Kryesore

Kafja e mëngjesit e Metës nuk zgjat shumë, Rama i kërkon takim

13:00 - 04.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Presidenti Ilir Meta e nisi ditën, të paktën publikisht me një postim në rrjetet sociale. Presidenti në një foto duke pirë kafen e mëngjesit, uronte shqiptarët të kalonin një ditë të diel të qetë, duke shfrytëzuar dhe rrezet e diellit. Por duket se qetësia për kreun e shtetit nuk zgjati shumë. Mos dekretimi i Sandër Lleshit, në postin e Ministrit të Brendshëm ka bërë që kryeministri Edi Rama të kërkojë takim me presidentin Meta. Takimi Rama-Meta zgjati rreth 90 minuta.




“Me kërkesë të tij, Kryeministri u takua me Presidentin e Republikës, për të diskutuar rreth përmbajtjes së letrës së këtij të fundit mbi propozimin për dekretimin e Gjeneral, Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm. Bashkëbisedimi ishte i hapur e konstruktiv dhe kryeministri do të vijojë komunikimin me Presidentin e Republikës,” thuhet në një reagim të Kryeministrisë.

Mbrëmjen e së shtunës zyra për mediat e Presidentit do të njoftonte se kreu i Shtetit “nuk ka krijuar bindjen e plotë për t’i dhënë besimin kandidaturës së Sandër Lleshit si ministër i Brendshëm”.

Nga qeveria nuk pati reagim, ndërsa kryeministri Edi Rama i ka dërguar një mesazh deputetëve socialist si dhe drejtuesve të tjerë të partisë:

“Lutem asnjë lloj komenti askush për vendimin e Presidentit! Ne jemi shumica dhe ne kemi detyrën t’i dalim Zot njerëzve, vendit, Kushtetutës me maturi dhe vendosmëri. Politika është shah, mos e harroni.”

Mbetet për të parë se cila do të jetë forma zyrtare që Presidenti do t’i japë vendimit të tij. Në rastin e dekretit për shkarkimin e zotit Xhafaj, pas dorëheqjes së tij, Kreu i Shtetit i referohet qartësisht neneve të Kushtetutës për firmën që ka hedhur mbi dekret.

Ndërsa, fraza e shkurtër e shpërndarë nga zyra e tij e shtypit, për rastin e zotit Lleshi, nuk ka asnjë referencë ligjore. Për më tepër që ajo nuk rezulton të jetë e publikuar në faqen zyrtare të Presidencës. Nga ana tjetër, në asnjë nen të saj, Kushtetuta nuk parashikon rrëzimin nga ana e Kreut të Shtetit, të propozimit të një ministri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.