OPINION

Mësuesi i diplomuar në Oxford dhe shkolla e drejtorëve

07:30 - 13.10.18 Pëllumb Karameta
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
  1. Konteksti – Pak ditë më parë, gazetari Ervis Iljazaj komentoi në median e shkruar nismën e fundit në arsim: ngritjen dhe funksionimin e asaj që po quhet “shkolla e drejtorëve”. Ai fokusohet në dy ide:
  1. a) “shteti, nga rregullator dhe kontrollor, është kthyer në ekspert, ku përgatit drejtorët e arsimit parauniversitar” çka “ngjan me një super kontroll etatist të profesioneve të ndryshme, i pakuptueshëm dhe i një stili autokrat”.
  2. b) “asnjë nga palët politike, nuk arriti dot të krijonte një reformë arsimore, e cila të fuste arsimin shqiptar në një logjikë korporate, që të funksiononte sipas parimit kosto-përfitim”. Pasi shtjelloi këto ide, ai sugjeroi që “shkolla shtetërore e drejtorëve, është nismë që duhet ndalur sa më shpejt.”

Fillimisht, diçka për kontekstin historik-arsimor në të cilën ka lëvizur shkollimi dhe ideja për drejtorë shkolle të certifikuar.




  1. Çfarë na ofron bota?

Shkollimi, gjatë 150 viteve të fundit, u lidh ngushtë me tendencat ekonomiko-shoqërore. Nevoja e ngutshme për shkollim, si pjesë thelbësore e shërbimit publik, në gjysmën e dytë të shekullit 19-të, u plotësua përmes përpjekjeve për përvetësimin nga fëmijët të shkrim-leximit, numërimit dhe aftësive shkencore. E gjithë kjo, si rezultat i presionit që ushtori revolucioni industrial dhe urbanizimi i shpejtë. Tërheqja galopante e prindërve në linjat e prodhimit, nisi t’i kthejë shkollat në agjentë të moralit, të qytetarisë dhe shoqërizimit të gjeneratave të reja.

Në këtë kontekst, organizimi dhe përmbajtja e shkollimit përshtati parimin e Tejlorit (Taylor) për prodhimin bazuar në shkencë në dobi të produktivitetit. Kjo, në dekadat e para të shekullit të shkuar, kërkoi punëtorë, të cilët të lexonin dhe kuptonin udhëzuesit teknikë dhe të bënin llogaritje të thjeshta. Shkollat e përballën sfidën me sukses dhe arritën që 80-90 % e popullsisë të aftësohej, gjatë një periudhe të relativisht të shkurtër kohe.

Një funksion tjetër thelbësor i shkollës sipas këtij modeli, ishte klasifikimi i individëve për tregje pune gjithnjë e më të specializuara. Merr jetë sistemi i meritokracisë që vendoste se cilët nxënës do duhej të merrnin edukim dhe trajnim të mëtejshëm për të përmbushur rolet drejtuese dhe menaxheriale dhe cilët do duhej t’u drejtoheshin linjave të prodhimit. Sistemi funksionoi sipas premisës 10 % drejtues dhe 90 përqind ndjekës.

Klasifikimi arsimor i njerëzve dhe meritokracia u konsideruan nga qeveritë e kohës si mënyrë e duhur për të shpërblyer inteligjencën dhe për të shmangur korrupsionin.

Fundi i shekullit të 20-të e zhvlerësoi menaxhimin tejlorian të prodhimit dhe nevojën për punëtorë që punonin me modele të ngurta të paracaktuara. Mjedisi aktual ekonomik-shoqëror ka formuar nevojën për një model të nxëni të ngritur mbi bazamente të tjera, si: zotërimi i kompetencave themelore kyçe, aftësia për të punuar me të tjerët, për t’u përballur me sfida të ndryshme, në nivele të ndryshme dhe me disiplina fleksibël, përmirësimi i aftësive të komunikimit, zgjidhje e problemeve dhe vendimmarrje efikase që merren në çastet që kërkohen etj.

Presioni për arritjen e këtyre objektivave po sfidon vetë themelet e drejtimit dhe menaxhimit të shkollës dhe procesin e nxënies. Përmendim teoritë mbi të cilat organizohet dhe funksionon shkolla si institucion, kurrikulën, strategjitë, mënyrat dhe mjetet për të ndihmuar arritjet e nxënësve, deri rolet e reja të aktorëve (mësuesit, nxënësit dhe të interesuarve). Është e tepërt të themi se, në botën e sotme post tejloriste dhe në atë të së nesërmes, mësuesit dhe drejtuesit kanë nevojë të nxënë vazhdimisht, për t’iu përshtatur kushteve dhe kërkesave që ndryshojnë me shpejtësi. Ndjekja verbërisht e proceduarave të paracaktuar jashtë shkolle, çka, të shumtën e herës, janë arsye e gërryerjes së besimit të publikut për sa e si nxënë e arrijnë fëmijët dhe shkollat, është tashmë e tejkaluar. Studimet e organizatave me prestigj (OCDE, UNESCO ndër to) pohojnë se suksesi i reformimit të arsimit kushtëzohet fort edhe nga ndryshimi rrënjësor i menaxhimit të shkollës, ku spikatin menaxhimi mbi bazën e shkollës dhe rritja e autonomisë së veprimit të saj, e baraspeshuar me llogaridhënien përmes supervizionit dhe vlerësimit të nxënësve, format e reja të drejtimit dhe partneritetet e nevojshme, mënyrat e vlerësimit të personelit dhe zhvillimi profesional në detyrë, të gjitha këto në funksion të përmirësimit thelbësor të nxënies. Shkollat moderne kërkojnë nga drejtuesit e tyre kompetenca profesionale për përmirësimin e vlerës dhe dobisë së nxënies, menaxhimin efikas të personelit mësimor dhe të burimeve financiare e materiale për plotësimin e nevojave; zhvillimin e marrëdhënieve efikase me komunitetet, përmirësimin e etikës së shkollës për kthimin e saj në mjedis miqësor që frymëzon etj.

Ky është konteksti nga kanë marrë jetë e po zhvillohen politika e përvoja të larmishme për të formuar dhe mbështetur drejtorë shkolle profesionistë në vende të ndryshme, dy dekadat e fundit. Të larmishme për statusin që kërkohet për të ushtruar funksionin (të licencuar si profesionist nga agjenci të akredituara, p.sh., ShBA); të trajnuar dhe certifikuar nga agjenci autonome të akredituara (p.sh., Anglia, Sllovenia); të formuar në Universitete dhe të mbështetur nga një agjenci e specializuar në fushë (p.sh., Izraeli) etj.

  1. Drejtuesit e shkollave tona

Dy vite më parë, një studim i thelluar i MAS-it, që mbështeti sendërtimin e politikës së re për ngritjen e shkollës së drejtorëve, konstatoi se drejtori i shkollës vijon ta identifikojë veten me drejtuesin tradicional pedagogjik edhe pse kuadri ligjor në fuqi i atribuon atij autoritetin për të marrë vendime mbi burimet (njerëzore, financiare dhe materiale)”; se “drejtuesit, në aspektin e menaxhimit nuk kanë kuptuar zhvendosjen e theksit nga inputi (ndryshe, gjuha e veprimtarive), te produktet (ndryshe, gjuha e rezultateve)”; se “drejtuesit e shkollës nuk fokusohen mbi nxënësit dhe nxënien, por interesohen vetëm ose kryesisht (shpesh, jo për paaftësinë e tyre) për aspekte të tjera të veprimtarisë së shkollës”, se “performancat e pakënaqshme ndikohen edhe nga mungesa e njohurive profesionale dhe e përvojës për udhëheqjen dhe menaxhimin e shkollës”. Si përfundim i studimit:Drejtimi dhe menaxhimi i shkollave mbizotërohen nga koncepte dhe praktika të vjetruara që kanë nevojë për reformim të thellë”.

  1. Kthim tek idetë

Shteti, nga rregullator dhe kontrollor, është kthyer në super kontroll etatist të profesioneve të ndryshme, të pakuptueshëm dhe me një stili autokrat. Mendoj se ky është ekstrapolim (zgjerim i idesë përtej të provuarës) i pavlerë. Pasi, edhe po të jetë e vërtetë që shteti është ofrues dhe kontrollues për shkollën e drejtorëve, kjo do të ishte e vetmja provë. Asnjë nga profesionet e rregulluara nuk është nën kontrollin etatist.

Shteti ofron ekspertizën për shkollën e drejtorëve. Edhe ky pohim nuk vlen. Sepse, dhe në këtë rast, shteti (MASR) ofrohet thjesht si rregullator dhe mbikëqyrës i procesit dhe produktit. Ndërtimi dhe funksionimi i shkollës së drejtorëve është arritje që do të sigurohet nga ndërveprimi i disa aktorëve kyç. Fondacioni Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit (AAFD), ekspertë trajnimi ndërkombëtar dhe universitete shqiptare do të ofrojnë trajnimet për trajnerët dhe drejtuesit e shkollave dhe do të lëshojnë dëshmitë e kualifikimit. Si aktor i tretë, Qendra e Shërbimeve Arsimore (QShA), e cila do të pajisë drejtuesit me certifikatën që kërkon ligji për arsimin parauniversitar.

Arsimi shqiptar dhe parimi kosto-përfitim. Jo pse ky parim nuk funksionon thuajse në pjesën më të madhe të vendeve të tjera, as pse nuk dihet nëse do ishte funksional po të zbatohej në arsim. As edhe pse shumëkush ka provuar se arsimi efikas dhe cilësor i përfituar e kthen koston shumëfish. Por, sepse ky parim, për ne shqiptarët është thjesht një ideal. Si i tillë, ai shpreh (në rastin më të mirë) të përsosurën që ekziston vetëm në imagjinatë dhe orienton përpjekjet për ta jetësuar. Ai, si çdo ideal, ushqen nevojën, forcën e brendshme që nxit veprimet për jetësim. Njëherazi, që të funksionojë në arsim, parimi kërkon bazamente fortësisht të qëndrueshme politike, ekonomike, sociale dhe institucionale. Sot, ato i kanë vetëm vendet demokratike me ekonomi dhe shoqëri të zhvilluara, me arsim dhe kulturë avangarde. Ndaj pyesim: A duhet ndalur shkolla e drejtorëve, pse kostot nuk konsiderokan përfitimin?!

 Tiranë, më 10. 10. 2018

 


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Me shume respekt per Ju profesor, parimisht jam shume dakord, por realisht ne shqiperi politika ka futur turinjte edhe ne arsim. Kemi aktualisht drejtore politike dhe jo profesioniste. Atehere i bie ti japim nje karte nje te paafti qe te mbreteroje perjetesisht. Shkolla duhet te ” prodhoje” drejtore dhe jo drejtoret aktuale ti bejme te pavdekshem ne postin e tyre duke sjelle deme te pariparueshme per te gjithe

    Përgjigju ↓
  2. Personalisht mendoj se eshte e panevojshme per tri arsye:

    1. Drejtor shkolle duhet te zgjidhet mesuesi me i suksesshem dhe ne kete rast baza e perzgjedhjes eshte teper e gjere dhe cilesia e fituar ne menaxhim maximale dhe e provuar ne praktike. Per kete mjaftojne te vihen ne veprim dhe te ndiqen vetem disa mekanizma te thjeshta.
    2. Çdonje qe ploteson kriteret per te ndjekur kete shkolle do kerkoj shkollimin per drejtor dhe do kemi aq shume drejtora sa qe perseri nuk do behet dot drejtor shkolle ai me i miri (ngelemi ne semundjen aktuale)
    3. Mbyt frymen e konkurences brenda armates se madhe te mesueseve pasi s’ka me motiv per karrijere te merituar nga mesueset dhe keshtu stafet e tyre do te bien ne formalizem .

    Përgjigju ↓