AKTUALITET

Universiteti “Luarasi” pret mitin e librarëve italianë, Romano Montroni

09:48 - 17.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Në kuadër të panairit të librit, universiteti “Luarasi” ka pritur këtë të premte menaxherin mitik të librarive “Feltrinelli”, personalitetin e shquar italian, Romano Montroni. Studentët e Fakultetit Eko-nomik patën mundësinë e artë për të ndjekur leksionin e hapur mbi teknikat bashkëkohore të menaxhimit dhe marketimit të librit. Gjatë bashkëbisedimit me studentët, Montroni prezantoi veprën e tij “Të shesësh shpirtin- zanati i librashitësit” për të përçuar përvojën e tij më të mirë tek të rinjtë e “Luarasit”. Miti i librarëve italianë u përpoq të tregonte edhe njëherë vlerën e jashtëzakonshme të librit në formimin arsimor, kulturor e vetë jetën e një kombi. Në aktivitet, ishte e pranishme edhe drejtoresha e Institutit Italian të Kulturë, Alessandra Malgarini. Rektori i ‘Luarasit’, prof.dr. Ethem Ruka u shpreh tejet i nderuar për vizitën e këtyre personaliteteve të shquara dhe theksoi se janë hedhur hapat e parë për bashkëpunim të frytshëm në të ardhmen. “Jam shumë i nderuar që jeni këtu. Ne ramë dakort që kur të kemi një vizitë të rektorëve të universiteteve italiane, të organizojmë një ditë, një takim këtu në universitetin “Luarasi” për të parë pikat e takimit dhe bashkëpunimit me to, për të shtuar gamën e bashkëpunimeve dhe veçanërisht për të arritur atë që ne kemi dëshirë, shkëmbim përvojash në nivel universitar”,-theksoi Ruka.




Vlera e librit
Vetë miti i librarëve italianë, Romano Montroni tregon se cilësia e studentëve dhe stafit akademik të ‘Luarasit’ janë një vlerë e madhe për këtë universitet prestigjioz. “Qëllimi i këtij leksioni ishte që të bëja të kuptonin studentët vlerën e librit dhe cilat operacione apo veprime marketimi mund të ndërmerren. Gjithashtu, në këtë aktivitet, u përpoqa t’u shpjegoj studentëve se libri në vetvete ka një vlerë të madhe. Më bëri shumë përshtypje cilësia e studentëve të universitetit “Luarasi”, e kjo është një vlerë për institucionin.

Përshtypjet më pozitive vijnë edhe për stafin akademik e mendoj se profesorët janë në lartësinë e duhur në këtë ambient kaq prestigjioz si universiteti “Luarasi”. Mund të them se kemi ndërmarrë disa hapa, kemi hedhur disa baza që i kemi diskutuar me stafin për të lidhur bashkëpunime me universitetin “Luarasi””,-tha Romano Montroni në fjalën e tij. Ndërkohë drejtoresha e shtëpisë botuese “Toena”, Irena Toçi thotë se ky aktivitet është baza e fillimit të bashkëpunimeve të mëtejshme mes Luarasit e universiteteve italiane.

“Qëllimi ynë si botues të Romano Montroni-t në shqip, arriti maksimumin me këtë takim në universitetin “Luarasi”. Në takime të tilla dalin gjithmonë bashkëpunime për të ardhmen. Unë besoj që u hodhën themelet për një bashkëpunim të ardhshëm mes universiteteve italiane dhe atij “Luarasi”, me synim që ky universitet privat i rëndësishëm, i akredituar si një nga universitetet më të mira në Shqipëri, të mund të shkëmbejë studentët e tij me universitete të tjera në Itali”,-tha Toçi. Më tej, zv. rektorja e universitetit Luarasi, Luljeta Minxhozi tregon se ky leksion i hapur do të shërbejë si një eksperiencë e vyer për studentët. “Leksioni i hapur i mbajtur në universitetin “Luarasi” nga miti i librarëve italianë, Romano Montroni është një eksperiencë e veçantë për studentët tanë. Ky libër i prezantuar nga ky personalitet i shquar është shumë i dobishëm për studentët e menaxhimit, sepse iu ofron një qasje tjetër.

Kjo ishte një qasje provokative që iu tregonte studentëve se në këtë botë që jetojmë ne çdo gjë mund të jetë e përdorshme në mënyrë efiçente, në mënyrë që atë që ke ti ta përdorin edhe të tjerët”,-u shpreh zv. rektorja e universitetit ‘Luarasi’, Luljeta Minxhozi. Nëpërmjet leksioneve të hapura me personalitete të shquar, ‘Luarasi’ dëshmon edhe njëherë se vazhdon të mbetet një ndër liderët e arsimit të lartë në treg, duke sjellë te studentët përvojat më të mira ndërkombëtare.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.