si alternativë

16:47 - 25.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar masat anti-mafia të opozitës, në ekonomi, si një gjobë ndaj sipërmarrësve.
Në një reagim në Twitter, më shumë se 24 orë nga prezantimi, shefi i qeverisë shkruan se PD është kthyer në një maskë gjobëvënëse.




“Kur një parti politike shpall si platformë dhunën verbale mbi sipërmarrësit ka ngatërruar sistemin ku vepron; ka harruar arsyen pse ekziston; ka marrë fund si alternativë qeverisëse e është kthyer në maskë gjobvënëse! Kur këtë parti pastaj e drejton Lulzim Basha ferra e ka marrë fare uratën”.

Të hënë, opozita prezantoi amendimin e ligjit antimafia, i cili parashikon mekanizma ligjorë dhe institucionalë për evidentimin, verifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të personave dhe zyrtarëve publikë, nga më i thjeshti e deri tek kryeministri, të cilët kanë lidhur kontrata, tendera dhe koncesione korruptive.

“Thelbi i propozimit tonë është që përmes ligjit dhe institucioneve të shtetit të së drejrës të garantojmë që gjithçka që i është marrë shqiptarëve, buxhetit të shtetit, pasuritë publike. T’iu merren atyre që i kanë përfituar me pa të drejtë dhe t’u kthehen qytetarëve. Njësoj si në krimin e organizuar do t’ju takojë atyre që janë bërë palë me këto afera korruptive të provojnë pafajësinë e tyre. E së dyti, pasuritë e përfituara në këtë mënyrë t’i nënshtrohen verifikimit e sekuestrimit”, deklaroi Basha.

Demokratët bënë publike emrat e rreth 20 personave që i cilëson oligarkë, duke u ndalur në fushën e shëndetësisë dhe atë të ndërtimit, ku abuzimi, sipas opozitës, është më i madh.

Deputetja Jorida Tabaku tha: “Duke filluar nga kontrata e parë e Check up, 120 milionë euro për kompaninë e Vilma Manushit. Iniciatorët, 178 milionë euro kompanisë së Klodian Zotos. Operimi i rrugës Milot-Morinë, i dhënë kompanisë Kastrati dhe Salillari 98 milionë euro nga Buxheti i shtetit. Ligji për prishjen e teatrit, “ligji Fusha” është më i freskëti për publikun”.

Propozimi parashikon se verifikimi i abuzuesve do të bëhet përmes Drejtorisë Antikorrupsion. Prokuroria kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar SPAK do të kryejë hetimet, ndërsa vendimmarrja lihet në dorë të Gjykatës kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Basha: Propaganda e Ramës i ndezi motorët për të mbrojtur pushtetin

Me anë të një postimi në “Twitter”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar ndaj deklaratës së deputetes së PS, Klotilda Ferhati, e cila tha se kunati i kreut demokrat zotëron 6 kompani reklamash dhe konsulence.

Basha e cilësoi këtë deklaratë si propagandë të Ramës për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Padronit dhe klientëve të tij.

“Propaganda e Ramës i ka ndezur të gjithë motorët. Shpifje e përbaltje nga shërbëtorët e mercenarët e Rames për të mbrojtur pushtetin dhe paratë e Padronit dhe klientëve të tij. Hendeku midis oborrit të Ramës dhe njerëzve të thjeshtë do të thellohet. Unë jam në anën e njerëzve!”, shkroi Basha në “Twitter”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.