DOSSIER

Mitrojorgji: Ja përse na sulmon Paçrami mua dhe Llazar Siliqin

13:45 - 12.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Gjatë gjithë periudhës së regjimit komunist të paraviteve ’90-të, me ndonjë përjashtim të rrallë, asnjë nga “personalitetet” e udhëheqjes së lartë, si psh., anëtarët e Byrosë Politike apo Komitetit Qendror të PPSH-së nuk merrej me shkrime të karakterit letrar apo publicistik nëpër gazeta apo revista, ndërsa për libra as që bëhej fjalë. Përjashtim bënin Myslym Peza dhe Shefqet Peçi, dy nga më të moshuarit e udhëheqjes së lartë, të cilët edhe për shkak të moshës, nga fundi i viteve ’70-të dhe fillimi i viteve ’80-të, Partia i kishte “sistemuar” si nënkryetarë të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Shqipërisë, ku ata kishin edhe kohën e mundshme “për të shkruar”. Kështu, ndërsa Myslym Peza kishte “shkruar” një libër me kujtime “Kur dhashë besën”, Shefqet Peçi kishte botuar ndonjë libër me poezi apo me “tregime nga Lufta Nacional-Çlirimtare”, gjë të cilën ai e vazhdoi deri në shembjen e regjimit komunist. Ndërsa me librin politik, ai filloi në vitin 1966, kur me vendim të sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së u vendos që të botohej “Vepra e zgjedhur e shokut Enver Hoxha”, ku një pjesë e fjalimeve të tij të mbajtura ndër vite, apo raportet nëpër kongrese, plenume etj., u morën dhe pas përpunimit nga ana e Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste (që drejtohej nga Nexmije Hoxha) u botuan në seri (dhjetëra vëllime) deri në shembjen e regjimit komunist.




Po kështu, përveç Enverit, në gjallje të tij botoi disa libra edhe Mehmet Shehu, (kryesisht me tregime nga Lufta Nacional-Çlirimtare), kurse pas vdekjes iu botuan disa libra edhe për Hysni Kapon e Gogo Nushin. Dhe të gjithë këto botime, siç theksuam pak më lart, ishin nën kujdesin dhe kontrollin e rreptë të Institutit të Studimeve Marksiste Leniniste, ku çdo gjë shikohej “me lupë” nga Nexhmija. I vetmi nga udhëheqja e lartë që i kishte “shpëtuar” këtij kontrolli ishte Fadil Paçrami, i cili që në vitet ’60-të shkruante rregullisht në shtypin letrar, ishte autor i disa librave, kryesisht me drama dhe deri në vitin 1973, ai konsiderohej edhe si një nga dramaturgët më prodhimtarë për vënien në skenë të dramave të tij. Pikërisht për shkak të shkrimeve, apo siç thuhej asokohe “njeri i letrave”, Fadil Paçrami ishte bërë shumë i njohur dhe kishte një autoritet të madh nga e gjithë udhëheqja e lartë. Si rezultat, edhe pse ai ishte vetëm anëtar i Komitetit Qendror të PPSH-së dhe sekretar i Komitetit të Partisë të Tiranës për Propagandën, deri në vitin 1973, emri i tij ishte shumë më i njohur dhe ai gëzonte një popullaritet shumë më të madh edhe se pjesa më e madhe e anëtarëve të Byrosë Politike. Por, kjo anë pozitive e Fadil Paçramit si dramaturg, shkrimtar dhe publicist kishte edhe anën tjetër të medaljes, xhelozinë.

Dhe kjo, si nga kolegët e tij shkrimtarë dhe artistë, ashtu dhe nga “shokët e udhëheqjes”, madje thuhet se edhe nga vetë Enver Hoxha, gjë e cila u vërtetua plotësisht në fillimin e vitit 1973, kur Enveri kritikoi dhe goditi Festivalin e 11 Kombëtar të Këngës në Radio-Televizion, duke akuzuar fillimisht Todi Lubonjën dhe më pas edhe vetë Fadilin, ku një nga akuzat që i bëri atij, ishte:

“Fadili nuk merrej me punët që i kishte ngarkuar Partia, por vetëm me dramat e tij”. E gjitha kjo përkthehej ndryshe si një xhelozi e diktatorit komunist ndaj Paçramit, por para se të arrinte viti 1973, xhelozia ndaj Paçramit kishte filluar pak më herët… Gjë e cila veç të tjerash, duket edhe nga ky dokument arkivor i vitit 1970, ku Pipi Mitrojorgji, asokohe instruktor në Komitetin Qendror të PPSH-së për letërsinë dhe artet u ka nisur eprorëve të tij të udhëheqjes së lartë, një letër me “disa vërejtje rreth diskutimit të shokut Fadil Paçrami në Plenumin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve mbi dramaturgjinë”. Ky dokument, më shumë se sa ashtu siç është titulluar, “disa vërejtje”, është një denoncim i pastër dhe një hakmarrje ndaj Paçramit, pasi ai (Fadili) pak kohë më parë kishte bërë një shkrim kritik në gazetën “Drita” kundër Llazar Siliqit dhe Pipi Mitrojorgjit. Gjë e cila mund të shihet edhe si një “luftë konkurrentësh” apo klanesh ndërmjet njerëzve drejtues të artit e kulturës, ku Siliqi dhe Mitrojorgji duket se nuk e kanë duruar dot fodullëkun që thuhej se e karakterizonte Paçramin në raportet me kolegët e tij shkrimtarë. Dhe në këtë kontekst, përveç Paçramit, në shkrimin e tyre ata kanë hedhur shigjeta kritike edhe ndaj disa kolegëve të tyre shkrimtarë, si Kujtim Spahivogli, Dhimitër Xhuvani, Kiço Blushi, Vath Koreshi etj., të cilët Fadili i vlerësonte si e ardhmja e dramaturgjisë shqiptare. Sidoqoftë, këto gjëra mbeten për t’u parë dhe “rakorduar”, edhe me dokumente të tjera që publikohen në faqet e këtij libri dhe jo vetëm, pasi shumë nga këto “kritika” që i bëheshin Fadil Paçramit në vitin 1970, në 1973-in u përkthyen në akuza ndaj tij, ashtu dhe atyre kolegëve të tij shkrimtarë, si Spahivogli, Xhuvani, Radi e deri te Kiço Blushi, të cilët siç duhet tashmë, patën jo pak problem dhe peripeci. Ndërkaq, ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.

DISA VEREJTJE
RRETH DISKUTIMIT TE SHOKUT FADIL PAÇRAMI NE PLENUMIN
E LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE MBI DRAMATURGJINE

1.Diskutimi përshkohet nga disa nota shqetësuese, frike dhe alarmi për gjendjen e dramaturgjisë e teatrit dhe të ardhmen e tyre. Ai thotë:
– “Të pushojnë kërkesat për drama pa konflikt, drama limonadë, drama pa telashe”.
– “Të marrin fund shqetësimet e frika se kur në dramë konflikti është i ashpër dikush do ta pësojë”.
– Të marrë fund kërkesa absurde dhe jo nga pozita klasore që në fund të gjithë rregullohen, e cila është një kërkesë për të dobësuar dhe zbutur konfliktet.
– Të marrin fund thirrjet për kompromise në art.
– Siç venë punët, është bërë çështje trimërie të ngjitesh në skenë dhe më shumë mund, kohë e sidomos nerva, harxhojmë e prishim kur na vihet në skenë një pjesë se sa kur e shkruajmë.
Po kujt i drejtohen këto thirrje për t’i dhënë fund kësaj dhe asaj çështjeje? Kush duhet të pushojë kërkesat për këtë dhe atë çështje? Kush ia krijon këto shqetësime?
– Po ta gjykojmë çështjen për shokun Fadil si dramaturg, duhet thënë se çdo gjë që i ka dhënë teatrit i është vënë në skenë, bile është autori që ka më shumë pjesë në repertorin aktiv të teatrove tona. Vënja në skenë është bërë duke kontrolluar vetë çdo fazë përgatitore deri në provën e përgjithshme. Pra, s’ka nevojë të përdoren trimëritë për t’u ngjitur në skenë. Në qoftë se ka harxhuar kohë këtë, e ka bërë se ka dashur të ndërhyjë në shumë çështje të regjisë apo teatrit.
– Po ta gjykojmë çështjen për dramaturgjinë në tërësi, përsëri duhet thënë se për vënien në skenë të dramave, kemi pasur raste që ato janë zvarritur, që autorëve të tyre u janë bërë kërkesa të padrejta, ashtu siç kemi pasur edhe raste që janë vënë në skenë drama të dobëta ideologjikisht. Por, në përgjithësi dramat janë vënë në skenë dhe nuk ekziston problem i nënvleftësimit të dramaturgjisë sonë. Në dekadën e fundit, ajo u bë predominuese absolute e skenës sonë. Një shembull konkret: nga 104 dramat e paraqitura në konkurs, 20 janë shfaqur para doërzimit, 25 janë marrë nga teatrot për t’i vënën në skenë. Të tjera u janë kthyer autorëve me vërejtje nga zhuria për ripunim ose si të paarrira. Pra, kemi një situatë normale.

Atëherë, cilat janë arsyet që kanë shkaktuar “prishjen e nervave…” të dramaturgëve? Këto arsye sipas shokut Fadil janë:
– “Pikëpamjet teknokratike, çfaqjet tipike të burokratizmit të zyrave të drejtorëve, të mbledhjeve të ngushta e të gjëra, të komisioneve e grupeve që merren me meremetimin e dramave”.

– “Inkurajimi që u bëhet teatrove në këtë rrugë nga Ministria e Arsim-Kulturës”.
– “Kritikat dhe mendimet diamtetralisht të kundërta që çfaqen për veprat letrare e artistike në përgjithësi dhe ato dramaturgjike në veçanti”.

A janë të justifikuara këto shqetësime, a ka një situatë të tillë të frike për të cilën është dhënë alarmi dhe a është e vërtetë kërkesa për drama me konflikt, pa telashe, kërkesa me “absurditete nga pozita jo klasore në art”? A ka vërtet inkurajim nga Ministria për këto çështje të shtrembra? Mendimi im është se probleme të kësaj natyre ka. Në Drejtorinë e Teatrove e deri në ministri mund të ndeshesh me koncepte burokratike, mungesë iniciative e guximi krijues, rutinë e qëndrime konformiste. Në plenumin e fundit të Lidhjes mbi dramaturgjinë, në përgjithësi u vunë mirë në dukje si përparimet ashtu dhe problemet e sotme.

Por, ndërsa në plenum u shtruan çështjet duke i parë nga të dyja anët, diskutimi i shokut Fadil është i njëanshëm dhe tendenca e përmbajtjes së diskutimit nuk është pozitive. Ai (shoku Fadil), shikon kryesisht të metat dhe i zmadhon ato. Në shkallën që ngrihen dhe në formën si ngrihen, lihet përshtypja se në praktikë shtrembërohet vija e partisë në art, se preket liria e krijimit të dramaturgëve nga kërkesat e pa drejta të teknokratëve, se krijimi i artit revolucionar pengohet nga thirrjet për “kompromise në art”, etj.

Në marrëdhëniet e teatrit me dramaturgjinë, problem shtrohet përsëri i njëanshëm, shikohet konflikti që ekziston midis tyre dhe nuk përmenden fare mundësitë reale që ekzistojnë në fakt për zgjidhjen e kontradiktave. Bile lihet përshtypja e kundërvënies së teatrit ndaj dramaturgjisë, e organeve shtetërore ndaj dramaturgëve. Fërkime të kësaj natyre midis teatrove e dramaturgëve ka pasur e do të ketë vazhdimisht, për vetë natyrën e ndërlikuar të artit, por tek ne këto konflikte zgjidhen mbi bazën e partishmërisë klasore, të qëllimeve të njëjta që kanë si dramaturgët ashtu dhe teatrot.

Shoku Fadil thotë se foli në plenum si dramaturg, por si mund të ndahet ai nga funksionet shumë të rëndësishme të Partisë, nga përgjegjësia e sekretarit të Partisë për propagandën në kryeqytet, ku çfaqen më të theksuara këto probleme? Në fakt, duke dashur të largohet nga pozita e sekretarit të Komitetit të Partisë për Tiranën, ai bën një gabim tjetër, lë pa përmendur fare punën, përgjegjësinë dhe rolin e organizatave të Partisë për zgjidhjen e këtyre problemeve. Një diskutim i tillë prej “dramaturgu” e privoi plenumin nga një diskutim shumë më i nevojshëm orientues, nga një kuadër partie me përgjegjësi si Fadili që t’i shtronte problemet në një prizëm parimor e direktiv.
2) Në diskutimin e shokut Fadil disa çështje ngrihen në planin teorik. Por, këto çështje teorike përshkohen nga kontradikta të brendshme.

-Së pari, çështja parimisht e drejtë për revolucionarizimin e mëtejshëm të teatrit shtrohet për të argumentuar idenë e tij se “nganjëherë shikohen shtrembër dhe me frikë nga këto dy ide: revolucionarizimi i mëtejshëm i teatrit dhe lufta që duhet bërë për krijimin e teatrit të ri”. A ekziston vërtet një mendim i tillë? A shikohen vërtet shtrembër dhe me frikë këto dy ide nga punonjësit e teatrove dhe dramaturgët? Në qoftë se kjo është e vërtetë, jemi para një problemi shumë serioz, por unë nuk mendoj se ekziston një problem i këtillë. Tek ne dhe tek të tjerët sigurisht që ka akoma njolla, shije e koncepte konservatore, ashtu siç ka edhe koncepte liberale për këtë ose atë çështje të veçantë të dramaturgjisë apo të skenës. Por, në përgjithësi nuk ekziston frikë dhe as shikohen shtrembër idetë për revolucionarizimin e mëtejshëm të artit teatral që ka shtruar partia.

Janë të drejta mendimet që thuhen për teatrin e ri për karakterin e tij klasor për ndryshimin esencial nga teatri borgjez reaksionar. Por, problem siç shtrohet, nuk ekziston, veç kësaj më duket së në konkluzionet për krijimin e teatrit të ri flitet vetëm për njërën anë, për mohimin e së vjetrës dhe nuk përmendet baza ekzistuese mbi të cilën ngrihet e reja. Pra, shtrimi i problemit të raportit midis së resë dhe traditës nuk është bërë mbi baza të shëndosha, dialektike.

-Së dyti, tri çështjet e tjera që ngrihen në planin teorik mbi vërtetësinë historike në art, mbi kuptimin e emancipimeve në art dhe mbi thellimin e personazheve, duke qenë se baza mbi të cilat ngrihen është drama “20 ditë” (pra një bazë subjektive) edhe argumentet çalojnë. Pa folur për analogjitë e padrejta, për njëanshmëritë e gjykimit të çështjeve etj. Mendimi im është se është i gabuar konkluzioni që nxjerr ai se gjoja idetë e artikullit të kritik të Llazar Siliqit e Pipi Mitrojorgjit mbi dramën “19 ditë”, (ose “20 ditë”), autori është larguar nga vërtetësia historike, ka rënë në racionalizëm e në formalizëm. Është vërtetuar tashmë se kur nuk respektohet vërtetësia historike, vendin e të vërtetës historike e zë gënjeshtra, e cila futet në psikologjinë e personazheve në veprimet e tyre në karakterin e tyre. Largimi nga e vërteta historike i hap rrugën arbitraritetit dhe spekulimeve formaliste nën etikën e novatorizmit. Kjo çështje është shpjeguar shumë mirë nga shoku Enver në fjalën e tij para konferencës së 17 të Partisë të Tiranës në dhjetor 1968.
Gjithashtu, nuk është fjala se çfarë lloj emocionesh krijon drama e shokut Fadil, por për atë që drama e tij duke qenë thjesht racionale, nuk krijon emocione. Mendimi i dramës në vetvete nuk mund të krijojë emocione. Emocionet krijohen nga mendimi artistik, dmth., kur mendimi i veprës artistike ngrihet në art, kur vishet me figurën artistike, kur kjo figurë artistike përputhet me mendimin dhe i jep këtij një aftësi penetruese të veçantë, aftësinë për të hyrë jo vetëm në mendjet dhe zëmrat e njerëzve, të ndikojë dhe transformojë jo vetëm idetë, por edhe ndjenjat.

Nuk bëhet fjalë as për atë që shtron shoku Fadil se Llazari dhe Pipi janë kundër dramës së re, por që brendia e dramës së re, idetë e revolucionit tonë, që bart kjo dramë e re, të krijojë tek njerëzit emocione të reja socialiste të thella, të fuqishme, të qëndrueshme. Në trajtimin e kësaj çështjeje, ai thotë: “Veçoria e artit tonë, pra edhe e teatrit, duhet të jetë pikërisht kjo: Vënia në themel të tij idetë e mëdha të kohës”. Kjo është plotësisht e drejtë, por ne nuk mohojmë veçoritë e artit dhe kur vëmë me të drejtë theksin tek idetë, nënkuptojmë veshjen e tyre me figurën artistike. Idetë e kohës sonë duke qenë të mëdha, kanë një forcë të madhe emocionuese e frymëzuese.
Krijimtaria e shokut Fadil ka mjaft anë pozitive. Ajo dallohet për kujdesin e veçantë, që i kushton evidentimit të mendimit filozofik të ngjarjeve. Në dramat e tij vihet re qartë ballafaqimi i konflikteve, guximi në trajtimin e tyre, tendenca e shëndoshë për të shndërruar skenën në një arenë lufte ideologjike me përpjesëtime të gjëra. Por krahas këtyre anëve të tjera pozitive, dramat e shokut Fadil vuajnë nga një e metë serioze, nga dobësia e figurave artistike, nga dobësia e veshjes së mendimeve me element të domosdoshme artistike që e pasurojë dhe e fuqizojnë, dhe kristalizojnë më mirë idenë. Këtë të vërtetë nuk do ta pranojë dhe kujton se këtu qëndron një nga dobësitë kryesore të tij si dramaturg. Krijimtaria e shokut Fadil ka nevojë për më tepër frymëzime artistike, fantazi krijuese dhe talent letrar.

3) Diskutimi i shokut Fadil ka një notë të fortë pakënaqësie ndaj kritikës letraro-artistike. Veç artikullit kritik mbi dramën “20 ditë”, ai është i pakënaqur edhe me kritikën ndaj dramës “Njollat e murrme”. Sipas tij, kritika nuk ka ndjekur thelbin e çështjes. Unë mendoj se kritika e ka thënë mirë fjalën e saj për dramën “Njollat e murrme”. Nga gabimet e kësaj drame dhe analizat që iu bënë, mësuan shumë të gjithë ata që kanë dashur të mësojnë. Artikulli i botuar në “Zëri i Popullit” u prit shumë mirë, veç të tjerave dhe nga fryma parimore dashamirëse që e përshkonte, nga ndjenja e masës në vlerësimin e gabimeve ideore. Por, kjo pakënaqësi e shokut Fadil ndaj kritikës letrare rrjedh nga disa qëndrime që nuk përputhen me mendimet e tij dhe kjo e çudit dhe e revolton. Shoku Fadil është për ballafaqimin e mendimeve, por jo me mendime që u kundërvihen vlerësimeve të tij. Prej diskutimit të tij mbi këtë temë lihet përshtypja sikur njolla, koncepte ideo-estetike jo plotësisht socialiste e shije jo gjithmonë të shëndosha, ka tek të tjerët, por jo tek ai, sikur mendimet e tij janë absolute. Ky qëndrim e çon në subjektivizëm siç është rasti i vlerësimit prej tij të filmit “Gjurma”, për të cilin trillon konfliktin e tri brezave. Që të ekzistonte ky konflikt duhej që të tre personazhet, doktorë të filmit të viheshin në konflikt midis tyre, kurse në film nuk ekziston një gjë e tillë. Mosha të ndryshme ka dhe do të ketë në çdo vepër artistike, por kjo nuk do të thotë se ka automatikisht konflikt brezash.

Kritika jonë letrare e artistike ka të meta e dobësi, ka edhe qëndrime jo të drejta, vlerësime të gabuara, probleme ideore edhe të asaj natyre që shtron edhe shoku Fadil. Por, rritja e nivelit të kritikës do të bëhet duke e orientuar atë drejtë, në bazë të mësimeve të Partisë e të shokut Enver, e jo të pikëpamjeve tona subjektive. Ajo do të rritet duke gjallëruar duke respektuar mendimin e tjetrit kur nuk është i gabuar në vijë, e jo duke e kufizuar ose duke i imponuar asaj mendime të njëanshme.
4). Më duket i shpejtuar entuziazmi që çfaq shoku Fadil për Dhimitër Xhuvanin, Kiço Blushin, Kujtim Spahivoglin, Ferdinad Radin, Vatdh Koreshin etj., të cilët me gjithë se sapo kanë shkruar një ose dy drama, cilësohen si elementë shumë inkurajues për të ardhmen e dramaturgjisë dhe teatrit tonë”.

28.8.1970 Pipi Mitrojorgji


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.