DOSSIER

Poloni 1918: Rifitim i shtetësisë së humbur

09:20 - 11.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Andrzej Chwalba-Në vitet 1918-1921 në Evropë  lindën apo rilindën shumë shtete që krijuan një arkitekturë të re politike të saj.  Shumica syresh e mbrojti dhe e ruajti në vitet e pastajme mëvetësinë e fituar në periudhën e lartpërmendur. Në mesin e tyre disa, siç ishte Polonia, u kthyen  në historinë shtetformuese të ndërprerë në fundin e shekullit XVIII. Ndërsa të tjera, si Letonia apo Estonia,  si Sllovakia në përbërje të Çekosllovakisë apo Sllovenia në kuadër të federatës serbo-kroate-sllovene,  u shfaqën në hartë për herë të parë. Asnjë nga shtetet e reja nuk ishte në gjendje të rimerrte të gjitha tokat e para rënies.




Republika e Polonisë e rilindur në fundin e tetorit 1918 vetëdijshëm po lidhej me trashëgiminë dhe traditat e parardhëses së vet: Republikës polako-lituane.  Fjala për një shtet që veç të tjerash kishte përpunuar idenë e unioneve të  shteteve sovrane.  Bashkimi i sotëm Europian  ka referenca tek unioni  polako-lituan. Megjithë diferencat në interesa të klasave politike të të dyja vendeve gjithnjë  triumfonte  interesi parësor dhe bindja që unioni mbetej një lidhje dobisjellëse për të dyja palët.  Vlerësoheshin atëbotë liritë qytetare dhe  parlamenti i përbashkët (Sejmi). Parlamenti polak i shekullit XXI i përmbahet ndërgjegjshmëm  trashëgimisë së asaj periudhe duke u quajtur Sejm. Kësaj tradite i përmbahen edhe lituanët që e emërtojnë parlamentin e tyre Sejmas, por edhe letonët- Saeima. Polakët, lituanët, letonët, por edhe ukrainasit dhe  bjellorusët, shprehen me krenari për kushtetutën e parë në Evropë dhe të dytën në botë të miratuar më 3 maj 1791. Mendimtari politik polak, kleriku Hugo Kołłątaj në tekstin e kushtetutës futi një dispozitë mbi përgjegjësinë politike të pushtetit ekzekutiv (qeverisë), ndaj  pushtetit legjislativ (parlamentit), anëtarët e të cilit zgjidheshin nga zgjedhësit duke e bërë parlamentin një përfaqësues të sovranit popull. Në shekujt  XIX-XX shumë vende të botës përqafuan parimin e Kołłątaj-it. Kombet dhe shtetet, që janë trashëgimtare të Republikës respektojnë  edhe traditën e bukur të  tolerancës politike dhe fetare. Në vitin 1573 klasa politike polake, në aktin e konfederatës miratoi  dispozitën  mbi tolerancën fetare në tokat e Republikës teksa ky akt është bërë pjesë e  trashëgimisë botërore të UNESCO. Autorët e tij iu referuan hapjes dhe tolerancës polake. Komuniteti i besimit hebraik, i persekutuar në Evropën Perëndimore dhe i përzënë prej andej gjeti  molon e vet të sigurt te Republika. Falë kujdesit të mbretërve dhe Sejmit hebrenjtë fituan  të drejta dhe liri të krahasueshme me ato të vëndasve. Kishin madje edhe trupën e tyre legjislative. Hapja e  klasës politike të Republikës ndaj grupimeve vulnerabël bëri që në shekullin XVI të shfaqeshin menonikët e dëbuar nga Holanda si dhe skocezë që i largoheshin persekutimit fetar. Mes refugjatëve kishte gjithashtu grekë, italianë, armenë, karainë, rusë dhe protestantë gjermanë.  Këto komunitete pasuruan kulturën e përbashkët të Republikës dhepërcollën vlerat e tyre në thesarin e përbashkët.

Megjithë përpjekjen reformatore ndërmarrë në fundin e shekullit  XVIII Republika ra. Në ballafaqimin me tri shtete të fuqishme imperiale: Rusinë, Austrinë dhe Prusinë nuk kishte shanse të mëdha për mbijetesë.  E megjithatë për polakët liria dhe pavarësia mbeteshin vlera të pandashme.  Këtë e dëshmuan kryengritjet kombëtare të organizuara  pas rënies së shtetit nga  lëvizjet ilegale liridashëse të  shekullit XIX; kryengritja koshçushiane e vitit 1794,  ajo nëntoriane 1830-1831, kryengritja e janarit 1863-1864. Populli polak  ka dëshmuar pjesëmarrje aktive në luftrat europiane  për lirinë e popujve dhe shteteve në Pranverën e Popujve në Austri, Prusi, Hungari, Francë, Gjermaninë Perëndimore, Itali, sipas devizës polake që më pas u  përqafua edhe nga të tjerët“për lirinë tonë dhe tuajën”. Gjatë  kryengritjes nëntoriane të periudhës romantike Sejmi kryengritës polak njohu këngën “Polonia ende nuk ka vdekur” si himn kombëtar ndërsa  ngjyrat bardhëe kuq si  ngjyra dhe simbole kombëtare, të cilat janë në fuqi sot e gjithë ditën.  Polakët ishin të bindur se vetëm shteti i tyre u garantonte  zhvillim shpirtëror dhe  material  sipas pritshmërive dhe traditave të tyre si dhe përparim në fushën e  arsimit, shkencës, teknologjisë dhe një përfaqësim dinjitoz në politikën dhe kulturën europiane.  Ndaj edhe në panteonin kombëtar  kanë vend ata që me pushkë e penë kanë luftuar për  rikthimin e Polonisë në  vendin e saj të dikurshëm në Evropë, në mesin e popujve të lirë dhe si e barabartë mes të barabartëve. Më të mëdhenjtë ndër ta, luftëtarët Kościuszko dhe Poniatowski, por edhe poetët Mickieviç dhe Sllovacki merituan vendin e tyre të prehjes në Wawel të Krakovit, në nekropolin mbretëror. Si të barabartë me mbretërit. Pas vdekjes, në vitin 1935,  në Wawel u sollën edhe eshtrat e Marshallit të Republikës dhe ringjallësit të  Polonisë në vitin 1918 Juzef Pillsudskit. (Józef Piłsudski)

Gjatë gjithë shekullit XIX, me intensitet të ndryshueshëm, çështja polake mbetej jetike, do të thotë  çështja e  rikthimit të  Republikës në ndonjë lloj konfiguracioni territorial. Falë epokës napoleoniane në kuadër të  Evropës franceze u krijua  Principata e Varshavës dhe pas rënies së saj deri në vitin 1832 ekzistonte Principata liberale Polake në unionin e personifikuar me dinastinë e Romanovëve, ndërsa deri në vitin  1846 funksiononte  qyteti i lirë i pavarur i  Krakovit. Ndonëse kryengritjet kombëtare  nuk patën sukses, ato gjithsesi  gjallëruan historinë evropiane dhe i dhanë peshë çështjes polake. Për aq kohë sa ekzistonte aleanca e tre copëtuesve Prusisë, Austrisë dhe Rusisë rifitimi i mëvetësisë ishte praktikisht i pamundur. Në fund të shekullit XIX gjithsesi u formësuan dy blloqe militare: shtetet qendrore dhe shtetet e Ententa.  Në bllokun e parë  bënin pjesë Prusia dhe Austro-Hungaria, në të dytin  Rusia. Për herë të parë prej më shumë se 100 vjetësh rrugët e copëtuesve të Polonisë përfundimisht u ndanë. Kjo solli gjallërimin e  shpresave polake. Mirëpo  në momentin e shpërthimit të  Luftës së Madhe në vitin 1914 asnjë nga  shtetet zaptuese nuk donte të trajtonte  çështjen polake si çështje ndërkombëtare. Po ashtu edhe Franca dhe Britania e Madhe, në koalicion me Rusinë,  megjithë simpatinë për përpjekjet e polakëve, zyrtarisht mbeteshin në ujdi me Rusinë. Në vitin 1916 situata politike në Evropë dhe botë po niste të ndryshonte në favor të interesave polake.  Së pari  Prusia dhe aleati i saj zaptuan  toka të gjera në Lindje në kurriz të Rusisë së mposhtur, të cilat populloheshin nga kombe të ndryshme. Berlini kishte vendosur të krijonte në Lindje  një sistem  shtetesh formalisht të pavarura dhe faktikisht të varura nga njëri tjetri si politikisht, ashtu edhe ekonomikisht, por edhe të udhëhequr nga monarkët gjermanë. Këto shtete kishin për të formuar Unionin Gjerman në Evropë.  Berlini donte njëkohësisht të dobësonte Austro-Hungarinë, të nënshtronte Rumaninë e pushtuar me luftë, të krijonte shtetin e  Flamandëve si kufij perëndimorë të Evropës Gjermane.  Në idenë e  krijimit të shtetit polak gjermanët u bindën edhe më fort nga Legjionet Polake, do të thotë nga  formacionet vullnetare që luftonin përkrah shteteve të qendrës qysh me fillimin e luftës.  Lider joformal i këtyre formacioneve ishte Pillsudski. Në vitin 1916 gjermanët dhe austriakët i njohën  Legjionet Polake si  formacionet më të mira ushtarake në frontin e lindjes.

Dokumenti i parë për rangun ndërkombëtar që shënon nisjen e  rilindjes së Polonisë ka qenë akti i 5 nëntorit 1916, nënshkruar nga dy perandorët: Vilhelmi II dhe Franc Juzefi I.  Akti parashikonte krijimin e  Mbretërisë Polake me kryeqytet Varshavën.  Në muajt në vazhdim, u krijuan,  krahas  atyre pushtuese, edhe pushtetet polake, qeveria, regjenca trivetëshe. Menjëherë pas aktit të  5 nëntorit gubernatori i përgjithshëm gjerman në Mbretërinë Polake thirri  vullnetarët polakë nën flamurin e  ushtrisë polake nën komandën gjermane. Përgjigja ishte shumë e vakët. Viti 1917 solli lajme të shkëlqyera që u shkonin për shtat shpresave polake. Fillimisht në Rusi, pushteti i ri lindur pas  revolucionit rus parashikonte se Polonia mund të  rikrijohej, por që do të donin shumë që kjo të ndodhte në aleancë të lirë me Rusinë e re, ndërkohë  në prill Shtetet e Bashkuara hynë në luftë në krahun e aleatëve.  Në mesazhin e famshëm drejtuar  Kongresit të SHBA në janar 1918 presidenti Woodrow Wilson në pikën 13 paralajmëronte  krijimin e Polonisë së pavarur me dalje të lirë në det (Balltik) si një nga qëllimet e luftës.  Ndikim vendimtar në përmbajtjen e pikës 13 kishte  artisti polak me famë botërore, pianisti dhe kompozitori Ignacy Jan Paderewski, i cili kishte miqësi me presidentin amerikan. Në një linjë me amerikanët edhe aleatët  europianë  po u njihnin polakëve të drejtën për të krijuar shtetin e tyre. Në Francë u krijua ushtria aleate polake nën komandën e  ish oficerit të  Legjioneve Polake gjeneralit Józef Haller. Kjo ushtri politikisht ishte nën varësi të  Komitetit Kombëtar Polak (KNP) me seli në Paris dhe të drejtuar nga Roman Dmowski.  Komiteti në fjalë u pranua si përfaqësuesi zyrtar i Polonisë. Kishte të drejtë të lëshonte pasaportat polake dhe të merrte kredi në emër të Polonisë në llogarinë e tij të ardhme.

Në vitin 1918 ardhmëria e Polonisë ishte siguruar. Rilindja ishte e sigurtë, po ashtu edhe disfata e shteteve qendrore. Mbetej ende pa përgjigje pyetja cili kamp politik polak do të merrte  pushtetin në Poloninë e rilindur si dhe kush nga politikanët kryesorë Pillsudski apo Dmowski. Rënia e Austro-Hungarisë dhe  disfata e Gjermanisë vjeshtën e vitit 1918 u mundësuan konspirativistëve polakë të  çarmatosnin ushtritë e të dyja shteteve.  Të çarmatosurit po ktheheshin qetësisht në shtëpitë e tyre.  Rivalitetin e dy politikanëve kryesorë për marrjen e pushtetit e fitoi Pillsudski, i njohur dikur si aleat i austriakëve, ndërsa prej korrikut 1917 i burgosur nga gjermanët dhe i mbajtur në kalanë e Magdenburgut.  Në Varshavë u kthye më 10 nëntor 1918. E pritën si shpëtimtar, si perëndi. U bë  Kryetar i Përkohshëm i Shtetit.  Bashkë me qeverinë dhe polakët themeloi  Republikën e Polonisë- në sistemin e republikës, të hapur, tolerante dhe  demokratike.  Qytetarëve iu garantua kuadër i gjerë  lirish qytetare, ndërsa  grave të drejta të barabarta politike me burrat.

Ndërkaq mbetej i hapur dhe njëherësh i vështirë për t’u zgjidhur problemi i përcaktimit të kufijve, sepse trashëgimtarë të  Republikës  veç polakëve ishin edhe lituanët, letonët, bjellorusët, ukrainasit dhe të gjithë ata  po krijonin  shtetet e tyre kombëtare shpesh në  territore të diskutueshme. Qëllonte që për zotërimin e të njëjtave toka pretendonin dy apo edhe tri shtete. Në tokat e larmishme nga pikëpamja etnike dhe  fetare ishte e vështirë të përcaktoje kufij të drejtë. Në rrethana të tilla konfliktet dhe luftrat në mesin e trashëguesve të Republikës për llokma sa më të mëdha-ishin të pashmangshme. Tension kishte edhe në raportet midis popullsisë kristiane, veç të tjerash popullsisë polake dhe asaj hebreje të shumë në numër, e cila  shpresonte që shteti i ri do t’i garantonte autonominë kulturore-kombëtare. Skamja e pasluftës, uria, rrënimi, epidemitë- kishin ndikimin e tyre në marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe ndëretnike.

Kufijtë  përfundimtarë polakë u përcaktuan në vitet 1918-1923, veç të tjerash falë  luftës fitimtare me Rusinë bolshevike në vitin 1920. Polonia e rilindur  nuk mund të ishte monolite nga pikëpamja  kombëtare, njëlloj si edhe shtetet fqinje, sepse  banorët që kishin populluar në shekuj tokat e Republikës pranë njëri tjetrit e që kishin përdorur gjuhë të ndryshme, u përkisnin  kulturave të ndryshme etnike.  Të gjitha shtetet e Evropës së Re përbëheshin nga kombësi dhe besime të ndryshme. Në Poloni kishte një shumicë pakicach, ndër të cilat më të mëdhatë ishin ajo ukrainase dhe hebreje, në një kohë kur në shtetet fqinje banonin më shumë se 2 mln polakë.  Trashëgimia e Luftës së Madhe dhe luftrave të viteve 1918-1921 kishte për të ndikuar në marrëdhëniet e vështira të Polonisë me fqinjët si dhe në  marrëdhëniet e ndërsjella midis polakëve dhe pakicave kombëtare. Kushtet e vështira materiale të miliona banorëve të Polonisë, si pasojë e luftrave dhe  zaptimeve të mëhershme, me siguri  që nuk do ta bënin më të lehtë bashkëjetesën në mirëkuptim.

Përpjekjet më shumë se 100 vjeçare të polakëve për të  rikthyer shtetin e pavarur përfunduan sipas traditës së filmave amerikanë hollivudianë:me fund të lumtur.  Mirëpo filmi mbi përpjekjet polake  ishte xhiruar në Evropën Qendrore. Në mesin e regjisorëve dhe njëkohësisht mamive të shtetësisë së mëvetësuar polake kemi personalitete kaq shumë të njohura dhe të respektuara në Poloni dhe jashtë saj, ndër të tillët janë: Tadeusz Kościuszko, kleriku Józef Poniatowski, kleriku tjetër Adam Jerzy Czartoryski, gjenerali  Józef Bem, Romuald Traugutt, Józef Piłsudski, kompozitori Ignacy Jan Paderewski. Pa mençurinë dhe guximin e tyre, pa vizionin e tyre, ëndrrat e polakëve për të pasur shtetin e vet të bashkuar e të përbërë nga tokat e tri copëtimeve- nuk kishin për t’u bërë kurrë realitet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.