OPINION

Perceptimi për krimin/Ramës i është thyer termometri

14:48 - 15.10.18 Andi Bushati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeministri mblodhi sot të gjithë shefat e policisë për t’i përdorur si dekor në mesazhin që kërkoi ti jepte publikut: se ndryshe nga perceptimi, statistikat e nxjerrin Shqipërinë një vend pa problem me krimin. Rama i mëshoi fort kontradiktës mes imazhit që krijon makineria e baltës së opozitës, apo mediave dhe shifrave të çertifikuara nga BE që thonë të kundërtën.




Duhet pohuar që në fillim, se lojës me numra në Shqipëri i ka dalë boja me kohë.

Me statistika, tabela dhe grafikë Edi Rama dhe Saimir Tahiri u mbushën mendjen shqiptarëve në shtator të 2015, në një show gjigant të titulluar “Antidroga një histori suksesi”, se vendi qe i pastër nga hashashi, ndërkohë që kanabisi kishte pushtuar ç’do fushë të mbjellë. Madje njësoj si sot, këto të dhëna i konfirmuan edhe ish-ambasadori amerikan Donald Lu edhe Guardia di Financa.

Për të mos i marrë shembujt vetëm nga një krah, po statistikave iu referohej edhe Berisha kur krenohej, tribunë më tribunë, se në kulmin e krizës, vendi qe i dyti në Europë pas Gjermanisë.

Statistikave iu referohej edhe Ministria e Brendëshme, kur fliste për vrasjen e Selenicës që e llogariste si një të vetme, megjithëse autori kishte bërë kërdinë mbi 8 persona.

Pra loja, me statistikat përpara se të jetë një shkencë e besueshme, është e varur krejtësisht nga vullneti i atij që i përdor ato. Dhe kur ato i marrin në dorë politikanët, përfundimi dihet.

Por, pavarësisht kësaj, problemi i qeverisjes së Ramës nuk është as tek numrat, as tek krahasimet. Shqiptarëve nuk mund ti hidhet hi syve duke bërë paralele me Romën apo Athinën. Sepse çështja e krimit këtej në anët tona, nuk është se sa vrasje kryhen në vit, sesa dyqane vidhen me forcë, apo sa vajza përdhunohen në muaj. Ai fatkeqësisht është tejet më i madh: pyetja bëhet nëse krimi ka kapur shtetin.

Dhe në raste të tilla, kur bandat dhe pushteti bëhen një, asnjë krhasim numrash nuk ka më vlerë. Madje, në diktatura qoftë të majta dhe qoftë të djathta, evidencat e krimit ordiner bien ndjeshëm. Në Shqipërinë komuniste kishte më pak vrasje të tilla, dhe ky pohim është po aq i vërtetë si për kohën e fashizmit në Itali, apo të nazistëve në Gjermani.

Pra aksioma është e thjeshtë: sa më lart që ngjitet krimi në hierarkinë e pushtetit, aq më pak kanë hapsirë keqbërësit e vegjël ordinerë.

Kriminalizimi nga lart të bën ta fitosh realisht betejën me statistikat, por ai njëkohësisht të bën ta fitosh edhe betejën me faktet.

Sepse në një pushtet të kriminalizuar, ku as policia, as prokuroria, as gjykatat nuk e bëjnë punën e tyre, krimet as nuk regjistrohen

Ka plot fakte të kohës së qeverisjes së Rilindjes që e dëshmojnë këtë.

Rasti i Xhisielës që endej për 6 muaj komisariateve dhe askush nuk i merrte denoncimin, sepse përdhunuesi ishte djali i deputetit të PS, përpos mëkateve të tjera e pengonte atë të ishte edhe një shifër e ftohtë në listën e statistikave të vazave të përdhunuara.

Rasti i fshehjes së kërkesës zyrtare të Interpolit për deputetin Mark Froku e zbriste edhe përqindjen e të shpallurve në kërkim ndërkombëtar që ishin pjesë e kuvendit të Shqipërisë.

Manipulimi i kryeministrit me çertifikatën e pastërisë së Elvis Roshit, i lëvizte automatikisht edhe statistikat e kryebashkiakëve që kanë pasur më parë një dënim me burg jshtë vendit.

Kështu ndodh pra në një shtet të kriminalizuar: e para krimi i vogël ka realisht tendencën të bjerë dhe e dyta krimi real nuk merret vesh kurrë, sepse institucionet i shërbejnë politikës përpara së vërtetës.

Pikërisht për këtë, kryeministri “vuante” se njerzit besojnë më shumë tek perceptimi, sesa tek tabelat dhe grafikët që u servir ai. Më kot ai mëtoi dhe sot ti quante ato termometrin real të matjes së kriminalitetit. Sepse në mbretërrinë ku sundon propaganda një termometër i tillë rezulton i thyer.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.