Kryesore

Zamira Kita: Kemi teatër mesatar e mediokër, mjaft me furça

14:28 - 28.09.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Kritika që Miho Gjini i bëri shfaqjes “Senatori FOX” të sjellë në Festivalin Mbarëkombëtar të Teatrit, nuk u prit mirë nga trupa e teatrit të Vlorës. Si të mos mjaftonin kundërshtitë e trupës, në anën të tyre doli edhe Armando Bora e Albert Minga, që kërkuan nga kritiku i artit Miho Gjini, që dha mendimet e tij si kritik mbi përzgjedhjen e pjesës, interpretimin e aktorëve, gjetjet regjisoriale dhe vetë konceptin. Takimi i mbajtur qe paralajmëruar të ishte një debat artistik mbi shfaqjet e festivalit, por shpesh artistët të pamësuar me kritika, nuk i mirëpresin ato. Në rastin kur kritikat vijnë nga gazetarët, këta të fundit shpallen armiq, sepse sipas artistëve, nuk kanë as tagrin, as formimin që të bëjnë kritika, e kur këto vijnë nga kritika e mirëfilltë, ose kolegët e ndjejnë veten para gjyqit.




DEBATI

Ishte Hervin Çuli, drejtori i Teatrit Kombëtar në ekzil te ‘arTurbina’ që u ul në panel i pari, duke ftuar krah tij kritikun Miho Gjini dhe më pas trupën e Vlorës.

Profesor Miho në fjalën e tij, si fillim u ankua që shpesh nuk gjen për shfaqjet fletëpalosjet dhe të dhënat bazë, çka detyron sorollatje për të kuptuar kush luan kë, sepse ndodh të ngatërrohen. “Për Vlorën dua të them dy fjalë, përgjithësisht pozitive. Festivali është në ngjitje. Shpalos vlera nga më të ndryshmet. Repertori ka larmi që nga veprat e mira, e herë-herë hasim në vepra që u duhet tërhequr veshi. Te ‘Senatori Fox’ na pëlqeu interpretimi i aktorëve, që përcillnin idenë për të zhvatur e shkatërruar. S’jam dakord me regjisorin për zgjedhjen e pjesës, sepse vërtet përkon me realitetin tonë deri diku, por është e konsumuar. Pjesë të mbushura me artifice e me zgjidhje si të përrallat e ‘1001 Netëve’, me medaljone në qafë te njërit a tjetri. Këto janë mjete të konsumuara”. Kaq tha Miho mbase duke u treguar shumë i butë me shfaqjen, pasi nëse e ke parë, e di mirë që edhe interpretimi çalonte, e se aktorët shpesh ngatërronin/harronin tekstin. Por, kritikat nuk pranohen.

Fjalën e mori regjisori Armand Bora, i cili tha “prof.Miho ka fatin e madh që është dëshmitar i viteve ‘40-’50, por them që nuk mund të nisemi të paragjykojmë një regjisor për një trupë a për një pjesë. Ky tekst është vënë disa herë. S’mund ta penalizojmë pse ka zgjedhur këtë tekst. E kam nisur karrierën në Vlorë. Si rrallë trupë, ata kanë pasur fatin të punojnë me një regjisor që u ka dhënë atyre një imazh. Sepse për fat të mirë a të keq, në teatrot ku ka shumë regjisorë, aktorët i përdorin si mjete regjisorë të ndryshëm”. Debati vazhdoi mes sallës ku ishte Bora e panelit ku ishte Miho Gjini, i cili mbase me gjasë u pendua se tha ç’mendonte, kur pa një grup t’i kthehej kundër vetëm pse guxoi të bënte punën e tij: kritikun e teatrit.

Si për t’i vënë kapakun refuzimit, fjalën e mori Saimir Gongo, autor e regjisor që në festival merr pjesë me “Pengu”, për publikun i njohur me “Shtëpia pa dritare”. “Nuk është puna jonë të gjykojmë kolegët. Ne do bëjmë punën tonë, të vëmë shfaqjet. Është spektatori, ai që e vlerëson një shfaqje nëse është e mirë a jo. Nuk jemi ne një komunitet gjykuesish. Jemi këtu për të dhënë përvojat tona, jo për të vënë trupat para togës. Jo për të bërë mësuesit a gjykatësit”, tha ai. Në këtë rast fjalën e mori Çuli, i cili duke vënë në dukje dilemën për pjesën e debateve artistike, tha se kritika në vetvete këtë punë ka, të gjykojë shfaqjet. “Atëherë, çfarë është kritika në vetvete? Ne, gjithsesi nuk i shpëtojmë dot gjykimit përderisa zgjedhim këtë profesion”, tha Çuli. Po në një mendje me Miho Gjinin dhe me tërë ata që duan të shohin veten para pasqyrës, për të mos thënë të tërë ‘jemi artistë të mrekullueshëm’, ishte Zamira Kita, aktore e drejtore e Teatrit të Korçës. “Nuk mund të flasim ne për shfaqjet. Të jemi të sinqertë, është keq t’i bëjmë furça njëri-tjetrit. Ne kemi një teatër mesatar e mediokër. Kemi aktorë të mirë që e mbajmë skenën dhe aktorë që janë jashtë komplet. Le të më gjykojnë kolegët e le të më futin kokën në dhe, nëse unë nuk e bëj si duhet këtë punë. E pëlqen publiku? Po publiku merr atë që i japim ne. Se mund të dalë një të zhvishet dhe urra shkojnë e shohin të tërë, por kjo nuk do të thotë se pati vlera”. Debati për çështjen e cilësisë artistike dhe sinqeritetit për ta pranuar vlerën që ka secili vijoi edhe kur debati kaloi tanimë nga shfaqja e Vlorës tek ajo “Pirro” e Gjirokastrës.

Miho Gjini bashkë me kritikun Josif Papagjonin nga salla shtuan se askush s’bën dot kritikë, se askush s’e do kritikën. “Pavarësisht se ç’thotë kritika, thotë unë kam bërë gjë të madhe”, thonë të gjithë ata që vënë diçka në skenë. “Teatri ynë mendoj se duhet ta zgjedhë repertorin. Jo të vësh mballoma e shtesa me autorë shumë seriozë. Thashë që mjetet shprehëse e artificet janë të shumta”, shtoi Gjini. Për “Pirron” ai kujtoi se dikur Hetem Haxhiademin e quanin autor të ndaluar. “Nuk mund të përdorej në leksionet tona. Edhe vetë unë e quaja të mirë për lexim e jo për t’u vënë në skenë. Kjo vepër e Hetem Haxhiademit është e vështirë, i them bravo trupës që gjetën thelbin skenik. Kjo ishte etja për pushtet. Vepra qe e dobët nga ana e strukturës e kompozicionit, por regjisori ka mundur të bëjë një unifikim. Në këtë vështrim e gjej të mirë – me gjysmë fjale si trajtim të parë serioz të këtij autori. Mbretëresha e princesha ishin në tonalitet të besueshëm. Tonaliteti i ulët nuk kuptohej fare nga salla”, tha Gjini.

Në këtë vazhdë u hap edhe njëherë biseda për pjesët shqipe dhe vështirësinë që kanë për t’u vënë në skenë. Josif Papagjoni vlerësoi të gjithë ata që rrezikojnë dhe kanë guxim të merren me pjesë shqipe, sepse sipas tij, ata marrin përsipër një risk të madh. “Të marrësh pjesë të huaja, të konfirmuara si pjesë në teatrot e huaj është më e lehtë, sepse ti e di tashmë që teksti është skenik. Pastaj plasin kopjimet, se ka mijëra kaseta e videokaseta. Kemi parë ne që ndonjë pjesë e vënë në skenë. Kur e gjejmë në ‘Youtube’, kuptojmë që kanë kopjuar. Ku është puna e tyre? Kur ka pjesë të mira shqiptare, kam më shumë respekt”.

Ndërhyrjet nga salla për teatrin e Vlorës vijuan dhe Papagjoni u irritua disi. “Nuk më pëlqen që mblidhen 4 vlonjatë dhe e mbrojnë. Nuk ka më diktim si dikur për mendimin. Ka diktime artistike”, tha ai.

Për shumëçka nuk u ra dakord, për pjesë të tjera, u diskutua cilësia në tërësi pa përmendur emra, por rezulton që disa teatro nuk kanë sjellë shfaqje të mirë, sepse u është dëmtuar skenografia apo rekuizitat. Pas intervistave të Ndriçim Xhepës, që tha dy ditë më parë se vetëm 30% e shfaqjeve të festivalit vlejnë, fjala e Gjinit, Papagjonit e Kitës vunë një gurë të parë për cilësinë artistike. Sepse të gjithë dalin nga shfaqjet turivarur, kritikojnë kolegët e mbilëvdojnë veten, por në fakt, niveli është mbase edhe nën mesatar. Nëse nga 7 shfaqje, vetëm 2 kanë qenë në lartësinë e duhur, ekuacioni është i qartë.

 

MIHO GJINI

“Për Vlorën dua të them dy fjalë, përgjithësisht pozitive. Festivali është në ngjitje. Shpalos vlera nga më të ndryshmet. Repertori ka larmi që nga veprat e mira, e herë-herë hasim në vepra që u duhet tërhequr veshi. Te ‘Senatori Fox’ na pëlqeu interpretimi i aktorëve, që përcillnin idenë për të zhvatur e shkatërruar. S’jam dakord me regjisorin për zgjedhjen e pjesës, sepse vërtet përkon me realitetin tonë deri diku, por është e konsumuar. Pjesë të mbushura me artifice e me zgjidhje si të ‘Përrallat e 1001 netëve’, me medaljone në qafë te njërit a tjetri. Këto janë mjete të konsumuara”.

 

SAIMIR GONGO
Si për t’i vënë kapakun refuzimit, fjalën e mori Saimir Gongo, autor e regjisor që në festival merr pjesë me “Pengu”, për publikun i njohur me “Shtëpia pa dritare”. “Nuk është puna jonë të gjykojmë kolegët. Ne do bëjmë punën tonë, të vëmë shfaqjet. Është spektatori, ai që e vlerëson një shfaqje nëse është e mirë a jo. Nuk jemi ne një komunitet gjykuesish. Jemi këtu për të dhënë përvojat tona, jo për të vënë trupat para togës. Jo për të bërë mësuesit a gjykatësit”, tha ai.

 ZAMIRA KITA

Po në një mendje me Miho Gjinin dhe me tërë ata që duan të shohin veten para pasqyrës, për të mos thënë të tërë ‘jemi artistë të mrekullueshëm’, ishte Zamira Kita, aktore e drejtore e Teatrit të Korçës. “Nuk mund të flasim ne për shfaqjet. Të jemi të sinqertë, është keq t’i bëjmë furça njëri-tjetrit. Ne kemi një teatër mesatar e mediokër. Kemi aktorë të mirë, që e mbajmë skenën dhe aktorë që janë jashtë komplet. Le të më gjykojnë kolegët e le të më futin kokën në dhe, nëse unë nuk e bëj si duhet këtë punë. E pëlqen publik? Po publiku merr atë që i japim ne. Se mund të dalë një të zhvishet dhe urra shkojnë e shohin të tërë, pro kjo nuk do të thotë se pati vlera”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.