MILOSAO

Dëshmon gruaja

14:25 - 14.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben Andoni – Mimoza Kuchly është një nga autoret më të reja, që i shtohet grupit të shkrimtareve, të cilat mëtojnë të shkrua jnë për psikologjinë e femrës në kohët tona. Autorja jonë ka dhe një avantazh në këtë grup, pasi është e formuar në degën e Sociologjisë, përveç formimit të saj letrar. Pikërisht, ngasja e kësaj dege, ku përballja e shumë rasteve dhe fenomeneve bën që të dalin përgjithësime për kohën ku jetojmë dhe jo vetëm, e kanë bërë Kuchly të shtyhet më tej dhe ta përcjellë përvojën e saj në letërsi. Fryt i angazhimit të saj është libri me tregime e novela “Rrëfej unë, gruaja”, ku lexuesi përfshihet në këqyrjen e subjekteve, që ndërlidhen direkt me rravgimet psikologjike dhe sociologjike të autores. Ajo zgjedh zakonisht në pozicionin e rrëfimtarit vetën e parë dhe ky është momenti, ku një lexues gjykon përgjegjësinë që autori vetë-mbart në shtjellën e subjekteve të veta. E veçanta e autores është se shkruan në një formë shumë urbane, por pak si të huaj për publikun tonë, duke e trajtuar subjektin e saj si një qytetar të paidentifikuar të botës, kjo ndoshta edhe si rezultat i largimit prej shumë vitesh nga vendi ynë. Ky element mund të konsiderohet edhe si një avantazh i autores, pasi me të ajo mëton t’i japë universalitet veprës së vet.
Fabulat janë të thjeshta, por të shkruar me një gjuhë shumë korrekte dhe me kompozicione që hera-herës tregojnë shumë kërkesë të autores ndaj vetes, por edhe përpjekje të bukura në gjininë e vështirë të tregimit.





“Erdhëm në këtë botë dhe dallimi i vajzës ishte bërë. Duhet të martohesh dhe të sjellësh në jetë një fëmijë, të cilët duhet të rriten, të martohen e të trashëgohen, ndryshe nga pas do të të ndiqnin murmurimat e njerëzve: “e pafata”, “shterpa”, “e gjora”. Nuk kam dashur asnjëherë të plotësoj këtë rregull standard, “udhën e dhënë nga Zoti”. Studime, martesë dhe fëmijë. Nuk bëra asgjë nga këto, thjesht, ngaqë nuk më dukej se mi diktonte Zoti. Nuk do kem fëmijë! As të vë kujën nuk kam fuqi, lotët shterën. Nuk na edukoi kush me humbjen, por me fitore të shtirura, me një jetë në dukje më të mirë se ajo që jetonim, U rritëm duke gënjyer botën dhe, më e keqja se, mbi të gjitha, gënjyem dhe plagosëm veten. Do të ikim nga kjo botë me një barrë dhimbjesh dhe të mëshiruar nga bota se kuptuam të vërtetat, por me një çmim të madh, atë të zhgënjimit. Çfarë më torturon është se mund ta kisha shpëtuar veten nga ky trishtim, kjo dhimbje, por egoizmi ishte më i fortë. Tani asgjë nuk ka më vlerë”.
Autorja bën përsiatje interesante, falë një aftësie të lindur të imagjinatës dhe kjo është një nga armët e saj të forta që e tregojnë një subjekt që e ka të mbrujtur mirë mendimin e saj në letërsi.
Narratori qëndron ashtu si e thamë zakonisht në vetën e parë por ndërthuret natyrshëm në vetën e tretë, gjë e bën autoren të menaxhojë sa më mirë subjektin e saj. Madje, në disa momente ajo e shkërben narratorin në gjini tjetër dhe kjo tregon një sfidë, që hera-herës i ngec, pasi duket më e gjithëfuqishme në gjininë e vet. Vërtetë kompozimi i tregimeve nuk është i komplikuar, por shtjellimi është i qartë, gjë që e tregon autoren se është e stërvitur kohë më parë para se të fillojë veprën e vet. Mimoza Kouchly duhet vlerësuar edhe në përpjekjen interesante që bën në kërkimin e subjekteve metafizike duke na dhënë realisht një autore me kërkesa të larta, ku synohet që përmes funksionit të letërsisë të shkohet në kërkimin e stadeve të ndryshme të gjendjes shpirtërore të subjekteve. Dhe, kjo realizohet këndshëm, paçka se kalimi në regjistrin letrar do edhe pak punë. Megjithatë, imagjinata e saj nuk e lë në baltë për të afruar sa më shumë gjendje të ndryshme të subjekteve.
Autorja është e ndërgjegjshme për detyrën e vështirë të letërsisë, pas avancimit të shkencave që lidhen me psikologjinë, pasi ashtu si thotë Ana Ahmetova: Nuk ka më letërsi pas Frojdit! Ndaj, ajo me kujdes mundohet të mbajë një balancë të gjithë gjërave që e rrethojnë, ku synon ta respektojë sa më shumë psikologjinë e individit dhe të flasë më hapur për subjektet që lirinë dhe barazinë e kanë si element parak të qenies të tyre. Personazhet e saj demonstrojnë në një farë mënyrë dhe nocionet e saj estetike për të bukurën, të lartën dhe të shëmtuarën. Në të gjitha kriter mbetet dinjiteti dhe ekuilibri i gjërave, elemente që autorja i zgjidh me kulturën e vet të mirë.
Autores i duhet që të jetë pak më e beftë në krijimtarinë e vet dhe të dhurojë me befasi përmes tregimeve të saj artistike. Sesa do t’ia dalë në të ardhmen mbetet për tu parë, por me këtë libër ka treguar se ka bërë një përpjekje të këndshëm…për të bërë udhë të gjatë mes lexuesit shqiptar.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.