MILOSAO

Nga vinte urrejtja e Nopçës për Ismail Qemalin

16:15 - 11.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ben Andoni – Duhet të ketë ende punë për historianët për të plotësuar kuadrin e figurës së Ismail Qemalit. Por, një gjë dihet mirë dhe qartë. Në një nga udhëkryqet më të mëdha të historisë së vendit tonë, paçka atyre që mëtuan gjithë kohën bashkëkohësit e tij, shkëlqesia e tij arriti të vihej në krye të intelektualëve shqiptarë dhe të shpallte pavarësinë e vendit. Akti mund të gjykohet vetëm tani pas një shekulli, kur Shqipëria bën jetën e saj në mes të familjeve të vendeve të lira krejt si e barabartë.
Ismail Qemali nuk i shpëtoi përfoljes të një pjese të madhe të spektrit politik shqiptar dhe të huaj. Duket filluar nga këta të fundit, zemëratën më të madhe me të do e kishte princ Ëied, që e shikonte si një nga njerëzit kryesorë pengues të situatës së Shqipërisë.




Gjithsesi, jemi në vitin 1913, kohë kur Nopçe po merret me figurën e tij dhe shkencëtari i njohur, që i ka rënë kryq e tërthor maleve të Shqipërisë, ndoshta shumë më tepër se plaku i pavarësisë, e akuzon hapur si spiun dhe të korruptuar .

Franz Baron Nopcsa von Felsöszilvás, (1877 – 1933), konsiderohet si një prej studiuesve më të njohur të kohës, por edhe me trung fisnik, lindur në një familje aristokratike hungareze në Transilvani. Mbase s’është vendi për të folur në këtë shkrim për Nopçën, por duhet sqaruar se falë punës së tij, ai, konsiderohet me të drejtë si një ndër albanologët kryesorë të kohës së tij me plot 186 tituj kushtuar asaj. Interesat e tij albanologjike shtriheshin nga parahistoria dhe historia e lashtë, etnologjia, gjeografia, historia e re dhe e drejta zakonore shqiptare, d.m.th. kanuni. Librat e tij të hershme si Das katholische Nordalbanien (Shqipëria e Veriut katolike, Budapesht 1907), Aus Šala und Klementi (Nga Shala dhe Kelmendi, Sarajevë 1910) und Haus und Hausrat im katholischen Nordalbanien (Shtëpi dhe orendi në Shqipërinë e Veriut katolike, Sarajevë 1912) si dhe Beiträge zur Vorgeschichte und Ethnologie Nordalbaniens (Ndihmesa për parahistorinë dhe etnologjinë e Shqipërisë së Veriut, Sarajevë 1912) përmbajnë vëzhgime të shumta, sipas Elsie por të pa sistematizuara mirë. Megjithatë dy kryeveprat e tij janë:

Bauten, Trachten und Geräte Nordalbaniens (Ndërtime, veshje dhe vegla të Shqipërisë së Veriut, Berlin & Laipcig 1925) dhe monografia themelore prej 620-faqesh Geologie und Geographie Nordalbaniens (Gjeologjia dhe Gjeografia e Shqipërisë së Veriut, Öhrlingen 1932), kjo e fundit kryevepra e botimeve albanologjike që dolën gjatë jetës së tij.
Gjithsesi Nopçe kishte dhe një parametër tjetër dhe këtë e vuri përballë egos së tij. Nopçe e shpalli hapur kandidaturën e tij për mbret të Shqipërisë dhe kuptohet se figura e Ismail Qemalit ishte realisht një pengesë. Dhe, kishte një arsye. Ismail Qemali ishte unik në mesin e figurave politike shqiptare të kohës së tij, për profesionalitetin e lartë që kishte në politikë, ekonomi, kulturë dhe diplomaci, cilësi që i mungonin krejtësisht shkencëtarit diabolik. Nëse Nopça do e ekuilibronte këtë personalitet, atëherë nuk do ishte e vështirë të eliminonte politikisht të gjithë politikanët.

Kjo është arsyeja sepse Nopçe flet shumë keq për shqiptarët dhe përçarjen e tyre në Kongresin e Triestes dhe mbivlerëson qëndrimin e tij personal. Në fakt, Nopça ishte i mrekulluar nga e kaluara e gjallë e shqiptarëve, por ai ishte jashtë realitetit të vërtetë të shqiptarëve, të cilët po ndryshonin me shpejtësi realitetet e tyre. Asokohe Shqipëria nuk përbënte ndonjë gjë kaq të habitshme përveç faktit që një shtet i ri po lindte. Dhe, për fat të keq Nopçe humbet në arealin e gjykimit të shqiptarëve por realisht edhe atë që ata duan.

Kongresi Shqiptar i mbajtur në Trieste nga 26 shkurti deri më 6 mars 1913 e provon më së miri këtë. Për të një pjesë e madhe e shqiptarëve që përfaqësojnë vendin janë të paaftë dhe tradhëtarë, kurse shigjetat drejtohen vetëm te Ismail Qemali, si të korruptuar. Do ishte e vërtetë nëse do vërtetohej se ai do linte kamje, por ne që dimë sot fatin e familjes së tij, pohojmë se shkencëtari i njohur e teproi me këtë figurë. Ai ishte realisht njeriu i vetëm që mund të mblidhte shqiptarët e asaj kohe. Të mjafton të kujtosh njoftimin që konsulli italian i bënte qeverisë së tij nga Vlora më 28 nëntor 1912: Në shfaqjen e papritur të armiqve të rinj, të papritur që mund ta kishin dënuar përgjithmonë ekzistencën e kombit shqiptar, ata [Shqiptarët] u larguan nga mospajtimet dhe u mblodhën rreth një njeriu mjaft
superior për inteligjencën, përvojën dhe zgjuarsinë, që u përpoq t’i bënte të shpëtonin veten duke shpallur pavarësinë e tyre dhe duke kërkuar nga Italia dhe Austria, gadishmërinë për të mbështetur këtë kontrast harmonie.
Njeriu, që ai e etiketon si kaq superior, i pranuar nga të gjithë shqiptarët ishte Ismail Qemali. Fakti i të qenit një albanolog i shquar nuk e bëri dot Nopçen, një njohës të mirë të shpirtit të shqiptarëve.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.