Kryesore

Fatos Kongoli: Për Lilin, letërsinë, eutanazinë dhe ata që u detyroj jetën

11:25 - 21.11.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli  – Është mirë për ju te “Friend’s Book House”? Të nesërmen, një burrë me xhaketë kadife, me kapele beretë, shkelte gjethet e rëna, në rrugicën që ndahet prej ‘Myslym Shyrit’ dhe e dëgjoja të më rrëfente Shqipërinë e Kinën, duke u ndalur herë pas herë në disa ngjarje disi më gjatë.




Ka kaluar pothuaj një dekadë prej herës së parë, kur kam takuar Fatos Kongolin. “Jetë në kuti shkrepësesh” çmohej shumë nga lexuesit e megjithatë shkrimtari bëhej bashkëbisedues duke i bërë të padukshme dasitë e moshës, dijes, përvojës. Nuk kisha mbërritur ende, moshën e romanit të tij të parë, por me kujdesin fisnik të një burri të urtë, ai i zhbënte kufijtë, duke plotësuar heshtjet e mia a pyetjet që nuk guxoja t’i shqiptoja deri në fund. Nga “Ne të tre”, te “I Humburi”, nga “Lëkura e qenit” te “Dragoi i fildishtë” e “Ëndrra e Damokleut”, ai kish vënë emrin e tij si shkrimtar, por duke ruajtur njëherësh edhe njëfarë distance nga radha e parë. E pranonte se kishte qenë gjithnjë disi i ndrojtur.

Në vitin 2011, kur promovonte “Iluzione në sirtar” pothuajse një roman për vetveten, ai do të bënte një ‘mea culpa’, duke kërkuar falje publike për një episod traumatik të jetës së tij, kur iu desh të dilte dëshmitar në gjyqin e një kolegu. Kur botuesja i kishte thënë se ishte koha për letërsi, e jo për kujtime dhe se do të kishte kohë për kujtime, Kongoli i ishte përgjigjur se kishte nevojë të thoshte, duhej ta thoshte, nuk mund ta mbante më brenda tij.
“Kam dashur të bëj një rrëfim, për aq kohë sa bashkëkohësit e mi të përmendur në këtë libër janë gjallë. Nuk kam dashur t’i shpëtoj gjykimit të njerëzve. Pjesa dërmuese e personazheve janë gjallë. Dhe një nga arsyet pse kam dashur ta shkruaj librin është pikërisht për këtë fakt. Më vonë, kur ca prej tyre të mos jenë më, ndoshta do të ishte shumë vonë, sepse nuk do të kishte kush të më gjykonte”. Atëkohë, teksa rrëfeu kokulur e me pendesë ç’kish ndodhur, doli para lexuesit, për të treguar vetë një kohë të vështirë për të cilën nuk ishte krenar. E cilësuan rast unik. Kongoli që kishte bërë gati kraharorin për sulme, mori rrahje shpatullash si vlerësim.

Pasi e hoqi brengën e pengun e madh, mërinë e madhe, dhimbjen e madhe, ndjenjën e madhe të fajit, me paqen që fitoi, ju kushtua letërsisë, derisa muaj më parë, u sëmur rëndë. Në bisedat telefonike të atyre ditëve, mes një dhome spitali dhe një zyre redaksie, kur herë më përgjigjej ai e herë e shoqja Lili, zë fill, edhe kjo bisedë. Për shkrimtarin dhe njeriun Fatos Kongoli.

PANAIR 2018
Është e premte dhe Kongoli është ulur në stendën e “Toenës”. Lexues të ndryshëm, ndalojnë, e shohin, shohin librat e tij, zgjedhin një dhe i kërkojnë autograf. Kongoli ngrihet nga karrigia në këmbë, flet me ta, u lë herë një shënim e herë një firmë dhe ulet. E pyes, ku është bashkëshortja. Më përgjigjet që është në shtëpi.
“Jam shumë më mirë se ç’kam qenë. Pas ndërhyrjes erdhi djali e qëndroi disa kohë”. E pyes nëse po shkruan, mohon. Flet me lexuesit, dhe një çast më pas, pëshpërit me mirënjohje. “Ke bërë shkrime të mira për mua”. Pastaj kujton bisedat ndërsa ishte në spital. Në fillim përgjigje Lili, zonja e tij, pastaj vetë ai. Kërkonte ndjesë. Atëkohë, ishte në një gjendje pezulli mes operacionit të parë dhe atij të dytit, në kohën e ndërmjetme, atë të pritjes; kur nuk e di sa zgjat kjo pritje, çfarë ka pas saj, as nëse do kthehesh nga ajo udhë.

“Kam qenë gjysmë atëherë. Shkova shumë afër… Shkova, trokita… Por më thanë jo, nuk ka ardhur çasti”.
Botuesja Irena Toçi më kish rrëfyer se njeriu që e ka mbajtur Kongolin gjatë gjithë jetës, por edhe ato ditë kur ai e rrezikonte atë, ka qenë e shoqja, Lili. Një grua e heshtur, që nuk shihet, nuk del, nuk njihet, por që është aty për të shtrirë dorën a për ta tërhequr atë.
Ia them Kongolit këtë. Ai qesh. Pohon që ajo ka qenë e rëndësishme në atë që vetë ai është sot. “I detyrohem shumë. I detyrohem shumë se është sakrifikuar gjithë jetën për mua. Më ka krijuar gjithë kushtet që unë të punoja dhe …”. Hesht një hop. Diku e tret shikimin. Diçka sjell ndërmend dhe më tej thotë: “Kam qenë njeri i vështirë. Gjithë shkrimtarët janë të vështirë. Se janë njerëz egoistë, shumë. E unë, kam qenë jashtëzakonisht i vështirë”.
E pyes nëse dikur, e ka bërë të lumtur aq sa ajo të qëndrojë ashtu e përkushtuar përkrah tij gjithë jetës? Kongoli nuk duket fort i kënaqur me veten. “Është natyra e saj e tillë. Sidomos këtë rast që u sëmura. Isha keq. U bëra dy herë operacion. Ajo ka vuajtur shumë. I detyrohem shumë. Ka bërë çdo gjë”.
Vijnë lexues të tjerë. Shquaj mes tyre një shkrimtar të ri, Azem Deliun. I pëshpërit Kongolit se ai që ka përballë e kërkon autograf, është shkrimtar i ri. Ai mbi faqen e parë shënon “Për kolegun tim të ri”. Deliu gëzohet dhe Kongoli i uron përzemërsisht suksese.

Rikthehet te biseda jonë dhe ndalet për të kujtuar ata që i qëndruan pranë, shumë pranë, ata që e mbajtën në jetë.
“I detyrohem mikut tim të vjetër Julien Roche, që më mori e më strehoi në shtëpinë e tij madhështore në Qerret. Më strehoi pesë muaj. Më vuri në dispozicion edhe fizioterapist dhe gjithë personelin që i shërben atij. Atij njeriu i detyroj jetën. Nëse vendos të shkruash, mos e harro këtë”, më thotë. Kur pohoj, ai shton: “Dhe sigurisht i detyrohem edhe Lilit, gruas sime. Ajo është përpjekur me mish e me shpirt që unë të shërohesha”. I them se ka bërë diçka më të rëndësishme, nuk të ka lënë kurrë vetëm.
“Absolutisht edhe kjo. Por gjatë sëmundjes, ka qenë një moment shumë i vështirë. Po të mund t’ju thosha, çfarë ka bërë ajo për mua…nuk e imagjinoja as vetë. Isha shumë shumë keq”. Thekson se kishte besim të plotë te mjekët, te doktor Pojani dhe kirurgu Edmond Çeliku.
E pyes nëse ishte Lili ajo që e mbajti në jetë pothuaj me zor. “Ajo ka një rol e një meritë shumë të madhe që më mbajti në jetë. Megjithatë, mendoj shpesh se duhet të ketë një providencë. Ai ta jep, ai ta merr”. Thotë se ka kohë që beson në Zot, por se marrëdhënia me të, është krejt individuale dhe nuk kalon as nga kleri as nga institucionet e besimit.
Kërkoj portretin e Lilit në librat e tij, dhe e pyes çfarë i ka kushtuar gjithë këto vite. “Një roman”, thotë me nxitim dhe e merr në dorë. “Është romani ‘Lëkura e qenit’. Ia kam kushtuar asaj. Në fakt Lëkura e qenit jam unë. Ajo e ka lexuar vetëm pasi është botuar”.

MENDIMET NË SPITAL
Ato kohë, kur luftonte për jetën, thellë brenda vetes, kishte marrë parasysh se ky, mund të ishte edhe fundi. Nuk kishte pengje, as brenga. Gjithsesi e dinte që mund të kishte shkruar më shumë, që mund të kishte shkruar edhe për disa tema të tjera, por ishe i qetë se brengat e mëdha e historitë e mëdha i kish rrëfyer.
“Kur e mora vesh sëmundjen që kisha, kur mora vesh se si do të isha, më shkoi mendja deri te eutanazia. Mendova, ç’më duhet mua jeta në atë gjendje që do isha?

Që kur hyra në operacion, unë hyra pa frikë. Më kanë pyetur shpesh miqtë e mi, nëse kisha frikë. Por nuk kisha frikë hiç fare, as te operacioni i parë, as te i dyti. Të dyja herët kam hyrë në sallë duke qeshur”. Kongoli qesh kur rrëfen. Herë-herë shpjegon me duar, herë-herë kthen kokën nga librat e tij, që kryesisht mosha të reja, i marrin në duar për t’i shfletuar.

E pyes, pse ishte kaq i qetë, si ia dilte. “E mendova, e përfytyrova kështu. Sikur do hipja në një taksi. Nuk e di ku do më çojë. Nuk mund ta di. Nëse më çon në një rrugë pa kthim, atëherë punë e madhe: unë atë dua. Nëse do të kthehem mbrapsht, do jem aty ky isha”. Kërkoj të di, nëse Lili, ishte dakord me këto mendime? Me eutanazinë përshembull. “Ç’mund të bënte apo të thoshte Lili? Ajo e shihet gjendjen time”, thotë Kongoli.
E ka rrëfyer bashkëshorten hollësisht tek “Iluzionet në sirtar” si dhe i ka kushtuar “Lëkurën e qenit”. Flet pak për të, ka drojë kur e bën, por ndjen në timbrin që merr zë, respektin për gruan që e jetoi me të e për të.

74-vjeç e ish-matematicien, Kongoli ndjen keqardhje që leximi ka rënë. Dikur, në rininë e tij, ishte kënaqësi e madhe.
“Nuk mund të ketë më tërheqje si dikur, sepse dikur s’kishte asgjë tjetër për të bërë. Leximi ka rënë kudo, edhe në botë. Nuk është dukuri shqiptare, por këtu është disi më e vrazhdë, si çdo gjë. Të lexuarit është punë fisnike, por është krijuar perceptimi se leximi nuk jep asgjë. Dikur, ishte kënaqësi leximi. Unë vetë kam kohë që nuk e shijoj leximin: sepse si shkrimtar, shoh stilin, ndërtimin, shoh strukturën. Më vjen keq, sepse sa marrë në dorë libër, i shoh teknikën. Kam harruar ç’është leximi vetëm për kënaqësi, me endje, me dëshirë”.
Pohon se tanimë u është rikthyer ritualeve, ecjeve të lehta, shëtitje deri nga liqeni dhe një kafe herët me Lilin në Friend Books House. Shkrimtari është në qytet, me beretë mbi kokë e me një xhaketë kadife, hapat e tij kërcasin mbi gjethet e rëna këtij mesnëntori.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.