OPINION

Ndahet qeveria në Amerikë, ja mësimet për politikën në Shqipëri

07:25 - 08.11.18 Julian Zyla
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tashmë Trump nuk do të lëvizë aq lehtë në Uashington. Eskorta e makinave që e shoqërojnë do të vazhdojë të jetë po aq efektive nëpër rrugët e kryeqytetit amerikan, por korsitë e pushtetit tashmë do të jenë pjesërisht në duart e kundërshtarëve të tij. Dhoma e ulët e Kongresit amerikan u fitua nga demokratët, e majta.




Qeveritë në republikat presidenciale, si në Amerikë, apo semi-presidenciale, si në Francë, quhen të ndara kur presidenti është i njërës parti dhe legjislativi ose një pjesë e tij është e partisë tjetër. Në Francë kjo mundëson dhe “bashkëjetesën” midis një presidenti dhe një kryeministri të dy partive të ndryshme. Është rast ndryshe nga republikat parlamentare, ku presidenti është jopolitik.

Por, humbja e Dhomës së Përfaqësuesve nga partia e Trump nuk sjell leksione mbi funksionimin e institucioneve, pasi ato janë të ndara në Kushtetutë, por mbi mënyrat e bërjes politikë. Kjo më sjell ndërmend njerëzit e bukur të Tiranës. Cilët janë?

Njerëzit e bukur të Tiranës i sheh nëse del nga shtëpia diku para orës tetë të mëngjesit. Janë në nxitim duke çuar fëmijët në kopsht apo shkolla me veshjet e tyre të rregullta. Ndonjëherë parkojnë në radhë të dytë, duke u kujdesur të mos pengojnë dhe të mos vonohen shumë. Fytyrat e tyre kanë shtyrë problemet për disa orë më vonë, kur të jenë në zyrë. Tashmë u thonë mirupafshim fëmijëve, të cilëve u kanë dëgjuar muhabetet e tyre prej fëmijësh që i kanë kënaqur. Njerëzit e bukur të Tiranës janë edhe shitësit apo pastruesit në rrugë, që bëhen pjesë e energjisë rigjeneruese të atyre orëve të mëngjesit. Të gjithë në zyra! Të gjithë duke u marrë me pjesën tjetër të ditës. Njerëzit e bukur të Tiranës i sheh sërish të nesërmen me punën e tyre, me fëmijët e tyre, me ditën e tyre studentore.

Shumica e këtyre njerëzve nuk e ndjekin politikën sa komentatorët, gazetarët apo politikanët. Nëse një lajm politik ka mbërritur tek ata, ose ka qenë shumë i rëndësishëm, ose shumë interesant. Çdo gjë tjetër në politikë, nuk përfshihet në interesin e njerëzve të bukur.

Në Amerikë, Hillary Clinton humbi prej një kohe të gjatë lajmesh politike kryesisht të zhvilluara pa jashtë interesit të njerëzve të bukur. Trump fitoi, por mendoi se tashmë njerëzit do të vazhdonin të mos shfaqnin interes. Kështu, gaboi. Lajmet e tij ishin dhe shumë të rëndësishme dhe, fatkeqësisht, shumë interesante. Njerëzit e painteresuar kthyen kokën. U menduan dhe votuan.

Në këto zgjedhje në Amerikë u votuan më shumë kandidate gra se ndonjëherë. U votua për herë të parë një guvernator homoseksual i hapur. Vota ishte krejtësisht në drejtim të asaj që perceptohej si realitet në SHBA: valë progresiste. Çfarë mund dhe duhet të mbajë shënim politika shqiptare?

Demokratët amerikanë arritën te votuesit e tyre duke kuptuar problemin real që kishin: daljen në votime. Demokratët korrën frytet e një kundërshtari, që fatmirësisht për ta kishte filluar të besonte se mund ta vendoste ai se çfarë ishte më e rëndësishme për publikun e gjerë, të njerëzve të bukur. Demokratët u përpoqën të frymëzonin më tepër: duke u përqendruar te vlerat e njerëzve të bukur dhe duke gjetur mënyrat për t’i përkthyer këto vlera në politikat e tyre.

Nuk është e thjeshtë të bësh fushatë mbi gjënë më të rëndësishme. Shpesh mund të tërhiqemi nga ajo që është më e rëndësishme për ne dhe të harrojmë që elementi përcaktues mund të mos jetë përbërje, por diçka teknike thellësisht e domosdoshme si pjesëmarrja në votime e mbështetësve tanë. Njerëzit e bukur dalin në mëngjes për të shoqëruar prindërit ose fëmijët, por jo gjithmonë ndihen të frymëzuar për të shoqëruar një politikan.

Sa i përket ndihmës që Donald Trump u dha demokratëve, ajo ishte rezultat edhe i mosdëgjimit ndaj disa këshilltarëve. Këtë gjë mund ta ketë bërë edhe Hillary Clinton dy vjet më parë. Trump besoi tepër në aftësitë e tij për të kanalizuar vëmendjen e njerëzve. Kishte harruar fuqinë e shumicës së heshtur. Kishte harruar fuqinë e njerëzve të bukur.

Së fundmi, demokratët këtë herë arritën të frymëzonin. Nuk e morën dot Senatin, ku matematika u dha republikanëve një shumicë edhe më të konsoliduar, por mësimi që mund të nxirret është që politika është emocion. Trump u kishte dhënë shumë material për emocion dhe ata nuk e shpërdoruan. Herë tjetër kanë qenë demokratët që kanë pasur tepër vetëbesim. Por këtë herë jo vetëm besuan, por edhe punuan. Dëgjuan elektoratin e tyre dhe u përgjigjën duke treguar se ishin pasqyra që kërkonin.

Tashmë, eskorta e Trump do të duhet të lëvizë ndoshta edhe më shumë në Uashington. Por, demokratët e Kongresit me shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve janë gati t’i vënë pengesa rrugës së tij politike. Trump do të mësojë edhe mësimet e veta. Do të mësojë durim. Do të mësojë mbi nevojat e njerëzve të bukur dhe fuqinë e tyre për të ndarë qeverinë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.