SHËNDET

Arjana Rreli: Mënyrat efikase për të menaxhuar stresin post traumatik

17:55 - 19.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mund të na ndodhë që të përfshihemi në ngjarje tronditëse, e madje edhe me pasoja fatale. Pas kësaj, jo te pak persona që kanë qenë dëshmitarë të ngjarjes dhe e kanë përjetuar atë, fillon të shfaqet stresi posttraumatik. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, Arjana Rreli, mjeke psikiatre me një eksperiencë 30-vjeçare në këtë fushë, e cila prej 8 vitesh punon në Qendrën Komunitare të Shëndetit Mendor numër 3 në Tiranë tregon mbi shfaqjen e stresit posttraumatik. Ajo thekson se kategoritë më të prekura nga PTSD-ja janë jo vetëm dëshmitarët e ngjarjes, por edhe ata që mund ta kenë shkaktuar ngjarjen, ata që ndihmojnë viktimat ose ata që asistojnë në vendngjarje si policë, personeli i urgjencës, apo punonjës të mediave. Më tej Rreli tregon shenjat kryesore të stresit posttraumatik si dhe mënyrat e trajtimit të tij.




Çfarë është stresi post traumatik?
Stresi post traumatik (PTSD) është një reaksion psikologjik, që mund të manifestohet pas një ngjarjeje traumatike. Elementët e tij specifikë shfaqen papritmas dhe pa u kuptuar nga individi, ndërkohë që edhe periudha e shfaqjes mund të mos ketë afërsi me ngjarjen traumatike. Sa më e ashpër të jetë trauma dhe sa më gjatë të ketë qenë ekspozimi, aq më shumë rriten shanset që personi të preket nga ky lloj stresi.

Cilat janë kategoritë më të prekura nga ky lloj stresi?
PTSD prek jo vetëm viktimat apo dëshmitarët e ngjarjes, por edhe ata që mund ta kenë shkaktuar ngjarjen, ata që ndihmojnë viktimat ose ata që asistojnë në vendngjarje si policë, personeli i urgjencës, punonjës të mediave, etj.

Cila konsiderohet ngjarje traumatike?
Konsiderohet traumatike një ngjarje që ka pasur të vdekur ose kërcënim serioz për jetën e një personi ose një grup njerëzish, si luftë, fatkeqësi natyrore, aksident në udhëtim, në punë, abuzim fizik, lajmi për vdekje të papritur jonatyrale i një personi shumë të dashur etj.

Cilat janë karakteristikat dhe shenjat e PTSD?
Një person vuan PTSD nëse ka qenë i ekspozuar ndaj traumës ekstreme, shenjat zgjasin për të paktën 1 muaj, këto shkaktojnë ankth ekstrem dhe mosfunksionim të mirë të individit. Pasja e shenjave të PTSD-së nuk do të thotë që personi është i sëmurë mendor, por që ai i përgjigjet në mënyrë normale një situate tejet stresuese. Disa nga shenjat e këtij çrregullimi përfshijnë: “flash-back” ose ripërjetimi në mënyrë të pandërgjegjshme i ngjarjes të shoqëruara me reagime të ekzagjeruara emocionale. Shpesh personi ka ndjesinë e humbjes së kontrollit, shkëputjes nga realiteti, rënies së interesave, shmangie të situatave apo elementëve që i kujtojnë traumën, etj. Shenjat e lidhura me ankthin dhe panikun janë gjithashtu të pranishme: çrregullimet e gjumit, shpërqendrimi, nervoziteti, frika, ndjenjë faji etj. Këto shenja duhet të zgjasin për të paktën 1 muaj.

Pse disa njerëz preken nga PTSD dhe disa të tjerë jo?
Mendohet se përgjigja e kësaj pyetjeje është kombinimi i faktorëve gjenetikë me ata të ambientit. Personat shumë të ndjeshëm, që kanë probleme të tjera psikike, që janë të vetmuar dhe pa mbështetje, janë më të predispozuar për t’u prekur nga PTSD. Gjithashtu, sa më e rëndë të jetë ngjarja dhe sa më gjatë të jetë personi i ekspozuar ndaj saj, aq më shumë rritet mundësia për të vuajtur këtë lloj stresi. Traumat e fëmijërisë, mungesa e mbështetjes shoqërore dhe ekonomike, kultura dhe arsimi, abuzimet me substancat dhe alkoolin, dëmtimet fizike, mosha dhe gjinia (fëmijët dhe femrat kanë më shumë risk për ta vuajtur), janë disa nga faktorët që bashkangjitur traumës, favorizojnë shpërthimin e PTSD. Problemi kryesor që shoqëron ose pason PTSD është depresioni, varësia nga alkooli, droga, anksiolitikët, luhatjet e humorit si edhe lodhje kronike, dhimbje atipike, hipertension arterial, etj.

Si trajtohet stresi posttraumatik?
Trajtimi synon reduktimin e ankthit dhe rikthimin e personit në funksionim normal. Të kuptuarit dhe të pranuarit e problemit është hapi i parë për të zgjidhur problemin. Psikoterapia nuk e bën personin të harrojë ngjarjen, por e mëson atë të jetojë me atë që ka kaluar, duke e parë ngjarjen nga një këndvështrim tjetër, duke zbutur brengën që lënë kujtimet. Terapia e ekspozimit është një tjetër ndërhyrje psikoterapeutike. Ajo u kërkon këtyre personave të përballen me situata apo elementë të traumës në mënyrë graduale, për t’u desensibilizuar nga emocionet ekstreme që i bëjnë të vuajnë. Ekspozimi mund të bëhet realisht ose me imagjinatë. Terapia e menaxhimit të ankthit, terapia njohëse dhe e sjelljes, terapia në grup, hipnoza janë disa nga ndërhyrjet e tjera që mund të ndihmojnë në kontrollin e mirë dhe të shpejtë të stresit pas traumës.

Kur rekomandohet mjekimi me medikamente?
Mjekimi zakonisht përdoret paralelisht me psikoterapinë, sidomos në personat ku dominojnë simptomat fizike, ankthi i shprehur dhe ndryshimet e humorit. Trajtimi përshkruhet përherë nga mjeku specialist, i cili kërkon kontrolle periodike dhe këshillon në kohë skemat e ndërprerjes së medikamenteve, sipas ecurisë së gjendjes. Mostrajtimi në kohë dhe në mënyrë korrekte i PTSD mund të sjellë pasoja të ndjeshme në jetën e përditshme të personit të prekur. Ai mund të ndërhyjë në punë, jetën sociale dhe familjare të personit. Kjo mund të krijojë probleme financiare, që bëhen burime stresesh të tjera.

Këshilla për të ndihmuar veten:

Mëso për traumën dhe PTSD.
Kalo sa më shumë kohë me familjen dhe
shoqërinë.
Përballu me vende dhe objekte që të rikujtojnë ngjarjen.
Fol për ngjarjen.
Kërko ndihmë të specializuar.
Prano dhe menaxho ankthin dhe zemërimin.
Merr mjekimin e rekomanduar dhe zbato ndjekjen me përpikmëri.
Bëj jetë aktive dhe të shëndetshme.
Rezistoi tundimit për të gjetur ngushëllim tek
alkooli, duhani, droga apo qetësuesit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.