AKTUALITET

Mateo Spaho: Monopolizimi i lojërave të fatit nga shteti, qesharak

13:20 - 26.10.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ditën e djeshme, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë së lojërave të fatit pas 31 dhjetorit të këtij viti. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, Mateo Spaho, ekspert ekonomie dhe njëkohësisht dekan i Fakultetit Ekonomik pranë Universitetit “Luarasi” thekson se mbyllja e pikave të basteve brenda një periudhe 2 mujore, mund të ketë pasoja të rrezikshme. Sipas tij, ndalimi i lojërave të fatit, do të sjellë vështirësi në konvertimin e bizneseve për rreth 9 mijë biznese që ushtrojnë këtë aktivitet në Shqipëri.




Por Spaho thekson, gjithashtu, se lojërat e fatit ndikojnë negativisht në të ardhmen e ekonomisë tonë, sepse pengojnë diversifikimin e aktiviteteve ekonomike, dekurajojnë shkollimin e të rinjve, rrisin gjasat për konflikte në familje, si dhe krijojnë iluzione të rreme pasurimi. Eksperti i ekonomisë e vlerëson si qesharake, mundësinë për ta bërë monopol shtetëror këtë biznes.

Në parlament u miratua projektligji që konsiston në mbylljen e pikave të basteve sportive në të gjithë vendin. Si e vlerësoni ju si ekspert ekonomie këtë ligj?

Si ekspertë ekonomie duhet të ndajmë moralin nga ekonomia. Nëse nga pikëpamja e moralit mund të themi se lojërat e fatit dhe fitimi i parasë në mënyrë të shpejtë dhe duke përdorur rrugë të shkurtra janë të dëmshme për shoqërinë tonë pasi krijojnë iluzionin e një pasurimi pa punë dhe lodhje, nga pikëpamja ekonomike duhet përmendur se ndalimi i tyre krijon problematika ekzistenciale për më shumë se 9 mijë biznese dhe mesatarisht për mbi 30 mijë persona. Duhet përmendur se nga 10 kompanitë më të mëdha shqiptare, 3 merren me lojëra fati.

Kjo tregon se pasojat në një kohë afatshkurtër mund të jenë të rrezikshme. Me këtë gjë duhet të theksoj se nuk jam kundër mbylljes së lojërave të fatit dhe qendrave të basteve në rrugët dhe lagjet e qyteteve tona por krahas masave të tilla shtrënguese duhen krijuar lehtësira për bizneset në mënyrë të tillë që një pjesë të atyre 9 mijë bizneseve që rrezikojnë mbylljen të kenë mundësi për të ndryshuar aktivitetin e tyre. Duhet të them, gjithashtu, se aprovimi i një ligji me vetëm 2 muaj paralajmërim është një periudhë kohe afatshkurtër që individët të mendojnë në mënyrë serioze për konvertimin e aktiviteteve të tyre.

Numri i pikave të basteve gjatë 5 viteve të fundit është katërfishuar. Si ka ndikuar kjo në ekonominë shqiptare?

Në ekonominë shqiptare realisht ka pasur në 5 vitet e fundit një 4-fishim të pikave të bastit. Kjo vjen si pasojë e varfërimit të alternativave për investim që sipërmarrësit kanë. Kur them fjalën sipërmarrës nënkuptoj në shumicën e rasteve individë që kanë mundësi për të investuar një shumë nga 10-30 mijë euro. Përtej lokaleve dhe pikave të bastit për meshkujt dhe parukeritë për femrat nuk ka aktivitete të tjera shërbimi të suksesshme. Katërfishimi i pikave të bastit tregon se familjet shqiptare nuk mund të gjejnë në realitetin tonë një mundësi për të punuar ndershmërisht dhe për të pasur sukses në jetën e tyre dhe si pasojë krijojnë iluzione për pasurime të shpejta të bekuara nga fati. Natyrisht iluzionet ngelen iluzione ndërsa realiteti tregon se të ardhurat dhe likuiditeti përqendrohet në gjithnjë e më pak duar. Varfëria e ideve për të bërë biznes dhe mundësia e dobët për të krijuar konsum nga ana e familjeve e ka lënë peng vendin tonë të basteve dhe qofteve.

Nuk ka asgjë të keqe,…por të kesh në Shqipëri 44 librari dhe 4000 pika basti tregon se shqiptarët besojnë se dija dhe kultura janë në realitetin e tyre gjithnjë e më pak të duhura ndërsa paraja, pavarësisht se si fitohet është gjithçka. Fatkeqësisht nuk mund t’i qortojmë njerëzit pasi ata thjesht vërejnë se në realitetin shqiptar kultura merret për dobësi dhe të fortët komandojnë vendin. Alternativa që iu ngelet njerëzve është të provojnë që të bëhen edhe vetë të fortë.

A mendoni se lojërat e fatit ndikojnë negativisht në ekonomi?
Lojërat e fatit ndikojnë negativisht në të ardhmen e ekonomisë tonë, sepse pengojnë diversifikimin e aktiviteteve ekonomike, dekurajojnë shkollimin e të rinjve, rrisin gjasat për konflikte në familje, krijojnë iluzione të rreme pasurimi, shpërdorojnë kohën cilësore duke ia hequr kulturës, artit, sportit, argëtimit, raporteve miqësore dhe personale.

Por çdo vendim ekstrem rrezikon të sjellë rezultate ekstreme. Dua të them se një mbyllje e shpejtë dhe totale rrezikon krijimin e qendrave klandestine të jashtëligjshme të basteve dhe të lojërave të fatit, ku do të sundonte dhuna dhe krimi duke rritur pasigurinë në qytetet tona. Rreziku është edhe më i lartë nëse mendojmë se sa jo efiçente është Policia e Shtetit dhe sa e penetruar nga elementet kriminalë është ajo. Në shumë vende si në SHBA ka zona të caktuara si Las Vegas apo Atlantic City ku lojërat e fatit lejohen ndërsa në qytetet e tjera jo.

Në këtë mënyrë mbrohen familjet dhe fëmijët dhe nga krahu tjetër kush do të provojë fatin shkon enkas në Las Vegas. Ky model duhet studiuar dhe pse jo, duhet zbatuar edhe në Shqipëri. Në këtë mënyrë ekonomia jonë nuk do të humbiste kontributin që lojërat e fatit konkretisht japin në Prodhimin e Brendshëm Bruto.

Deri më tani po konsiderohet mundësia e trajtimit të kësaj veprimtarie si monopol shtetëror. A do të jenë më të kontrolluara këto pika në këtë mënyrë?

Mundësia për ta bërë monopol shtetëror këtë biznes është sikur të thuash që shteti duhet të bëjë monopol prodhimin e bukës ose të ketë vetëm shkolla shtetërore…Ky qëndrim është tipikisht monist. Besoni se kush është i varur nga lojërat e fatit nuk do të lozë më kur do të mësojë se pronari është shteti???? Qesharake…

Në të gjitha vendet me ekonomi tregu të zhvilluar dhe me shtet të së drejtës shteti është rregullator jo aktor, gjë që do të thotë se shteti duhet të vendosi rregulla që të gjithë duhet t’i zbatojnë (duke filluar nga vetë shteti, i cili në Shqipëri shpesh-herë i shkel vetë). Por aktiviteti ekonomik është i vitalizuar nga privatët. Si thoni ishte më mirë para viteve 90′ kur kishte vetëm një lloj buke apo sot ku konsumatori ka të drejtë të zgjedhë ngjyrën, përbërjen dhe formën dhe çmimin e bukës midis shumë alternativave…

Tashmë që mijëra pika bastesh do të mbyllen, a do të rritet edhe papunësia?

Natyrisht në 1-2 vitet e para do të ketë një rritje të papunësisë dhe një mbyllje të një pjese të bizneseve që veprojnë në këtë fushë për këtë arsye nevojitej një afat kohor më të gjatë se dy muaj për mbylljen e lojërave të fatit dhe një planifikim të zonave ku lojërat mund të lejoheshin. Problemet që Shqipëria ka janë shumë më të thella se lojërat e fatit, por çështja është se duhet që qeveria të krijojë një mjedis pozitiv për të bërë biznes në fushat e tjera.

Deri tani kemi parë tatimorë, inspektorate, taksa të reja, rritje çmimesh për karburantet dhe energjinë elektrike. Ndërkohë që shumica e shqiptarëve që duan të hapin një biznes e gjejnë tregun të kapur nga miqtë e pushtetit dhe nuk iu ngelet gjë tjetër veçse të hapnin një qofte, parukeri apo një bast. Tani do të keni një mundësi më pak dhe një pengesë më shumë. Bastet ishin strofulla e iluzioneve të shqiptarëve, për të harruar një realitet pa alternativa.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.