KULTURË

“Kalvari diplomatik i Kosovës”, diplomati Shaban Murati promovon librin në Tiranë

12:00 - 19.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Është përuruar paraditen e djeshme në mjediset e hotelit “Tirana International” libri me titull “Kalvari diplomatik i shtetit të Kosovës” i autorit Shaban Murati. Në këtë përurim ishin bashkuar personalitete me rëndësi në jetën e vendit, duke filluar që nga qytetari numër një i shtetit, Presidenti i Republikës z. Meta, ambasadorët e shteteve tona në kryeqendrat Prishtinë e Tiranë, ish-ministra, deputetë, studiues, njerëz të mendimit dhe qytetarë të angazhuar në sfera të ndryshme të jetës. Në këtë ceremoni fjalën e çeljes e mbajti edhe drejtuesi i Fondacionit “Alsar”, Mehdi Gurra. Ky libër ishte pikërisht botim i këtij fondacioni, që nuk ishte e para herë që e mbështeste daljen në dritën e botimit të studimeve të ambasadorit Murati.




Më tej fjalën e morën prof. dr. Enver Hoxhaj, zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës; Maxhun Peka si një diplomat në karrierë.
Prof. dr. Ylber Sela nga Instituti për Studime Politike dhe Ndërkombëtare me qendër në Shkup si dhe analisti Aleksandër Çipa nga Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë. Në recencat e tyre të gjithë pohuan vlerën e këtij studimi dhe dobishmërinë e tij në klasën politike dhe diplomatike shqiptare.

Në fjalën e tij, prof. dr. Sela, si drejtues i Institutit për Studime Politike dhe Ndërkombëtare përmendi kontributin e rëndësishëm të ambasadorit Murati gjatë kohës kur shërbente në misionin diplomatik në Maqedoni, duke u ndalur sidomos në kontributin e tij në themelimin e Universitetit të Tetovës. Mes duartrokitjesh, ai tha: “Dy vjet më parë, instituti ynë organizoi përurimin në Shkup të një tjetër botimi të ambasadorit Murati”, duke u ndalur në disa prej pikave më të rëndësishme të kësaj përmbledhjeje publicistike prej 64 artikujsh. Ky libër që erdhi si një buqetë mendimesh në 10-vjetorin e pavarësisë Kosovës përmblidh 20 vitet në publicistikë të autorit.

“Z. Murati i qaset interpretimit diplomatik, politik dhe social. Duke i hequr ‘dorezat’ e diplomatit të karrierës, më shumë shfaqet si një analist kritik, por, edhe pragmatik në lidhje me intensitetin dhe efikasitetin e diplomacisë së shteteve shqiptare, (Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë), në lidhje me konsolidimin e shtetit të Kosovës”, vijoi Sela. Në këtë libër, ai veçoi faktin e të thënit të gjërave troç prej autorit, duke lënë mënjanë të gjitha përllogaritjet e interesit personal në favor të artikulimit të mendimit dhe ndërtimit të strategjive diplomatike për çështjen kombëtare. Sipas z. Sela, nga përmbajta dhe metodologjia e ndërtimit të artikujve të këtij libri del se autori shfaqet si njeri me diapazon të gjerë intelektual dhe njohës shumë i mirë i rrethanave diplomatike evropiane dhe botërore. Me anë të kryqëzimit të informatave që kanë të bëjnë me zhvillimet aktuale politike dhe diplomatike me shembuj të ngjashëm nga e kaluara e afërt dhe e largët historike, ky diplomat jo vetëm që nxjerr gjykime të qarta në lidhje me proceset me të cilat përballen shqiptarët gjatë këtyre dy dekadave të kaluara, por njëherësh ai ndërton edhe pikëpamje tejet të avancuara mbi të drejtën historike kombëtare në krijimin e shtetit të Kosovës. Politika e jashtme me të gjitha elementet që intrigojnë paraqiten në këtë libër përmes formulave të qarta diplomatike”. Siç z. Sela pohoi në fjalën e tij, botimi i çdo artikulli lidhet me momentin e duhur kohor të veprimeve apo projekteve të caktuara kombëtare dhe sidomos, ndërkombëtare. Me qëndrimet e tij të ashpra kritike në libër shprehen edhe qëndrimet korrigjuese të politikave shtetërore shqiptare, me theks të veçantë të asaj kosovare.

E ardhmja evropiane e Kosovës dhe angazhimi i shtetit në strukturat euroatlantike, ruajtja e pavarësisë shtetërore dhe tërësisë territoriale të saj si dhe njohja e shtetit të Kosovës nga Serbia si prioriteti numër një ishin disa nga elementët që z. Sela vlerësoi në fjalën e tij mbi librin e ambasadorit Murati.

Sipas tij, boshti tematik i numrit më të madh të artikujve mbështetet në procesin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia, procesin e njohjes ndërkombëtare të Kosovës pas shpalljes së Pavarësisë, procesin e bisedimeve të Kosovës me Serbinë dhe sjellja e qëndrimi i shqiptareve ndaj miqve tradicionalë dhe aleatëve strategjikë, si dhe ndaj institucioneve dhe shteteve tjera të cilat, – theksoi ai – luajnë një rol të rëndësishëm në planin të politikave gjeostrategjike ndërkombëtare.

“Këtë libër e botova më shumë për të rritur sensibilitetet mbi çështje shumë të rëndësishme të shoqërisë shqiptare, siç është çështja kombëtare. Natyrisht, çështja kombëtare shqiptare në vitin 2018 ka pësuar një progres të jashtëzakonshëm. Por, unë si diplomat dhe analist i vjetër dua që të tërheq vëmendjen se rreziqet për çështje kombëtare shqiptare nuk kanë mbaruar të dashur vëllezër dhe motra nëse në shekullin XX, sidomos në fillim jemi ankuar për diplomacinë e shteteve evropiane, unë përpiqem që të zgjoj alarme për diplomacinë e shteteve shqiptare. Në kuptimtin që shoqëria edhe institucionet të jenë vigjilentë për ta forcuar shtetin edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë që të neutralizohet çdo lloj përpjekjeje për të sabotuar çështjen tonë kombëtare”, tha autori.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.