KULTURË

Rezarta Reso: Si inkurajoj leximin në SHBA, më mungon të flas shqip

16:30 - 16.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Egla Xhemali – Të gjithë i mbajnë mend emisionet e fëmijëve që ajo drejtonte në TVSH e ngrohtësinë që u falte fëmijëve dhe publikut që e ndiqte përmes ekranit. Në këto ditë jubilare për ata që e duan librin e pikërisht në ditën e dytë të “Panairit të 21” patëm fatin të takonim Rezarta Reson. Pas shumë vitesh punë si bibliotekare në Amerikë, Reso kthehet për të marrë pjesë në panair pavarësisht se nuk është shkëputur asnjëherë nga Shqipëria përmes përkthimeve dhe librit të saj. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta shqiptare” Zonja Rezarta na zbulon metodat për t’i afruar fëmijët me librin, gabimet më të shpeshta që bëjnë prindërit në përzgjedhjet për të vegjlit e tyre, për punën që e bën me shumë pasion, si dhe për atë çka i mungon nga Shqipëria. Nga eksperiencat e saj Reso na tregon se gjithçka duhet të nisi që kur fëmija është në barkun e nënës, pra duhet lexuar me zë të lartë që kur nëna është shtatzënë. Ky proces vazhdon edhe kur ai është bebe dhe në të gjitha fazat e rritjes së tij. Kështu fëmija shndërrohet në lexues të zellshëm. Zonja Rezarta i mëshon fort bashkëpunimit që duhet të ketë prindi me fëmijën gjatë këtij procesi dhe se kurrsesi ata nuk duhet ta detyrojnë fëmijën të lexojë libra që nuk i pëlqejnë. Përkundrazi, prindërit duhet të jenë nxitje për të vegjlit duke i orientuar drejt librit.




Gjithë këto vite mes librash dhe po prap ngelet një dashuri e patjetëruar nga pluhuri i kohës. Edhe në Amerikë ka mjaft problem sa i përket raporteve që kanë të rinjtë me librat megjithatë bibliotekarja ka shpresën se të gjithë së bashku mund ti dalim për të ndriçuar sa më shumë fëmijët dhe të rinjtë drejt dijes. Asaj i mungon shqipja. Duket sikur fjalët në anglisht janë të pamjaftueshme për të shprehur se si rreh ajo pjesë e zemrës që i përket botës së mrekullive, letërsisë.

Cila është metoda më e mirë për t’i afruar fëmijët e vegjël me librin?

Eksperienca më ka mësuar që metoda më e mirë dhe më frytdhënëse për të afruar librin me fëmijët, është që fëmija duhet ekspozuar me librin sa më herët dhe me sa më shumë dashuri dhe pasion. Kur them sa më herët, nënkuptoj që libri i afrohet fëmijës që në barkun e nënës.
Në bibliotekë punoj në departamentin e fëmijëve dhe të rinisë (Mosha 0-18 vjeç) dhe për pesë vjet kam drejtuar programin e nënave shtatzëna dhe atë të bebeve. Ju them me bindje të plotë që pas gati 20 vitesh punë në bibliotekë, ato nëna që sollën bebet e tyre që dyjavëshe apo dymuajshe në programet e bibliotekës dhe që u lexonin pa reshtur fëmijëve, kanë rritur lexues të zellshëm, që kanë qenë studentë të suksesshëm dhe që vazhdojnë ta duan dhe të mos e ndajnë librin nga dora.
Një faktor tjetër, i njëllojtë për nga rëndësia më të parin, është ta inkurajosh fëmijën ta lexojë librin, sepse i ngjall kënaqësi dhe e mbështjell në një botë ëndrrash dhe imagjinate frymëzuese. Leximi nuk duhet servirur si detyrë apo si dënim, por si një mundësi përzgjedhjesh për të eksploruar botën dhe për të njohur vetveten njëkohësisht.

Sa të interesuar janë ata që lexojnë?

Ata që lexojnë, janë ata që duan të lexojnë. Problemi qëndron se si të inkurajojmë lexuesit “dembelë” apo ata që nuk dinë të zgjedhin atë çka u pëlqen të lexojnë, ose mbase që nuk dinë as se dhe çfarë u pëlqen, sepse janë të ekspozuar shumë pak ose aspak ndaj librit.

Gabimet më të shpeshta që bëjnë prindërit në përzgjedhjen e librave për fëmijë?
Unë jetoj që prej 24 vitesh në Amerikë dhe atje ka një lëvizje masive të bibliotekave dhe shkollave që prindërit t’i inkurajojnë fëmijët të lexojnë çdo gjë. Çdo lexim është i mirë, është eksperiencë që të mëson diçka. Sigurisht që ka rezistencë nga disa prindër dhe edukatorë që mendojnë se kontrolli për leximet e fëmijëve është i domosdoshëm, por ne përpiqemi të argumentojmë që përfitimi më i madh është kur prindi dhe fëmija diskutojnë bashkë atë çka fëmija ka lexuar duke parashtruar opinionet e prindit dhe jo duke ia mbyllur fëmijës shansin për të lexuar. Sidoqoftë, prindi mbetet në fuqi për të lejuar apo kundërshtuar llojin e leximeve për fëmijët, ne vetëm sugjerojmë atë çka mendojmë, gjë që është dhe e provuar, që çdo lexim është i rëndësishëm.

Ju jeni një binom i pandarë me librat. Ku konsiston puna juaj?
Shumë e vërtetë, nuk mund ta imagjinoj veten time pa disa libra rrotull, që për arsye dhe të profesionit, i lexoj njëherësh. Siç ju thashë, puna si bibliotekare më ka lidhur pazgjidhshmërisht me bebet, nxënësit e shkollave dhe të rinjtë. Çdo pesë vjet ne qarkullojmë programet për grupmoshat e ndryshme dhe ndërtojmë programet dhe aktivitetet në lidhje me moshën. Aktualisht unë jam koordinatore e lidhjeve të bibliotekave publike me shkollat nën moton se kur një nxënës nuk mund të vijë në bibliotekë, shkon biblioteka te nxënësi. Detyra ime është të inkurajoj leximin duke prezantuar botime të ndryshme, klasike apo bashkëkohore, të organizoj klubin e librit dhe atë të krijimeve letrare si dhe votimet e fëmijëve për librin me të mirë, që është “Çmimi i shtetit” që i jepet librit më të lexuar të votuar nga vetë fëmijët.

Me çfarë ritmesh lexohet në SHBA?
Si kudo, edhe në SHBA ka probleme të shumta që kanë të bëjnë me leximet e pakta, nivelin e dobët të leximeve apo konkurrimet që vijnë nga interneti dhe lojërat dixhitale. Detyra si edukatore dhe bibliotekare është që t’i joshim fëmijët me librin duke ua servirur me shumë dashuri dhe pasion, duke i inkurajuar me këmbëngulje dhe durim që çdo faqe e lexuar është një informacion që iu mëson diçka të re, të bukur dhe që mbetet gjithmonë me ju.

Jeni rikthyer përsëri në Shqipëri. Si ju duket atmosfera në këto ditë panairi?
Është panairi i parë ku marrë pjesë, meqenëse kam përkthyer një libër me kujtime të tre autorëve amerikane, “Në lojë me Djallin”, një libër, që përcjell jetën e një grupi shokësh të përfshirë në drogë dhe varësi të tjera shkatërruese, me pasoja tragjike dhe se si në një moment e kuptuan që po rrëshqisnin drejt një gremine vdekjeprurëse dhe u futën në rrugën e rikuperimit duke nisur një jetë nga e para dhe duke i dhënë shpresë dhe mbështetje me mijëra të rinjve që vuajnë këtë tragjedi.

Në panair jam mrekulluar nga shumëllojshmëria e botimeve! Bleva disa libra dhe do të doja që të blija sa më shumë, të cilat do t’ia dhuroj bibliotekës ku punoj, sektorit të shqipes, pasi është e pamundur të blihen libra nga Shqipëria për arsye teknike dhe rregullave shpesh pa kuptim. Unë kam bashkëpunuar për herë të parë me Dudajn për librin “Kujtimet e një Geishe”, me Ombra GVG për botimin e librit tim “Kur një burrë dashuron” dhe së fundi me shtëpinë botuese Dituria për librin “Në lojë me Djallin”. I falënderoj për mundësinë që më kanë dhënë dhe shpresoj të vazhdoj kontributin tim modest në fushën e letërsisë, me përkthime apo shkrime të miat.

Mendoni se duhet të ketë më shumë përkthime apo prurje të letërsisë shqipe?
Personalisht i dua të dyja, por jo për hir të botimeve të ofrohen vepra apo përkthime të dobëta, të varfra, me nivele mediokre. Nuk mund ta inkurajojmë lexuesin pa e respektuar me vepra dinjitoze dhe cilësore.

Çfarë ju mungon më shumë nga vendi juaj?
Pamundësia për t’u folur fëmijëve për librin në gjuhën time. Më mungon të flas shqip. Më duket sikur nuk më mjaftojnë fjalët në anglisht për të derdhur tërë dashurinë time për librat tek brezi i ri.

A keni menduar te ktheheni?
I qasem këtij mendimi, por më duket i vështirë për sa kohë më duhet të punoj në Amerikë për të mbushur moshën e pensionit (që po afrohet pa u ndjerë). Jeta ka plot të papritura dhe, ashtu siç nuk e kisha menduar kurrë, në rini, që një ditë do jetoja në SHBA, mbase një shans tjetër mund të më kthejë në Shqipëri.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.