OPINION

Roli global i SHBA dhe Perëndimit është i domosdoshëm

07:40 - 12.10.18 Vasil Kureta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Roli dhe kontributi i SHBA-ve e Perëndimit në ndërtimin e filozofisë, standardeve dhe arkitekturës institucionale të sigurisë, por edhe kontributi real i tyre në garantimin e rendit botëror janë një fakt historik. Pas rrëzimit të komunizmit, SHBA në krye të Perëndimit, kanë dhënë kontribut efektiv e maksimal në garantimin e stabilitetit të rendit botëror. Në kushtet e sotme konstatohet një proces ndryshimi, përsosje e zhvillimit të ndjeshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare. Brënda këtij procesi sot evidentohen disa probleme apo fenomene, që lidhen me menaxhimin dhe udhëheqjen e zhvillimeve botërore, ku problemi i rolit global të SHBA dhe Perëndimit shfaqet gjithnjë e më i mprehtë. Tash ka edhe analistë që flasin për një tërheqje të SHBA nga roli botëror. SHBA dhe Perëndimi kanë qenë realisht garantuesit kryesorë të sigurisë dhe  stabilitetit të rendit botëror, prandaj edhe disa lëvizje e zhvillime kanë një sensibilitet të lartë.




Jo vetëm një dalje e dallueshme e Rusisë dhe Kinës, sa i përket rolit të tyre në zhvillimet botërore e rivalitetit të tyre apo ndarjes së rolit me SHBA, po bëhen më të mprehta, por tërheqin vëmendjen edhe disa lëvizje e zhvillimeve brenda Perëndimit. Evidentohet një grindje reale brenda Perëndimit, jo vetëm për tarifat e vendosura për çelikun e aluminin, që ka rritur shqetësimet rreth rolit global të Perëndimit e liderit të Perëndimit, SHBA, në udhëheqjen botërore. Disa lëvizje të SHBA si, kritikat ndaj aleatëve për kontributet financiare për çështjet e sigurisë, tërheqja nga traktati për klimën dhe marrëveshja bërthamore me Iranin, apo grindja në samitin e G7, por edhe fjala e presidentit amerikan në sesionin e fundit të OKB janë interpretuar se tash do funksionojë koncepti “secili në rrugën e vet”.

Në funksion të strategjisë së Rusisë dhe Kinës për rol botëror e ndarje të fuqisë e rolit me SHBA, të një rivaliteti në rritje, kuptohen edhe pohimet prej tyre të tipit teorik, për fundin e rendit botëror liberal, që nënkupton edhe fundin e rolit udhëheqës global të SHBA dhe Perëndimit. Megjithatë, ka sot edhe analiza e botime konkrete, që fokusohen te kjo çështje, ku përcillen edhe mendime apo opsione, jo vetëm të tipit se po krijohet një rend i ri botëror, apo se demokracia liberale e rendi botëror liberal tashmë kanë perënduar, por edhe ide të tipit se SHBA-të janë tërhequr nga udhëheqja globale apo do të tërhiqen, apo koncepti që mendon se tashmë SHBA dhe BE janë më shumë rivale se aleate, apo se tashmë është shkatërruar Perëndimi i vjetër etj. Robert Kagan në librin e tij “Rikthimi i xhunglës” mendon se SHBA është tërhequr si garantuese e rendit botëror, që u formua pas Luftës së Dytë Botërore. Bota po kthehet në gjendjen e saj natyrore dmth., në një xhungël të errët me interesa konkurruese, ku përplasen nacionalizmi, tribalizmi dhe interesi vetjak. Kështu, rendi botëror liberal i krijuar nga SHBA, pak më shumë se shtatë dekada më parë, është duke u shembur. Sipas tij, SHBA duket e lodhur dhe e rraskapitur nga barra e problemeve globale. Edhe politikanë europianë si ministri gjerman Heiko Mass pohon se rendi aktual ndërkombëtar, i bazuar në rregulla po gërryet, në një botë ku asgjë nuk mund të merret si e mirëqenë në politikën e jashtme.

Po kështu, në kushtet e avancimit të grindjes mes SHBA dhe BE mësohet reagimi nga Gjermania përmes Sigmar Gabriel, që mendon se bota po ndryshon në mënyrë dramatike dhe ne gjermanët rrezikohemi t’i nënvleftësojmë pasojat. Gabriel, sjelljen e SHBA nën drejtimin e presidentit Trump e sheh si një shkak për atë që e evidenton se “është shkatërruar Perëndimi i vjetër”. Sipas tij, pas 70 vjetësh të rolit të SHBA të garantit të sigurisë, stabilitetit e paqes në botë, tash duket se është prezantuar ideja “secili në rrugën e vet”. Ai tregohet i kujdesshëm teksa pikturon rolin e Gjermanisë brenda këtyre ndryshimeve, teksa kërkon maturi e ekuilibër në formën që, Gjermania nuk duhet të transformohet nga një abstenuese gjeopolitike në një gjeostrategjiste me ndikim.

Ai kërkon një debat të brendshëm që do t’i shërbente përcaktimit të një statusi, qëndrimit apo rolit të Gjermanisë në zhvillimet botërore. Për shumë arsye mendon ai, Gjermania nuk mund të qëndrojë mënjanë, as të bëhet një Zvicër e dytë në Europë. Megjithatë, ai sheh si shumë të rëndësishme, që të bëhej aktive e funksionuese një politikë e jashtme e BE, edhe pse kjo aktualisht po duket e vështirë. Gjithsesi, ai insiston se po piqet nevoja për liderët europianë që të mendojnë më shumë për veten, për Europën, që ta mendojnë dhe një rol të saj në zhvillimet botërore. Ai evidenton me të drejtë rolin e dallueshëm të Gjermanisë në mbrojtjen e sistemit të vlerave dhe ndërmarrje të veprimeve në përputhje me të në rastin e përballjes me krizën e refugjatëve. Ai i relativizon frikërat e ndonjë për atë që mund të vlerësohet si rritje e pushtetit të Gjermanisë në vendimmarrjen europiane. Dhe është fakt, që Gjermania ka mbajtur një peshë të madhe në përballimin e krizës në hapësirën e BE e sidomos të përballimit të krizës greke, por edhe në trajtimin e një problematike të mprehtë e komplekse brenda BE, duke baraspeshuar ligjin, marrëveshjet e rregullat e dakordësuara dhe mençurinë, që është vlerësuar nga anëtarët e tjerë të bashkësisë europiane.

Ka sot ngas ata që mendojnë se brenda procesit të përsosjes së marrëdhënies perëndimore, po duket sikur SHBA dhe BE kanë prirje të shfaqen më shumë si rivalë se sa aleatë, apo që shihet dhe si akuzë se SHBA po e sheh Europën më shumë rivale, apo që e mendojnë një kthesë apo ndryshimi esencial të marrëdhënies perëndimore, ku me më shumë shqetësim shihet çështja e rolit global të SHBA, duke përcjellë mendimin, që BE duhet të përgatitet për këtë ndryshim të marrëdhënies me SHBA jo vetëm në fushën e sigurisë, por edhe më gjerë. Disa tregohen tepër të shqetësuar për atë që e vlerësojnë si shkujdesje të Europës, që përballet me një problematikë komplekse të brendshme, ku janë bërë shqetësuese edhe prirjet nacionaliste, sovraniste, populiste e euroskeptike. Madje, Kagan mendon se, e frustuar nga populizmi dhe politika e identitetit, Europa është në rrezik të kthehet në grindjet, që prodhuan totalitarizmin në vitet ‘30 të shekullit të kaluar. Madje, Kagan sheh si një çështje të mprehtë jo Lindjen e Mesme, as Rusinë dhe Kinën, por ardhmërinë e situatës në Europë. Është ky një mendim individual e shqetësim i tillë, por që nuk përjashton nevojën për një reflektim serioz e kompleks. Kujtesa historike ka rëndësinë e vet për reflektim e përgjegjshmëri, për reagim e ndryshim të situatës, por çdo ngjarje është produkt i kushteve e zhvillimeve konkrete dhe se historia nuk mund të përsëritet dy herë njëlloj.

Kuptohet që në këto kushte, nevojitet analizë e përqendruar, e thellë dhe e gjithanshme, që të mos gabosh as në konkluzione e as në reagime. Natyrisht që konstatohet një ndryshim e përsosje e marrëdhënies perëndimore, e elementëve përbërës të saj, rregullave, raporteve e pozicioneve konkrete dhe kjo është brenda një normaliteti zhvillimi. Kushtet e rrethanat brenda e jashtë marrëdhënies përbëjnë shkak e impuls për ndryshim e përsosje. Dhe kjo nuk mund të përjashtohet as në përsosjen e marrëdhënies perëndimore, që do të sjellë produkte e energji të reja dhe që do të bëjnë më efektiv e aktiv rolin e SHBA dhe Perëndimit në zhvillimet botërore. Kjo përsosje do të mundësojë edhe kontribut, angazhim e rol më të madh, jo vetëm të SHBA, por edhe të anëtarëve të BE. Nuk ka argumente shumë bindëse që të bëjnë të mendosh me siguri një prirje për abdikim të SHBA, sa i përket lidershipit ndërkombëtar. Në kushtet e një shqetësimi të shtuar për zhvillimet brenda Perëndimit, ka edhe nga ata që shohin apo bëjnë thirrje për formate të tipit G-9, ku përfshijnë Britaninë, Francën, Gjermaninë, Italinë, Australinë, Korenë e Jugut, Japoninë, Kanadanë dhe BE, që e mendojnë se do të kontribuonte, jo vetëm për një tregti botërore në zhvillim, por edhe për përballimin e krizave të vështira. Po kështu, konstatohet se Kina edhe pse është anëtarësuar në institucione të rëndësishme ndërkombëtare, shfaqet si fuqi revizioniste. Ajo me lëvizje konkrete ka sfiduar institucionet e sigurisë në rajonin e Paqësorit, apo normat territoriale në detin e Kinës Jugore, por edhe ka ngritur institucione alternative si Banka  Aziatike e Investimeve në Infrastrukturë apo dhe Nisma e Brezit dhe Rrugëve. Në strategjinë e mbrojtjes së SHBA  mendohet se Kina dhe Rusia dëshirojnë të formojnë një botë në përputhje me modelin e tyre autoritar. Po kështu edhe Rusia ka krijuar dy organizma euroaziatikë ekonomikë e ushtarakë. Të dyja këto vende janë pjesë e formatit të BRIKS. Historia e linjës revizioniste dëshmon se fuqitë revizioniste synojnë të minojnë statuskuonë, edhe pse mbajnë lidhje me institucionet ndërkombëtare. Kjo i ndihmon fuqitë revizioniste të ndjekin qëllimet e tyre, duke u përpjekur edhe për të kërkuar reforma brenda këtyre institucioneve.

Disa analistë mendojnë sot se, ka gjasa që Kina të zgjerojë ambiciet e saj, nëse SHBA do të ecin në rrugën e tërheqjes nga drejtimi i rendit global. Kur ka proces ndryshimi, jo të gjithë e shohin e interpretojnë dhe e kuptojnë njëlloj. Kjo krijon edhe shqetësim, por edhe nxitim për të formuluar konkluzione shpesh jo të argumentuara bindshëm. Në kushte krizash apo ndryshimesh, të përgatitura nga evolucioni, lindin edhe frikëra, por edhe mendime konkrete ndryshuese, por rëndësi ka njohja reale e shkencore e zhvillimeve. Kështu, edhe pse disa flasin sot për një ndryshim të qëndrimit amerikan drejt një roli “post imperial” nuk mund të paragjykohet asnjë ide e shprehur apo kërkesë për ndryshim të situatës.

Pas rrëzimit të komunizmit pritej që të ndodhte ndryshimi apo përsosja e përmbajtjes së marrëdhënies perëndimore e përmbajtjes së rolit udhëheqës së perëndimit në zhvillimet globale. Dhe në fakt, edhe formati Perëndim, i strukturuar gjatë përballjes me komunizmin dhe vetë marrëdhënia perëndimore në vetvete, do të hynte e hyri në këtë proces reformimi apo ndryshimi. Ai po ndodh e po realizohet tani, prandaj dhe nuk duhet ngutur në konkluzione. Shqetësimi ka lindur ndoshta, se nuk është bërë prezent ndonjë strategji, program, projekt apo vizion i paramenduar apo i studiuar më parë. Ky proces ndryshimi apo përsosjeje, po ndodh në kushtet kur brenda BE është evidentuar një problematikë konkrete, e krijuar edhe nga një ngecje e ecurisë së projektit europian, por edhe nga një rritjeje e ndjeshme e dallgëve të nacionalizmit e sovranizmit, por edhe nga pasojat e shkaktuara nga kriza botërore e financiare e vitit 2008. Edhe brenda SHBA, duket që ka një problematikë të brendshme, që dikton kërkesën ndaj SHBA, që të merret edhe më shumë me veten, në përballimin e një problematike komplekse, të shkaktuar edhe nga kriza botërore financiare, por edhe faktorë të tjerë. Këto rrethana të ndihmojnë të kuptohen më drejt edhe disa deklarime e qëndrime të SHBA e të presidentit amerikan Trump. Duket që Perëndimi është kthyer nga vetvetja, nga përsosja e shumë elementëve brenda vetes, për të riparuar konsumimet e mundshme, por edhe për të bërë përtëritjet e nevojshme. Në këtë moment kur Perëndimi po merret me vetveten, ka krijuar shqetësimin apo mendimin se mund të ketë rishikim e ndryshim të rolit global të SHBA dhe Perëndimit. Në fakt po shihen korrektime, reflektime apo përpjekje për një përballim të problemeve të pashmangshme brenda vetes dhe për të mundësuar një rritje të efektivitetit të rolit të tyre në zhvillimet globale dhe udhëheqjen e tyre.

Roli udhëheqës i SHBA dhe Perëndimit në zhvillimet globale ka qenë dhe është një domosdoshmëri objektive. Kjo nevojë apo domosdoshmëri ka një përmbajtje konkrete, që përfshin të vërtetën objektive, nevojën historike të rolit udhëheqës dhe mundësinë reale të realizimit të tij. SHBA dhe Perëndimi mishëron aktualisht modelin më të avancuar të zhvillimit në botën e sotme, që ka në themel të tij sistemin e vlerave, jo thjesht si parullë apo kornizë, por si një realitet në veprim. Ky model sot është në fakt më i larti e më i arriri deri më sot, është modeli për t’u arritur e materializuar, është qëllim e mundësi shprese për njerëzit e popujt që aspirojnë liri, demokraci, prosperitert e dinjitet njerëzor, zhvillim të qëndrueshëm e të sigurt.

SHBA dhe Perëndimi kanë mundësitë komplekse që e mundëson dhe e kërkon këtë rol udhëheqës, sepse jo vetëm përfaqësojnë modelin më të lartë të zhvillimit ekonomik, politik e social sot, por përbëjnë fuqinë më të madhe ekonomike e ushtarake në botë; se kanë epërsinë globale në teknologji e inovacion, përvojën e pasur dhe metodologjinë më të përsosur në njohjen dhe përballimin e problemeve e krizave të shumëllojshme; sepse kanë qenë e janë mbrojtës aktivë të jetës njerëzore e njerëzimit, të sistemit të vlerave; sepse kanë qenë dhe janë aktori e faktori deçiziv në përballimin e krizave nga më të vështirat dhe mbrojtësit e garantuesit efektivë të sigurisë, stabilitetit e paqes në botë; sepse kanë besueshmërinë, vizionin dhe filozofinë më të mirë të bashkëpunimit dhe se kanë krijuar një mendim e eksperiencë krijuese në respektimin e mbrojtjen e ligjit e të drejtës ndërkombëtare, se kanë krijuar besimin dhe shpresën në nivelin më të lartë në botë.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.