KULTURË

“Tutori”/ Romani që bashkon ish-bashkëshortët Mimoza Ahmeti e Aurel Plasari

14:00 - 10.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Është promovuar këtë të premte në “UET”, romani “Tutori” i poetes Mimoza Ahmeti. Libri që mban logon e “MapoEdition” shoqërohet me parathënie nga ish- bashkëshorti i poetes, kritiku i njohur Aurel Plasari. Autorja ka rrëfyer mes të tjerash se Plasari me të cilin ka një vajzë, është edhe personazh i romanit. Alda Bardhyli, drejtore e “MapoEdition” tha dje se “ky roman është një rrëfim i fortë mbi individin dhe dëshirën e përhershme për ta gjetur zgjedhjen tek dashuria. Romani i Ahmetit vjen në kuadër të projektit që ‘MapoEdition’, pjesë e Institutit Europian ‘Pashko’ ka për të promovuar letërsinë e mirë shqipe”. Bardhyli shtoi se, “në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm. Në raportin e saj me dy burrave, të dashurit imagjinar dhe atij real, ajo zbulon një nga një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore. Nga ana tjetër, do ta quaja edhe një libër politik, pasi në thelb kemi një individ produkt të këtij kaosi social e politik që jetojmë”. Sipas Bardhylit, drejtore e “UET PRESS”, personazhi kryesor përfaqëson çdo grua në përpjekjen e përjetshme për ta gjetur zgjedhjen tek i dashuri imagjinar që duket sikur është zgjidhja e kaosit që nuk ia dalim dot. ‘Tutori’ nuk është një dhunues real, është fuqia që ka iluzioni për të drejtuar jetën tonë”, shtoi ajo.




Ndërsa vetë autorja, Moza Ahmeti tha se “jam personi më i lumtur që dëgjoj kaq shumë lëvdata. Uroj që nga fjalët e mira të mos humbas shikimin. Jam menduar këto ditë se çfarë është botimi i një romani që fillon në viti ’94 dhe mbaron në vitin 2017. Mbetet një çlirim shpirtëror, sepse kontekstet kuptimore, duam apo s’duam ne rëndojnë mbi shpirtin e njeriut. Kjo ngarkesë është një lodhje e madhe për psiqikën, por është kjo barrë. Simbolika duke ndihmuar kontekstet e kuptimit të dalin në sipërfaqe, kryen dy detyra, lehtëson autorin dhe pas këtij momenti unë nuk e ndjej më si veprën time, por është e përbashkët dhe personalisht më hap horizontin”. Për Ahmetin, në kontekstin simbolik, që është fiksuar te romani ‘Tutori’ shërben për të gjithë kuotat njerëzore për të ecur përpara dhe për mua që nëse e lexoj në momente të caktuara ku ka bërë pas, e ndihmon të kthjellohet. “Ajo që e shikoj si kualitet i këtij libri është tërësia e konceptimeve. Jemi shumë të lodhur nga literaturat që krijojnë direksione. Ky libër, ky roman është e tëra perceptive, ku elementet e fiksionit, koshienca aty nuk dallon dot midis personazheve të kulturës, personazheve të jetës, personazheve të dëshirës, pra është një miks i virtualitetit, ku jeton truri dhe e ka të vështirë që në realitet të bëjë dallimin e reales nga jo realja. Atëherë them që ajo poetika e këtij libri do t’i japë jetëgjatësi në vite këtij romani dhe besoj që ajo çka e sintetizon, është subjekti. Romanet tona janë romane të cilat horizontojnë sistemin dhe shkojnë krah për krah tij me disa diskurse të vogla subjektive”, vërejti Moza. Ajo theksoi se kemi një tranzicion që s’po merr fund në vendin tonë, që ka lënë pasoja të rënda në shpirtrat tanë, të cilat duke shkruar dhe duke reflektuar them që ne do t’i lehtësojmë dhe do të bashkohemi në atë pikë që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme. “Një falënderim të veçantë kam për Aurel Plasarin, i cili me shumë dashuri mund të them që ka shkruar parathënien e këtij romani brenda një kornize elegante dhe stilit gjuhësor që ai e ka të zakonshëm dhe shpresoj që të gjithë të keni mundësi të shkruani dhe të jemi në të tilla takime”, tha në fund Mimoza Ahmeti.

PLASARI PËR AHMETIN “SHËNIM PËR KËTË ROMAN
TË RI” e titullon Plasari parathënien, ku që në fillim vë në dukje se që kur e mori nuk e lëshonte dot nga dora romanin. Kujton me këtë rast se si te romani i parë i autores, “Arkitrau”, apo i dyti “Gruaja haluçinante” edhe te “Tutori” ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Plasari, si njohës i mirë i letërsisë, vë në dukje se në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. “Për ta shpënë në skaj këtë antirrëfim, edhe në këtë roman të ri Mimoza Ahmeti as që ka marrë mundimin të lypë ndihmë nga paralajmërimi tanimë tinëzar “Çdo ngjashmëri me ngjarje ose persona realë është e rastit”. Ai farë paralajmërimi do të kumbonte si gënjeshtra më e padobishme prej shkrimtarësh si ajo, të cilët shkruajnë me bindjen se, kush ka frikë të përdorë ‘unin’ në shkrimet e veta, nuk ka për të qenë kurrë shkrimtar i mirë. Mbas ‘unit’ të pafrikë të shkrimtarit, të tjerat mbeten t’i zbulojë lexuesi, si ai studenti i bukur që sapo vegoi i mahnitur ‘dantellat e buta të të brendshmeve dhe flokët e avulluar prej gjumit deri në kërthizë’ të heroinës së romanit”, shkruan Plasari në parathënie.

Romani bën një shpërfaqje të jetës së provincës, që është atdheu i heroinës së romanit, ku zor se mund të jepej në mënyrë më autentike se sa me shkartisjen e elementit fantastik me vulgaren e përditshme, të thjeshtësisë me ironinë, të vrazhdësisë me lirizmin etj., shënon Plasari, që më tej vëren se kjo shkartisje, që në sy të parë mund të ngjante si dobësi baroke, e shndërron narrativën e romanit “Tutori” në matematike. Ai shton se, do të ketë – doemos që do të ketë! – edhe lexues që do të pëlqejnë ta lexojnë këtë tekst thjesht si roman dashurie.

“Ose, më sak, si roman mbi dashurinë. Analiza e ndjenjës erotike, në fazat dhe format e saj të ndryshme – nga shpërthimi i shqisave rinore deri te tjetërsimi – kryhet me gjithë natyrshmërinë e mundshme në këtë prozë. Mirëpo nuk mund të mos vihet re që autorja e kupton dashurinë jo si një krizë, sikurse na ka mësuar gjithë ajo barrë letërsie tradicionale, por një permanencë, e cila prodhon tek individi një varg të pafund transformimesh. Je gati të pohosh që shkrimtarja paskësh dashur të shkruajë një roman platonik, duke treguar për eksperiencën erotike nëpërmjet një intelektualizimi të ndjenjës”, thotë Plasari, duke vërejtur se mund të mos jetë kryevepër, por është padyshim një libër i pazakontë në prozën bashkëkohore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.