DOSSIER

Ernesto Che Guevara, mes mitit dhe të vërtetave

13:25 - 24.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Spartak Topollaj – Vështirë të gjendet një tjetër personalitet kaq kompleks dhe kaq kontradiktor i shekullit të XX, si ai i Ernesto Che Guevarës, të cilin revista “The Times”, e fut ndër 100 figurat më me ndikim të shekullit të kaluar, e që këtë vit po të ishte gjallë, do të mbushte 90 vjeç. Në të vërtetë, ai jetoi vetëm 39 vite dhe këto ditë, për koincidencë, u bënë plot 51 vite nga vrasja e tij.




Ernesto Che Guevara u lind në Rosario, Santa Fe-Argjentinë, më 14 qershor 1928 dhe vdiq i ekzekutuar në La Higuera, Vallegrande – Bolivi, më 9 tetor 1967. Familja e tij gëzonte pasuri të konsiderueshme. Babai, Ernesto Guevara Lynch, me origjinë spanjollo-irlandeze, ishte një inxhinier i njohur, saktësisht arkitekt, por që u kthye në pronar plantacionesh, ndërsa e ëma, Celia de la Serna y Llosa ishte një intelektuale poliglote, militante politike e lëvizjeve feministe. Che kishte dy motra dhe dy vëllezër, si dhe u martua dy herë zyrtarisht. Së pari me Hilda Gadea Akosta (1955-1959), revolucionare e majtë peruane, me lidhje e njohje të forta politike, diplomuar për ekonomi dhe së dyti me Aleida March (1959-1967), luftëtare kastriste kubane. Ai pati pesë fëmijë, një vajzë, e quajtur edhe ajo Hilda, me gruan e parë, saktësisht Hilda Beatriz “Hildita” Guevara Gadea (L.1956-V.1995) dhe katër të tjerë me Aleidën, dy djem dhe dy vajza, të cilët jetojnë edhe aktualisht: Aleida lindur më 1960, Camillo lindur më 1962, Celia lindur më 1963 dhe Ernesto lindur më 1965.

Che Guevara, ndoshta me dëshirën e babait, i nisi studimet e larta më 1948 në një tjetër fakultet, por shpejt ndërroi, mendje edhe iu përkushtua mjekësisë, në Universitetin e Buenos Airesit, ku pas një ndërprerjeje, diplomohet në korrik të 1953, duke pasur idhull Njutonin në fizikë dhe Pastërin në biologji. Me një shpirt aventurier e rebel, pa ndonjë shkak të qenësishëm, në këtë periudhë të jetës, Che na kujton në një farë mënyre Xhejms Dinin, në filmin hollivudian me të njëjtin titull, pra “Rebel pa shkak”, që falë “RAI”-t, në fillim të viteve ’70-të, e kemi parë si pjesë e një cikli me katër filma, quajtur “Rebelët e së djeshmes”. Kështu, më 1951, ai nisi të parën aventurë të madhe, teksa guxoi, të ndërmarrë një udhëtim të gjatë 4.500 km nëpër vendet e Amerikës Latine, me një biçikletë të modifikuar si motor së bashku me mikun e tij Alberto Granada (në një tjetër version, më të besueshëm, thuhet se udhëtuan me një “Norton” 500 Ç). Inkursioni i dytë me mikun Calica Ferrer u bë një vit më vonë më 1952, kësaj here me një motor italian, “Garelli” dhe ishte 8000 km i gjatë. Vendi i parë ku qëndroi më shumë ishte Guatemala, pasi iu dukën interesante dhe i pëlqyen reformat e presidentit të majtë, Jakobo Arbenz Guzman. Këtu lidhi kontaktet e para me revolucionarë kubanë të lëvizjes së 26 korrikut 1953, që kishin sulmuar pa sukses kazermat Monkada në Santjago de Cuba. Po në këtë kohë, njihet dhe miqësohet me Helena Leiva de Holst (1897-1978), revolucionare e brumosur me ide marksiste në Bashkimin Sovjetik stalinian dhe Kinën e Maos, por kurrë nuk u mësua se deri ku shkoi miqësia e tyre!

Pas disa kohësh, ai u njoh e u miqësua me një tjetër femër, që më pas do të bëhej bashkëshortja e parë e tij, Hilda Akosta Gadea, e cila kish mbërritur deri sekretare për Ekonominë e Partisë Komuniste. Më 1952, me mbështetjen e diktatorit nikaraguan Somoza, atij dominikan Trujillo dhe atij venezuelan Jimenez, Presidenti Truman autorizoi Operacionin ‘PBFORTUNE’, që u pasua në gusht të 1953 nga Operacioni ‘PBSUÇESS’, i autorizuar nga Presidenti pas tij, Ajzenhauer. Ndërkohë, më 18 maj të 1954, në Guatemala kish mbërritur me anije një kamion i rëndë “Skoda”, ngarkuar plot me armë çeke. SHBA nuk mund të rrinte indiferente, aq më tepër, që këtu ishin në lojë interesat e prekura nga reformat të gjigandit “Junajtëd Fruit” me aksionerë kryesorë vëllezërit Dalles, njëri sekretar shteti dhe tjetri drejtor i CIA-s! Në këtë mënyrë, amerikanët nxitën dhe frymëzuan rebelimin anti-Guzman, që filloi më 18 qershor, duke organizuar një detashment special prej 480 trupash të mirëstërvitura, të udhëhequra nga Karlos Kamillo Armas, gjë që e detyroi Guzmanin të japë dorëheqjen, duke kërkuar strehim politik në Ambasadën Meksikane, për t’ia lënë pushtetin Armasit, deri ditën që ky i fundit u vra nga një pjesëtar i Gardës së tij Personale (Romeo Vasquez) më 26 korrik 1957. Che kërkon të luftojë, por zhgënjehet prej revolucionarëve vendas, të rënë në dëshpërim e të tërhequr pas humbjes, ndaj dhe vendos të kthehet në Argjentinë, për të vazhduar studimet e lëna në mes. Hilda ishte arrestuar dhe vetë Che, shpëton duke u strehuar në Konsullatën Argjentinase, ku qëndron deri sa siguron një leje për t’u larguar dhe ndërron papritmas destinacion, duke mbërritur në Nju Meksiko më 21 shtator 1954! Për një farë kohe punësohet në një spital dhe njëkohësisht bën edhe fotoreporterin për “Latina News Agency”. Rilidhet me revolucionarët kubanë, njohur që në Guatemalë, si Lopez, që e prezantoi me Raul Kastron (Qershor 1955), i cili pas pak kohe e njohu edhe me vëllain e madh Fidel Kastro Ruz, që po bënte emër si avokat me bindje të majta. Biografi i të dyve, Simon Reid Henry pohon se ato që i lidhën ngushtë Che me Fidelin ishin idetë revolucionare, madje ishte ky i fundit, që i kërkoi Che, t’iu bashkohej atyre në luftën guerile kundër regjimit të diktatorit proamerikan Fulgencio Batista. Ai pranoi menjëherë dhe u vetofrua të bëjë mjekun e luftës, por në të vërtetë, më mirë se mjekun, si tregoi koha më vonë, ai bëri guerilasin e pamëshirshëm nën komandën e gjeneral Alberto Bajos, luftëtar i vjetër republikan spanjoll. Kastro në rininë e tij qe pjesë e Partisë Popullore Kubane të Eduardo Shibas, i vetëvrarë publikisht në mënyrë të pakuptimtë para mikrofonit të radios në shenjë proteste!

I porsa martuar me Hildën në Nju Meksiko (shtator 1955), Che i bashkohet grupit prej 82 luftëtarësh, që më 25 nëntor, të hipur në anijen Granma u nisën nga Meksika dhe zbarkuan në Kubë. Forcat qeveritare i pikasën dhe i shpartalluan, pasi 60 prej guerilasve u vranë apo u ekzekutuan pasi u kapën. Ata 22 që shpëtuan, të ndarë në dy grupe morën pyjet në Vargmalet Sierra Maestra, ku gjetën mbështetje në fshatrat e zonës nga njerëzit e Frank Pais. Për fatin e Kastros dhe njerëzve të tij s’dihej gjë deri në fillimin e 1957, kohë kur edhe dha një intervistë të gjatë për Herbert Matthews i gazetës “The New York Times”. Fitoret e para, edhe pse të vogla ishin ato të janarit 1957, ndërsa në mars ata sulmuan Presidencën dhe Radion Qendrore, ku mbeti i vrarë drejtuesi i tyre Jose Antonio Echeverria. Në korrik u vra në Santjago de Cuba dhe drejtuesi i njësive të Sierra Maestras, Frank Pais. Che ndërkohë u rrit shpejt në përgjegjësi dhe vetë Fideli e vuri në krye të Kolonës së Katërt, apo si njihej ndryshe Armata e Dytë. Edhe pse do i kthehemi më gjerë kësaj teme, këtu është rasti të paraqesim një tjetër Che, të pamëshirshëm, të egër dhe brutal, ndaj atyre që për dyshimin më të vogël si tradhtarë, spiunë, apo thjeshtë dezertorë, ai vetë, apo me urdhër të tij u ekzekutuan! Shembulli më sinjifikativ ishte ekzekutimi i Eutimio Guerra-s, personalisht nga Che! Duke imituar CIA-n, e cila kish ngritur një radiostacion antiqeveritar në pyjet malore të Guatemalës, që luajti rol të rëndësishëm në rrëzimin e Presidentit Guzman, Che ngriti në Sierra Maestra radion “Rebelde”.

Në mars të 1958, kur forcat qeveritare filluan torturimin dhe ekzekutimin e të burgosurve, apo të kapurve rob, SHBA ndërprenë furnizimin me armë të regjimit të Batistës. Tani forcat kastriste marrin zemër dhe zhvillojnë disa beteja të mëdha si ajo e Las Mercedes në korrik, ku u shpartalluan 1500 ushtarë të gjeneralit Kantilo dhe më kryesorja ajo e Santa Klarës, që i hapi rrugën sulmit final mbi Havana, pas një marshimi cfilitës shtatë javor. Këtu shkëlqeu taktika e Che “sulmo dhe ik”, vlerësuar më vonë edhe nga eksperti i njohur ushtarak, majori amerikan, Lerri Bokman. Diktatori Batista arratiset për në Republikën Dominikane duke u gdhirë 1 janari i vitit 1959, madje thuhet bashkë me 300 milionë dollarë të grabitura, çka i mundësoi njësive të mëdha guerilase të komanduara nga Che, të hyjnë në kryeqytet të nesërmen, pra më datën 2 Janar 1959, ndërsa Fideli pritet me madhështi nga kubanezët një javë më pas, saktësisht më 8 janar 1959. Në luftën dyvjeçare dhanë jetën rreth 2000 luftëtarë. Në mes të janarit, Che pëson një atak të rëndë, si astmatik kronik që ishte dhe qëndron në një vilë pushimi në Tarara, ku bën dhe një muaj të dytë mjalti, por jo me Hildën, e cila tani që revolucioni fitoi, qe kthyer në Kubë për t’u ribashkuar me Che-në. Ai kish kohë që bashkëjetonte me Aleida March (lindur më 1936), një guerilase që i përkiste lëvizjes së 26 korrikut dhe pa i thënë asgjë Hildës, përgatit dhe realizon divorcin me të, më 22 maj, ndërsa vetëm pak ditë më vonë, më 2 qershor formalizon martesën e re me Aleidën.

E zhgënjyer thellësisht, Hilda ra në dëshpërim të thellë, me një shëndet që sa vinte dhe përkeqësohej, deri sa edhe ndërroi jetë, kur sapo kish mbushur 48 vjeçe (1925-1974). Pasi e kaloi krizën astmatike, bëri muajin e mjaltit dhe pushoi disa javë, Che, duke befasuar të gjithë, mësohet t’i ketë kërkuar Fidelit ta emëronte në krye të Burgut Fortesë “Kabanja”, gjë të cilën ai e kish miratuar menjëherë, madje që me 2 janar, pa ardhur ende në Havanën e braktisur nga Batista. Në këtë funksion Che ndenji deri më 12 qershor, e kjo ndoshta mbetet njolla më e errët në biografinë tashmë paradoksale, plot enigma dhe kapërcime ekstreme të Che, por edhe për këtë, do të kemi rastin të shprehemi më pas, kur të thellohemi në analizën e këtij personaliteti kontravers, që s’i shpëton dot përcaktimit si një anarko-terrorist i së majtës ekstreme revolucionare. U kombinuan nga fitimtarët gjyqe të ngjashme me atë të Nyrembergut dhe gjyqe popullore, ku jeta apo vdekja vendosej nga një ‘Si’ ose ‘No’ e turmës. Më pas Che u mor me reformat, sidomos atë Agrare, që shtetëzoi tokën dhe shpejt u vu në krye edhe të dikasterit të Industrisë. Ka marrë kuptim gati anekdotik, emërimi i tij edhe në krye të Bankës Qendrore, kur Fideli, në një mbledhje me drejtuesit kryesorë, befas lëshoi pyetjen për pjesëmarrësit se kush prej tyre ndihej ekonomist i mirë. Che nuk priti aspak dhe u përgjigj: “Unë”. Fideli, në çast e emëroi guvernator të bankës. Che, fjalën ekonomist i mirë e kish dëgjuar gabim, pasi iu duk se pyetja ishte, se kush ndihej komunist i mirë.

Fideli, që në fillim mbajti vetë vetëm titullin komandant, vuri në krye të shtetit si president Manuel Urrutia Lleo-n (1901-1981) dhe kryeministër Jose Miro Kardona-n (1902-1974), personalitete liberalë demokratë, por që shpejt i shkarkoi të dy. Të parin e zëvendësoi pas gjashtë muajsh me dr. Osvaldo Dortikos Torrado (1919-1983, i vetëvrarë, pas 17 vitesh president dhe 6 vitesh guvernator i bankës), kurse të dytin, vetëm pas gjashtë javësh, duke u bërë vetë edhe kryeministër. Urrutia emigroi në SHBA dhe Kardona në Porto Riko, deri sa vdiqën. Tani Fideli, komandant suprem, çuditërisht i vetëgraduar major, i beson Che një sërë turesh diplomatike, i pari nga të cilët nis më 12 qershor 1959 nëpër 14 vende të Paktit të Bandungut, përfshi Japoninë dhe Indonezinë, ku edhe u prit respektivisht nga perandori Hiro Hito e presidenti Ahmed Sukarno. Të tilla ture, ai i ndërmori në Europë, Azi, Afrikë dhe Amerikën Latine, ku mori pjesë dhe foli edhe në Konferenca Ndërkombëtare, si në Punta del Este të Uruguait, Algjer, Gjenevë, apo edhe në sallën plenare të Pallatit të Qelqtë, të Asamblesë së Përgjithshme, në Nju Jork. Të dyja këto të fundit në OKB (25 mars, e 11 dhjetor 1964-ës ku dhe iu bë një atentat i dështuar prej kundërrevolucionarëve kubanë).
Che vizitoi Bashkimin Sovjetik të paktën tri herë, Kinën, Indinë, Egjiptin e vende të tjera në të katër kontinentet, duke u takuar me Maon, Nehruin, Hrushovin, Naserin, Titon, Ho Shi Minin, Kim ir Senin dhe shumë lider të tjerë, deri dhe Mehmet Shehun në Tiranë, për të cilin do zgjatemi më pas, për shkak të diskutimit që ka ngjallur kjo vizitë dhe ky takim në këto gati 30 vite.

Pas një turi të ri në Afrikë, Che kthehet më 14 mars 1965 në Kubë dhe e gdhin natën me Fidelin, ku diskutojnë për projektin guevarist të eksportimit të revolucionit, por çuditërisht nuk shfaqet në publik. Ngjarje të rëndësishme, që nuk mund të mos përmenden, kanë ndodhur më parë. Kështu kemi rebelimin e parë popullor antikastrist në Camaguey, korrik 1959, për të cilin Kastro fajësoi liderin Huber Matos Benitez (1918-2014), lider e shkrimtar i shquar, që pas kundërshtimit të fortë për reformat dhe shkarkimin e presidentit Urrutia, (i dërgoi edhe dy letra Fidelit), pati kontradikta të ashpra me Raul Kastron dhe Che, u arrestua dhe u dënua me vdekje, nga e cila e shpëtoi po vetë Fideli, ngaqë nuk dëshironte ta kthente në martir këtë disident, duke e burgosur plot 20 vjet (1959-1979), Për më tepër, pas “dëshmive” të Raulit dhe Che në gjyq, për shtatë orë rresht dëshmoi edhe vetë Fideli! Interesant mbetet fakti se, arrestimin e tij e bëri një 27-vjeçar, komandanti i shquar Camilo Cienfuegos, një lloj kaçaku e kaubojsi ekstremist, i cili gjatë kthimit për në Havana, humbi jetën në një aksident ajror me Cesna, ende të pa sqaruar deri në fund. Matos u akuzua edhe si agjent i CIA-s, për tradhti të lartë bashkë me Pedro Luis Diaz Lanz në ngjarjet e Gjirit të Derrave ose Plazhit Zhiron (kur zbarkuan 1400 forca invaduese dhe Che komandon me sukses operacionin kundër zbarkuesve) etj.
Ai u burgos në fillim në Burgun Isla de la Juventud (ku qe burgosur dikur Fideli) dhe më pas në Kabanja. Pas burgut të gjatë e të rëndë plot dy dekada, emigroi në SHBA, ku edhe vdiq në moshën 96-vjeçare. Diktatori dominikanas Truhijo ofron asistencë për Legjionin Antikomunist të Karaibeve, plot me kundërrevolucionarë kubanë e të huaj. I kësaj kohe (4 mars 1960), është edhe eksplozioni në portin e Havanës i fregatës franceze 4310-tonëshe, “La Coubre” ngarkuar me municion belg në Portin Antverp, që shkaktoi rreth 100 të vrarë e gati 200 të plagosur, ku Che ndihmon pa u kursyer për të shpëtuar jetë njerëzore në drejtim të operacionit. Ndër të akuzuarit kryesorë për masakrën ishte dhe amerikani William Aleksandër Morgan, që arrestohet gjashtë muaj më pas, gjykohet dhe ekzekutohet. Më 3 janar 1961, SHBA presin marrëdhëniet diplomatike me Kubën dhe më 3 shkurt 1962 shpallin embargon ndaj saj. Kriza mbërrin kulmin në tetor të po këtij viti, me zbythjen e turpshme të Hrushovit, që tërhoqi raketat balistike bërthamore sovjetike nga Kuba, të cilat rrezikonin një luftë botërore atomike, çka shënoi një fitore të madhe të Kenedit.

Me interes është edhe raporti i Che me Haydee Tamara Bunke Bider, e njohur më shumë me emrin Tanja Guerrilierja, lindur më 1937, bijë e një komunisti gjerman, Erich Bunker dhe ruso-polakes Judia Nadia Bider, të ardhur në Argjentinë më 1935 pas përndjekjes nga nazistët (mund të ishin me origjinë hebreje). Ata u takuan dhe u miqësuan në Republikën Demokratike Germane, gjatë një vizite të Che aty, ku ajo bëri dhe përkthyesen e tij në gjermanisht. Tanja i bashkëngjitet atij në aventurën e ndërmarrë për eksportimin e revolucionit dhe vritet duke luftuar më 31 gusht 1967 në Vallegrande, vetëm 40 ditë para se të dorëzohej i plagosur, e më pas të ekzekutohej edhe vetë Che.

Më 1 prill 1965, Che i bën një letër lamtumire Fidelit. Këtu ka dy pika të errëta. E para, ato që ai i shkruan në letër, pati mbi dy javë kohë t’ia thoshte personalisht me gojë Kastros dhe e dyta, si mund të shpjegohet që Fideli e bëri publike letrën vetëm pas gjashtë muajsh, saktësisht më 3 tetor, gjatë punimeve të Kongresit Themelues të Partisë Komuniste të Kubës!? E lexuar me vëmendje, në disa pika, ajo na kujton letrën e lamtumirës që Mehmet Shehu la për Enverin, para se ta vetëvritnin, në mesnatën e errët të 17-18 dhjetorit 1981, e natyrisht kjo thjesht është vetëm një koinçidencë.

Tani Che ka marrë vendimin t’i hyjë një aventure të re dhe mjaft të rrezikshme, duke u nisur drejt Kongos, në pamje dhe në dokumente transformuar mjeshtërisht nën emrin Ramon Benitez, me idenë dhe bindjen e palëkundur, se rruga Kubane do të ishte e suksesshme edhe në Kongon Belge postkoloniale (Zaire) të trazuar, aq më tepër që ajo ziente nga konfliktet mes palëve, ku nga një anë kishin qenë Lumumba (i vrarë më 1961) dhe Gizenga, e nga ana tjetër, Tshombe, Mobutu e Kasa-Vubu. Ai mbërrin atje në krye të një grupi miks kubano-afrikan në 24 prill 1965 dhe merr kontaktet e para me rebelë gjysmë komunistë të tipit Kabila (i cili u instruktua më vonë edhe nga ushtarakë shqiptarë në Tiranë), por shpejt u zhgënjye prej tij dhe nuk ia doli dot me forcat e Mobutus, këtij diktatori delirant e paranojak të pakrahasueshëm, abuzues super i korruptuar i pushtetit dhe financave, kleptokrat e nepotist! I quajtur që kur lindi me emrin Zhozef Desire Mobutu, ai u mbiquajt plot mburrje Mobutu Sese Seko Nkuku Ngbendu Wa Za Banga, që mund ta shqipërojmë si Luftëtar i Plotfuqishëm, Këmbëngulës i Pandalshëm nga Fitorja në Fitore, që mbrapa lë vetëm zjarr! Kështu Che, pasi dështoi me sukses të plotë, i dërgon nga Afrika nën pseudonimin Tatu, një letër të dytë plot pesimizëm Kastros.

Nga përgjigjja e tij kuptohet se Fideli nuk ka predispozitë të investohet, apo të vazhdojë t’i dërgojë ndihma, madje del qartë se ai është për kthimin e tij. Kështu, më 21 nëntor, me kokën ulur, largohet nga Kongo, si e pranon edhe vetë në ditar… “Pas një historie të mbyllur me dështim…”, e nga Dar Es Salaam i Tanzanisë (ku bëri një tentativë të fundit, pa mundur t’i bindë, për projektin luftarak të tij në Afrikë, përfaqësues të FRELIMO-s, Lëvizja për Pavarësi e Mozambikut, siç dëshmoi më vonë në Havana, Major Juan Almeida, në rolin e Ministrit të Forcave të Armatosura), Che udhëton në klandestinitet për në Pragë e më pas edhe në disa vende të tjera. Këtu ka disa pika të errëta, ku shkoi dhe kë takoi, por një gjë është e sigurt; ai pati një takim në fshehtësi të plotë me ish- presidentin argjentinas, Juan Peron (që jetonte në Spanjën frankiste), i cili e quajti vetëvrasje planin utopik të Che, nga i cili duhej hequr dorë menjëherë. Por koha tregoi se Che nuk i konsideroi këshillat e urta të tij dhe u nis në rrugën pa kthim drejt fundit të pashmangshëm, ndaj dhe i hipi avionit për t’u kthyer fshehurazi në Kubë, në dhjetor të 1965-ës. Kjo qe edhe hera e fundit e pranisë së tij në ishull, ndërsa ende mbetet e errët, nëse ai e takoi, apo jo Fidel Kastron.
(vijon nesër)


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Shkrimi e ka vleren tek detajet. Autori eshte kujdesur te tregoje pasojat kombetare e personale te revolucioneve rebeliste qe shkaterojne bazamentet tradicionale pa patur idene e reformave demokratike. Ne fund te fundit mbetet nje Fidel i vogel. Autori permend edhe viziten e Che ne Shqiperi sikur do te beje nje paralele midis Shqiperise dhe Kubes per periudhen komuniste.

    Përgjigju ↓