Anila Hoxha – Të lindësh grua … “Oj nënë pse më bëre”. Florinda Lleshi shkel një shtegu mes përmes pyllit dhe nxjerr dëshpërimin prej shpirtit, duke mallkuar edhe gruan më të rëndësishme për të, gruan që e solli në jetë. Florinda po më çon drejt kasolles në të cilën ka përfunduar në mes të maleve, qyqe e vetme dhe me 3 fëmijë të mitur. Ajo vendosi të dalë prej martesës për shkak të dhunës barbare. Ishte 21-vjeçe kur u martua me shkuesi, jetonte atje në Mirdite dhe krushqi pas krushqie i thanë se i kishin gjetur një djalë nga familje e mirë. Është nga Kukësi i thanë, familje e mirë, djalë punëtor. Por gjithçka rrodhi më tej, qe tepër larg ëndrrave të saj. Në një rast, pasi kishte punuar gjithë ditën si kafshë në arë kur u kthye në shtëpi ajo u dhunua aq shumë sa vendosi t’i jepte fund jetës dhe piu fostoksinë. Jetoi. Në 2015, i shoqi e goditi me sopatë në kokë. Një muaj në spital, nuk bëri zë. Nuk denoncoi pavarësisht plagëve. Florinda u kthye sërish aty në zonën e Farkës së Madhe, ku jetonin të gjithë bashkë me shpresën se kur të nesërmen të lindte dielli edhe jetës së saj do t’i hapej një faqe e re.
Nuk pati asnjë rreze në asnjërën prej ditëve që vijnë njëra pas tjetrës. Përkundrazi kur nuk mundi më të duronte dhunën, Florinda i tha stop gjithçkaje. Në fund të 12 viteve martesë, ajo u nxor nga shtëpia me rrobat e trupit dhe 3 djemtë e vegjël. Pa asnjë shpresë për të trokitur për ndihmë, e ndërsa mbi vete ka dy urdhra mbrojtjeje, ajo ngriti një kasolle aty në pyll, pranë shtëpisë së ish-burrit. Dhe ndërsa i dha fund një torture, për të ka nisur një torturë e re. URIA. Kasollen e ka mbuluar anash me batanije dhe rrecka rrethanore që era të mos fryjë e shiu mos të hyjë brenda. Do të jetojë si njeri. Do që t’i vërë në gjumë fëmijët të ngopur.
Që bijve mos t’ua ngrohë duart me frymën e saj. E pamundur. Ka një vit e gjysmë që jeton si të jetë e padukshme, ajo e padukshme, të tre fëmijët të padukshëm. Por ajo e ka një emër, quhet Florinda është vetëm 33-vjeçe. Fëmijët e saj quhen Fatmir, Fabian dhe Armen dhe janë 10, 8 dhe 6 vjeç. Janë në shkollën e Farkës së Madhe dhe nëse ndodh ti takoni dijeni se e ëma ka ecur mes për mes një pylli, ka udhëtuar 40 minuta në këmbë për t’i çuar në shkollë. Dhe secilit prej tyre kur i vë në gjumë ju tregon përralla me ushqim të ngrohtë.
Florinda më priti në rrugë sot dhe m’u lut ta shikoja ku jetonte. Trishtim!