BOTA

48 të vdekur nga zjarret në Kaliforni

19:10 - 14.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

48 vetë janë konfirmuar të vdekur deri tani nga zjarret në Kaliforni. Ekipe zjarrfikëse vazhdojnë të luftojnë me flakët, ndërkohë që dhjetëra mijëra banorë janë zhvendosur dhe ende ka qindra të zhdukur. Punonjësit e ndihmave po kërkojnë mes rrënojave që ka lënë pas zjarri.




Shumë nga të vdekurit janë gjetur në makina të djegura si dhe në ndërtesa të shkatërruara në qytetin Paradise në Kaliforninë veriore. Zjarrfikësit luftuan gjatë gjithë natës me flakët që kishin përfshirë një sipërfaqe prej 50 mijë hektarësh.

Shumë zjarrfikës janë vetë banorë të zonës, ku deri tani janë regjistruar 7600 shtëpi dhe struktura të tjera të shkatërruara.

Në Kaliforninë e jugut një vatër zjarri vazhdon të digjet pranë Los Anxhelosit. Zjarrfikësit kanë numëruar mbi 435 struktura të shkatërruara, ndër to edhe shumë shtëpi të shtrenjta në qytezën Malibu.

Më shumë se 8 mijë zjarrfikës janë mobilizuar në të gjithë shtetin për të luftuar zjarret. Erërat e forta, të quajtura Santa Anas, një fenomen i rregullt natyror në Kaliforninë e jugut, i kanë vështirësuar operacionet.

Në një aktivitet në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Donald Trump, i cili ishte kritikuar pasi kishte shprehur ankesa për departamentin e menaxhimit të pyjeve në Kaliforni, përcolli ngushëllime për viktimat dhe shprehu keqardhje për banorët e prekur nga kjo fatkeqësie natyrore.

“Mbajmë zi për jetët e humbura, falemi për viktimat. Ka në fakt më shumë viktima se ndokush mund ta imagjinonte të mundshme”. Ekipet zjarrfikëse po përllogarisin dëmet materiale dhe në njerëz, ndërkohë që mbi 220 banorë aktualisht figurojnë të zhdukur.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.