Kryesore

Policia përballë sfidave të krimit…dhe të politikës

09:00 - 18.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Këto muaj kur i gjithë diskursi politik, rrjedhimisht edhe ai i shoqërisë, është fokusuar te situata e krimit dhe puna e policisë, të krijohet bindja se ekspertët e sigurisë janë të panumërt në Shqipëri. Lumenj akuzash në parlament, deklarata shtypi nga selitë e partive, kryeministri që drejton mbledhje me transmetim live me krerët e policisë, deputetë e kryetarë partish që përleshen në studio me analistë shumëfunksional, të gjithë këta rreken të analizojnë situatën e rendit dhe sigurisë, krimin e organizuar, kurbat e statistikave, vrasjet në ish-bllok etj. Ndërkohë, ekspertët e vërtetë janë ftuar që të ndjekin këto përplasje të përnatshme në studio televizive e takime publike vetëm si spektatorë, apo më e keqja, ashtu si gjithë qytetarët e tjerë nga divani i shtëpisë së tyre të mbërthyer gojëhapur nga telenovela e krimit të organizuar.




Pikërisht në këtë periudhë kur të gjithë prozhektorët janë drejtuar nga policia dhe roli i saj, vjen për publikun një botim shkencor i titulluar “Policimi dhe çështjet e sigurisë”, i dy ekspertëve të mirëfilltë të policisë, z.Bilbil Memaj dhe z.Hasan Shkëmbi. Ky libër që kurorëzon një punë të vlerësuar shkencore dhe një karrierë të gjatë të autorëve në drejtimin e policisë, u prezantua dje në ambientet e Akademisë së Shkencave me pjesëmarrjen e studiuesve dhe personaliteteve të fushës së sigurisë dhe përfaqësuesve të institucioneve të rëndësishme vendase dhe ndërkombëtare.

Duke shfletuar librin mund ta kuptosh mjaft lehtë se autorët nuk e kanë zgjedhur qëllimisht këtë periudhë fokusimi të politikës ndaj policisë për të publikuar këtë botim që trajton në mënyrë shkencore dhe shteruese shumë prej pikëpyetjeve që shtrohen sot për krimin dhe rolin e policisë. Por, rastësia thonë se është mbreti i botës, dhe ky libër ka qëlluar në momentin e duhur për të shërbyer jo vetëm si një material studimor për trupën e policisë, por edhe si një botim me interes për të gjithë lexuesit që dëshirojnë të eksplorojnë më shumë në këtë fushë.

Ashtu siç e thekson akademiku Moikom Zeqo në fjalën e tij gjatë promovimit, mënyra se si bashkëautorët e kanë shtjelluar lëndën në tërësi dhe tematikat e veçanta, është domethënëse dhe tregon shumë, si për maturinë e mendimit ashtu edhe për anën mjeshtërore në ofrimin e subjektit, mbi një çështje që paraqitet tepër tërheqëse jo vetëm në Shqipëri, por kudo në botë, siç është tema e policimit dhe sigurisë. Për realizimin e këtij botimi autorëve u është dashur të shfrytëzojnë një literaturë të pasur ndërkombëtare si dhe të marrin në konsideratë përvojat më të mira të policimit perëndimor. Prej këtej ata kanë arritur të përcjellin qasjen e tyre duke i përafruar ato me teoritë më të fundit mbi policimin në shoqërinë e globalizuar të mijëvjeçarit të ri, si dhe duke pranuar sfidat e reja të këtij qytetërimi, në fushën e sigurisë publike dhe asaj kombëtare.

“Gjeneral” Bilbil Memaj, aktualisht rektor i Akademisë së Sigurisë, sjell në këtë libër një eksperiencë të gjatë në sektorin e policisë, duke mbajtur pozicione të ndryshme drejtuese, nga të cilat sigurisht më i vlerësuari ai si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Gjithashtu, edhe z.Hasan Shkëmbi, numëron mbi 40 vite në karrierën e tij në strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe policisë me arritje të shumta profesionale.

Duke ndërthurur këto dy eksperienca të gjata në strukturat e policisë si dhe kërkimit dhe mësimdhënien e përditshme, sigurisht që ky publikim nuk mund të mbetet jashtë zhvillimeve dhe realitetit të kohës. Në brendësi të librit, mund të gjenden reflektimet mbi raportet e policisë me politikën dhe shtetin, të cilat ndikojnë sigurisht në kontributin e Policisë së Shtetit në mjedisin e sigurisë, besimin e trupës ndaj drejtuesve apo edhe të qytetarëve ndaj uniformave blu.
Rekomandimet e autorëve nënvizojnë problemin e ndikimit të politikës në drejtimin e policisë (në rastin e partisë në pushtet) apo edhe në politizimin e dëmshëm të veprimeve të policisë (në rastin e opozitës). Është pikërisht ky politizim dhe retorikë e panevojshme e betejave të partive politike, që krijon premisat për zhvlerësimin e profesionalizmit të policisë. Të gjitha këto të përkthyera në një trupë policore, që nuk ka besim tek drejtuesit e saj dhe, gjithashtu, nuk gëzon besimin e qytetarëve. Karriera e gjatë e “gjeneral” Memajt, me ulje-ngritje sipas rrotacioneve politike, është shembulli më i mirë për të analizuar jo vetëm rrugëtimin e policisë në këto 35 vitet e fundit, por edhe rolin dhe ndërhyrjet antiligjore dhe arrogante të politikës në polici.

Sigurisht që ndërtimi i një strukture profesionale të policisë do të jetë sfidë edhe pasi politika të jetë kthyer në hullitë e saj tradicionalë të debateve ideologjike dhe programore. Derisa kjo të ndodhë, për fat të keq, nuk duket se do të jetë një tërheqje e shpejtë, trupa e policisë duhet të rrisë aftësimin dhe profesionalizmin e saj në përballjen me rreziqet e reja të sigurisë publike. Libri i fundit i Memajt dhe Shkëmbit, është një kontribut i vlefshëm në këtë drejtim dhe do të mbetet si një gur i rëndësishëm themeli për të ardhmen e policimit profesional./ Erjon Tase


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.