AKTUALITET

“Kushtet e mjerueshme në konvikte, nuk ka as ujë e as letër higjienike”

12:30 - 01.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Pamundësia për të përballuar qiratë e larta të shtëpive, i detyron shumë studentë nga rrethet të strehohen në konviktet e Qytetit Studenti. Por, kushtet vazhdojnë të mbeten të mjerueshme për rreth 5 mijë të rinj që kanë zgjedhur si strehën e tyre dhomat plot lagështirë e pa hapësirë të mjaftueshme për të jetuar. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arbjona Çibukaj, studente në vitin e dytë e njëkohësisht aktiviste e lëvizjes “Për Universitetin” tregon se kushtet higjienike lënë për të dëshiruar, pasi në tualete nuk ka as letra higjienike dhe as larës duarsh. Ajo shton se detyrohen të paguajnë 450 mijë lekë të vjetra për një vit për mjerimin me të cilin bashkëjetojnë çdo ditë. Çibukaj bën me dije se kanë organizuar disa aksione simbolike për t’i dhënë një zgjidhje situatës, por deri më tani ankesat e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët e madje u ndeshën edhe me arrogancën e administruesve të konvikteve.




Prej sa kohësh jetoni në konviktin e Qytetit Studenti?
Unë jam në vitin e dytë bachelor dhe prej dy vitesh jetoj në Qytet Studenti. Arsyet pse zgjodha të jetoja aty janë pak a shumë të njëjtat që shtyjnë çdo student tjetër t’i drejtohet Qytetit Studenti, pra kushtet ekonomike. Shtëpitë me qira janë të papërballueshme. Duke qenë se Qyteti Studenti është afër me një pjesë të mirë të fakulteteve, kjo është një tjetër shtysë që shumica zgjedhin atë vend, sepse do të duhet të luftosh edhe për të zgjidhur problemin famëkeq të abonesë në të kundërt.

Sa është pagesa për një vit?
Pagesa vjetore është 45000 lekë, por kushtet e jetesës nuk e justifikojnë shumën. Një dhomë 20 metra katrorë, e cila ndahet me person tjetër paguhet 13’500 lekë. Ne dukje të parë, tarifa e konviktit mund të na duket më e ulët se qiraja e shtëpisë, por po të bësh një përllogaritje të vogël bazuar në metër katror rezulton se Qyteti Studenti është më i shtrenjtë se shtëpitë me qira.

Si paraqiten kushtet, a janë të përshtatshme për të jetuar?
Për kushtet e konvikteve është folur shpesh dhe si përfundim janë ende në gjendje të mjerueshme. Dhoma të vogla ku jetojnë tre persona, hapësira nuk është e mjaftueshme as për të lëvizur lirshëm jo më për të tjerat. Përveç krevatit dhe dyshekëve me susta të dala, nuk gjejmë asgjë tjetër në dhomë. Çdo mjet tjetër të nevojshëm e sigurojmë nga buxheti ynë.

Sa veta jetoni në një dhomë dhe a ka hapësirë të mjaftueshme?
Për fatin tim të mirë e ndaj dhomën vetëm me një vajzë tjetër, por në 80% të dhomave jetojnë nga tre persona. Siç e përmenda edhe me lart, hapësira lë shumë për të dëshiruar. Dikush do të studiojë, dikush tjetër të gatuajë, dikush do të flejë, imagjinojeni pak se si mund ta shtyjnë çdo ditë kështu. Për rastin e studimit na janë përgjigjur duke na thënë se ka dhoma studimi. Këto përveç kushteve minimale që kanë, nuk kanë as kapacitet të mjaftueshëm për të gjithë studentët. Unë asnjëherë nuk kam gjetur vend tek salla e studimit, është gjithnjë e tejmbushur.

A ka çdo dhomë dushin e vet apo janë të përbashkëta? A ka ujë në çdo orë të ditës?
Nuk është as mit, as gojëdhënë, por dhomat nuk kanë tualete personale. Kemi dushe dhe tualete të përbashkëta, të cilat janë të gjendje të mjerë. Për sa u përket dusheve, ato janë me orar, nuk ka ujë të ngrohtë 24 orë, kjo shkakton dhe atë radhën e gjatë që të gjithë e kanë dëgjuar.

Si paraqiten çmimet në mensa, a janë të përballueshme për një student?
Ushqimi mbetet një tjetër problem që kanë studentët që vinë nga rrethet. Disa përpiqen të gatuajnë vetë, por shpeshherë gatimi në dhomë është i pamundur, sidomos në rastet kur në një dhomë jetojnë tre persona. Përveç erës së ushqimit që do më shumë se një orë të largohet nga dhoma, duhet të biesh në kompromis edhe me vajzat e tjera se kush do të gatuajë e para. Kështu që disa studentë u drejtohen mensave, ku dihet se ato që kanë disi çmime me të lira kanë pasojat të tjera, duke qenë se cilësia e ushqimit lë për të dëshiruar. Pastaj kur fillon dhe vë në diskutim cilësinë, rritet çmimi dhe kostot mbeten sërish të papërballueshme për një student, i cili e ka buxhetin javor afërsisht 3000 lekë.

Po kushtet higjienike si janë?
Kushtet higjienike lënë për të dëshiruar, në tualete nuk ka as letra higjienike dhe as larës duarsh. Për të mos të folur për kovat dhe fuçitë me ujë, të cilat përdoren për t’u hedhur ujë WC-ve në mungesë të shkarkuesve dhe mungesës së ujit 24 orë.

A keni bërë ndonjë kërkesë për rehabilitimin e kushteve dhe cila është përgjigja që keni marrë nga instancat përkatëse?
Vitin e kaluar lëvizja “Për Universitetin” së bashku me studentë që jetojnë në Qytet Studenti ndërmorëm një aksion simbolik për të risjellë në vëmendje kushtet e mjerueshme të konvikteve. Nga ana e drejtorisë nuk pati asnjë reagim pozitiv, përveç arrogancës së administruesve të tyre.

A do të vazhdoni të qëndroni në konvikt apo do të shikoni mundësinë e një shtëpie me qira?
Jo, nuk do të vazhdoj të jetoj më në konvikt. Vitin tjetër do të shoh për mundësinë e një shtëpie me qira që ta ndaj me dikë tjetër, pasi nuk e përballoj dot e vetme as dhe një garsionere. Por kjo nuk është zgjidhje. Edhe sa kohe do të vazhdojnë këto godina të qëndrojnë në këto kushte? Edhe sa breza do të përcillen kështu?


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.