OPINION

Të ndihesh askushi

07:40 - 19.10.18 Dr.Av.Sinan Tafaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Brezi i 50- vjeçarëve që lindi në sistemin monist u mësua që të flitej në emër të popullit, pra edhe në emër të tyre. Zakonisht nuk pyeti se ku e morën të drejtën ata që flisnin në emër të tyre. Ishte pothuajse si një e drejtë hyjnore e trashëguar. Qytetarët e asaj kohe në mendjen e tyre ishin lindur thjesht për t’u bindur, ku ëndrrat dhe dëshirat e tyre ishin të kornizuara, ku respekti për veten ishte minimalist, ku aftësia për të vendosur ishte brenda derës së shtëpisë. Ata ishin plotësisht të qartë se pjesëmarrja në votim ishte formale. Kur isha student në Fakultetin Juridik, me naivitetin tim rinor, njërit nga profesorët më të nderuar i parashtrova këtë pyetje: Të votuarit është veprim apo mendim? Kur më tha se pse e pyesja unë argumentova:  “Shteti i diktaturës së proletariatit dënon çdo veprim që synon ta përmbysi atë”. Po në rast se qytetarët shqiptarë votojnë kundër diktaturës a është ky një veprim që e rrëzon atë? Nëse po pse nuk e dënon?




Përjashtimi shoqëror

Në diktaturë të gjithë e dinim se votimi ishte një proces formal pa kurrfarë vlere pasi qartësisht nuk kishte garë. Sot pjesëmarrja në votim demotivohet nga paragjykimi se gara është e fituar, se gara nuk është reale, se vota e individit nuk ka kurrfarë vlere.

Pjesëmarrja në votim është tashmë një proces aspak i lirë dhe përjashtues. Kufizimet lidhen jo vetëm me pamundësinë objektive të arritjes së kutisë të votimit, por dhe me faktin se një numër zgjedhësish nuk regjistrohen fare me paragjykimin se kanë probleme mendore.

Eshtë e vërtetë se numri i atyre me probleme mendore në vendin tonë është i konsiderueshëm, por nuk është aspak e vërtetë se të gjithë janë të paaftë për të vlerësuar votën dhe për të bërë zgjedhjen e tyre. Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e PAK e ratifikuar nga Kuvendi në vitin 2012, në nenin 12-të ka krijuar një institut të ri të së drejtës që quhet vendimmarrja e mbështetur. Qëllimi i këtij instituti të së drejtës është  që askujt të mos i mohohet e drejta për të vendosur vetë, por nëse ka deficenca ato t’i kompensohen nga mbështetës të garantuar që s’kanë konflikt interesi dhe nuk abuzojnë me nevojtarin nga shteti. Kështu pra mundësohet pjesëmarrja në votim edhe për ata me probleme mendore nëse respektohet neni 12-të i konventës për vendimmarrjen e mbështetur. Kryesuesit e Komisionit të Kuvendit për Reformën Zgjedhore duhet ta parashtrojnë për të zgjidhur këtë ngërç edhe pse palët në garë mund ta paragjykojnë si një rast për t’ia hedhur njëra -tjetrës. Respektimi i konventës dhe i Kushtetutës për lirinë e pjesëmarrjes në zgjedhje është “gur themeli” në shtetin tonë ligjor.

Ekspert në Institutin e Ekspertizës së Personave me Aftësi të Kufizuar.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.