KULTURË

Rrjedha e dashurisë

13:53 - 14.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Maria Idromeno – Autori zvicerano-britanik, Alain de Botton, një bestseller perëndimor, vjen në panairin e librit 2018 me botimin më të ri “Rrjedha e dashurisë”, një gërshetim i romanit me udhërrëfyesin për marrëdhëniet në çift. Botton kryen një hulumtim të mençur dhe të hollësishëm mbi kompleksitetin e marrëdhënieve romantike dhe veçanërisht, martesën. Gjakftohtësia intelektuale dhe mprehtësia artistike ofrojnë një analizë të të gjitha etapave nëpër të cilat kalon një lidhje. Ai ndjek boshtin e së vërtetës fund e krye, duke mos u rrekur për asnjë çast ta manipulojë lexuesin me fraza kitsch apo t’i komunikojë atij pikërisht ato fjalë që ky i fundit do të donte të dëgjonte. Botton guxon t’i paralajmërojë romantikët se marrëdhënia me një njeri, aq më tepër një marrëdhënie e shtrirë gjatë në kohë, nuk e ka aftësinë të mbetet e pandryshuar, në atë gjendjen statike të fillimit të saj, pra të pasionit marramendës dhe iluzioneve të ndryshme që ky i fundit provokon; se marrëdhëniet ndryshojnë së bashku me njerëzit.




Gjithashtu, ai ngre një pyetje të domosdoshme së cilës i jep përgjigje hap pas hapi: Ç’është dashuria? Ç’është kjo forcë vetëmohuese ndaj së cilës njeriu zgjedh me vullnet të plotë të robërohet? Por mbi të gjitha, a jemi ne të aftë ta shquajmë dashurinë e të mos biem pre e formave të gënjeshtërta që mitizimi i saj ka krijuar? Botton përpiqet të shquajë se si dashuria materializohet në përditshmëri dhe nëse ka një shpresë për jetëgjatësinë e saj, pavarësisht problemeve (shpesh fatale) që mund ta shoqërojnë atë. Ai është një autor i matur dhe modest e nuk pretendon për asnjë çast të ketë çelësin e të vërtetave absolute. Përkundrazi, duke na ftuar publikisht në një diskutim të domosdoshëm, ai përqendrohet te forca dialektike e të arriturit në një përfundim logjik, duke dhënë sugjerime e arsyetime të larmishme; në pritje që mbase ne të ndalojmë gjatë rreshtave për t’u menduar, ose për të dashur të flasim pothuajse si në terapinë e llojit që ndjekin personazhet e tij apo së paku, thjesht të bluajmë vetmevete gjithë sa na ofrohet. Mënyra se si ky autori i lëçitur e kryen zbërthimin e sjelljeve sociale dhe fenomenit më të rëndësishëm njerëzor, atë të krijimit dhe ruajtjes së marrëdhënieve, është nëpërmjet zgjedhjes së një gjuhe të thjeshtë, një gjuhe që i flet gati çdo lexuesi dhe i shtjellon atij koncepte të komplikuara nëpërmjet frazash e shembujsh të përditshëm, lehtësisht të përvetësueshëm. Pikërisht këtu përmblidhet gjenialiteti i tij. Një tjetër mjeshtëri e veprës është edhe aspekti psikologjik i personazheve.

Botton na paraqitet si një njohës shumë i mirë i psikikës njerëzore kur zbërthen shkaqet e që i bën personazhet e tij – Rabihun (një burrë i ri lebanezo-gjerman, sentimental, i pasigurt) dhe Kirstenin (një grua e re skoceze, inteligjente, e pavarur, e fortë) – të ndërmarrin veprime si tradhtia, falja apo mëria. Ai përqendrohet në dijen psikanalitike për t’u dhënë kuptime sa më drejta sjelljeve dhe mendimeve që e përbëjnë një lidhje si ajo e Kirstenit dhe Rabihut e më tutje, atë të të dyve me fëmijët që do të sjellin në jetë. Ironia e librit qëndron te fakti se po aq sa ç’të rrëmben në një lexim të lehtë e të shpejtë, po aq të angazhon pashmangshmërisht në të. Leximi ecën nëpërmjet shembujve të paraqitur në formën e novelës artistike, me dialogë që grishin kureshtjen dhe shtojnë etjen për lexim, sikurse te ndalesat e pashmangshme të të përtypurit të këtij materiali. Alain de Botton është një prej autorëve më të lexuar aktualë në botë sot. Ai ka botuar një sërë titujsh me tematika të ngjashme, mes të cilëve “How Proust Can Change Your Life” (1997), “The Architecture of Happiness” (2006), “The Romantic Movement” (1994), etj. Në Shqipëri ai njihet sidomos me esenë prozaike “Ngushëllimet e filozofisë” (2004), gjithashtu nga shtëpia botuese “Ideart”. Më 2015 Festivali i Shkrimtarëve të Melburnit i dha atij çmimin vjetor për veprën “The Fellowship of Schopenhauer”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.